Lart

Aspirina mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga kanceri për 20%

Pacientët me kancer të cilët marrin aspirinë si pjesë të tretmanit të tyre, mund të zvogëlojnë rrezikun e vdekjes për 20%, thuhet në një studim të fundit.

Hulumtuesit në Universitetin Cardiff kanë thënë se medikamenti, i cili zakonisht përdoret për lehtësim të dhimbjeve, nuk ka vetëm “mekanizma biologjikë” të cilët reduktojnë rrezikun e vdekjes por se gjithashtu ato reduktojnë edhe përhapjen e kancerit brenda trupit.

Ata kanë thënë se aspirina mund të merret në konsideratë serioze që të përdoret krahas terapive të tjera për ta trajtuar kancerin, bazuar në efikasitetin dhe sigurinë e tij.

Në kuadër të studimit, ekipi ka rishikuar 118 studime të mëhershme të publikuara lidhur me këtë çështje, studime këto të cilat përfshinin 250,000 pacientë me 18 lloje të ndryshme të kancerit.

Profesori i cili e ka udhëhequr studimin e ri, Peter Elwood, i cili është edhe profesor nderi në Universitetin e Cardiffit, ka studiuar efektet e aspirinës për më shumë se 50 vjet.

“Mbi të gjitha, kemi gjetur se pas diagnozës me kancer, rreth 20% më shumë e pacientëve me kancer të cilët e kishin konsumuar aspirinën janë ende të gjallë, krahasuar me pacientët të cilët nuk e kishin konsumuar atë”, ka thënë Elwood.

Sipas tij, studimi sugjeron se aspirina jo vetëm që zvogëlon rrezikun e vdekjes si pasojë e kancerit por po ashtu, redukton mundësinë e përhapjes së tij në pjesë të tjera të trupit, të njohur ndryshe si përhapje metastatike.

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me