Lart

Katër ditë punë në javë japin rezultate pozitive gjatë testimit në Islandë

Studimet kanë treguar se produktiviteti ka vazhduar të jetë i njëjtë apo edhe është përmirësuar në shumicën e vendeve të punës që janë përfshirë në eksperiment.

Punëtorët në Islandë kanë zgjedhur që të kenë një javë më të shkurtër pune, pasi që dy studime në shkallë të gjerë kanë treguar se më pak orë punë e rrisin “në mënyrë dramatike” mirëqenien e tyre dhe ekuilibrin midis jetës private dhe punës.

Të dyja studimet, të cilat u zhvilluan nga viti 2015 deri më 2019, kanë zbuluar gjithashtu se produktiviteti ka vazhduar të jetë i njëjtë apo është përmirësuar në shumicën e vendeve të punës të përfshira në eksperiment.

Agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle ka raportuar se studiuesit kanë pretenduar se eksperimentet e drejtuara nga Këshilli i Qytetit të Reikjavikut dhe Qeveria kombëtare kanë rezultuar me një “sukses të jashtëzakonshëm”, dhe se nga përfundimi i tyre, rreth 86 për qind e fuqisë punëtore të vendit tani punon për më pak orë pa ndonjë ulje të pagës.

“Udhëtimi islandez drejt javës më të shkurtër të punës na tregon se jo vetëm që është e mundur që të punohet më pak në kohën e sotme, porse edhe është i mundur një ndryshim progresiv”, ka theksuar Gudmundur Haraldsson, njëri nga studiuesit kryesorë, duke folur për DW-në.

Mirëqenie më e mirë

Eksperimenti në të cilin kanë marrë pjesë mbi 2.500 punonjës – më shumë se 1 për qind e popullsisë së punësuar të Islandës – ka përfshirë një gamë të gjerë vendesh pune, duke nisur nga kopshtet në spitale dhe zyra e deri te punonjësit e shërbimeve sociale. Shumë nga pjesëmarrësit, ka raportuar agjencia gjermane, kanë kaluar nga një javë 40-orëshe punë në një javë me 35 apo 36 orë punë efikase.

Punonjësit kanë raportuar se koha më e shkurtër e punës e bën më të lehtë kryerjen e detyrave të ndryshme shtëpiake, si blerjet, pastrimi dhe rregullimi gjatë ditëve të javës. Shumë pjesëmarrës burra, që u deklaruan se ishin në marrëdhënie heteroseksuale, kanë thënë se mund të kalonin më shumë kohë në punët e shtëpisë, veçanërisht në pastrim dhe gatim.

“Kjo tregon se sektori publik është i pjekur që të bëhet pionier i javëve më të shkurtra të punës dhe se nga kjo mund të nxirren mësime edhe për qeveritë e tjera”, ka thënë për DW-në Will Stronge, drejtori i kërkimit për “Autonomy”, qendër kjo kërkimore në Britaninë e Madhe që bashkë me Shoqatën për Demokraci të Qëndrueshme (Alda) në Islandë ka analizuar rezultatet e studimeve.

Java me katër ditë punë po fiton terren

Ideja e një jave me katër ditë punë është bërë gjithnjë e më tërheqëse në të gjithë botën.

Spanja është duke provuar që ta zbatojë një javë me 3 orë punë për kompanitë, në kuadër të një pilot-programi që kap vlerën prej 50 milionë eurosh.

Firma e konsumit “Unilever” ka filluar eksperimentin, në kuadër të të cilit i paguan dhjetëra punonjës me paga të plota, ndërsa u kërkon atyre që të punojnë vetëm katër ditë në javë, ka shkruar Deutsche Welle.

Në Japoni, Qeveria ka rekomanduar që kompanitë t’u lejojnë punonjësve që të zgjedhin një javë katërditore të punës për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve. Kompanitë, nga ana e tyre, do të arrinin në këtë mënyrë që t’i mbanin në punë punëtorët e aftë dhe me përvojë, të cilët përndryshe mund të largoheshin shkaku i përgjegjësive familjare.

Në gusht, sindikata më e madhe gjermane “IG Metall” ka bërë thirrje për një javë më të shkurtër pune, duke argumentuar se një gjë e tillë do të kursente me mijëra vende pune, të cilat janë nën kërcënim nga transformimi i industrisë së automobilave kah elektrikja.

Një raport i porositur nga fushata e javës 4-ditore prej Platformës Londër ka treguar, sipas DW-së, se kalimi në një javë pune katërditore ofron gjithashtu edhe përfitime mjedisore.

Një hap i tillë mund të zvogëlojë gjurmën e karbonit në Britaninë e Madhe për 127 milionë tonë në vit deri në vitin 2025, bilanc ky i barabartë me eliminimin nga përdorimi të 27 milionë veturave nëpër rrugë, ka sugjeruar studimi.

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me