Lart

29 Shtator- Dita Botërore e Zemrës

Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Federatën Botërore të zemrës  organizojnë Ditën Botërore të Zemrës.

Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit më 29 shtator, me qëllimin kryesor të saj ndërgjegjësimin informimin dhe edukimin e njerëzve lidhur me sëmundjet kardiovaskulare (SKV), të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Dita Botërore e Zemrës gjithashtu, synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Sëmundje kardiovaskulare (SKV) është një term i gjerë dhe përfshin një sërë sëmundjesh që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut. Një atak në zemër ose goditje në tru mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundjeje kryesore.

Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose goditje në tru, prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut. 

Llojet e sëmundjeve kardiovaskulare përfshijnë:

I.Sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me zemrën 

II.Sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me trurin

III. Sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me sistemin e qarkullimit

Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti, diabeti apo faktorët e mënyrës së jetesës si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i shtuar i alkoolit, të cilat rrisin probabilitetin për të pasur një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare.

Për sa i përket barrës së vdekjeve, faktor kryesor rreziku i SKV-ve është presioni i lartë i gjakut, të cilit i atribuohet 13 % e vdekjeve globale, ndjekur nga përdorimi i duhanit 9 %, sheqeri i ngritur i gjakut 6%, pasiviteti fizik 6 % dhe mbipesha e obeziteti 5%.

Parë në këtë këndvështrim, shumica e SKV-ve janë shkaktuar nga faktorë të rrezikut që mund të kontrollohen, trajtohen ose të modifikohen. Sot në botë, të gjithë ekspertët e shëndetësisë besojnë se SKV-të janë dukshëm të parandalueshme, duke evituar një numër të madh vdekjesh të parakohshme. OBSH-ja përllogarit se, të marra së bashku, uljet modeste të tensionit të gjakut, obezitetit, kolesterolit dhe përdorimit të duhanit në të gjithë popullsinë, mund të përgjysmojnë incidencën e SKV-ve.

Shpërndaj
Avatar
Lajme - Probleme.me