Lart

Ngrohja globale mund ta gjenerojë epideminë e sëmundjes së veshkave

Studimet rreth ndërlidhjes së nxehtësisë me CKDu-në – sëmundja kronike e veshkave nga shkaktarë të paqartë – kanë sugjeruar se duhet pasur qasje urgjente në shkallën potenciale të problemit, kanë thënë ata, ka raportuar gazeta britanike “Guardian”

Sëmundja kronike e veshkave e ndërlidhur me temperaturën e lartë mund të bëhet epidemi e madhe shëndetësore për miliona punëtorë në botë, përderisa temperaturat në glob po rriten hovshëm gjatë dekadave, kanë paralajmëruar mjekët.

Studimet rreth ndërlidhjes së nxehtësisë me CKDu-në – sëmundja kronike e veshkave nga shkaktarë të paqartë – kanë sugjeruar se duhet pasur qasje urgjente në shkallën potenciale të problemit, kanë thënë ata.

Për dallim prej formës së zakonshme të sëmundjes kronike të veshkave (CKD), që është humbje progresive e funksionit të veshkave dhe që ndodh zakonisht te të moshuarit dhe njerëzit që kanë diabet apo tension të lartë, epidemitë e CKDu-së kanë arritur më së pari në rajonet e nxehta dhe rurale të shteteve, si El Salvadori dhe Nikaragua, ku një numër jashtëzakonisht i lartë i punëtorëve të agrokulturës kanë vdekur nga dështimi i pakthyeshëm i veshkave.

Sipas “Guardianit”, CKDu-ja tashmë ka filluar që të regjistrohet si dukuria që po prek një numër të madh njerëzish, të cilët punojnë në temperatura të larta në disa pjesë të tjera të Amerikës Qendrore, po ashtu edhe në Amerikën Veriore, Amerikën Jugore, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe në Indi.

Veshkat janë përgjegjëse për balancimin e lëngjeve në trup, gjë që ndikon që të jenë posaçërisht të ndjeshme ndaj temperaturave ekstreme. Me anë të një konsensusi, CKDu-ja duhet të njihet si dëmtim që lidhet me nxehtësinë, ku punëtorët po zhvillojnë dëm delikat ndaj veshkave çdo ditë, teksa punojnë nëpër fusha. Kjo më pas mund të kthehet në sëmundje të rëndë të veshkave apo dështim të plotë me kalimin e kohës, kanë thënë studiuesit.

“Ky sulm i përsëritur ndaj veshkave, që është i shkallës së ulët, nuk paraqitet domosdo me simptoma, kështu që punonjësit mund të mos e dinë fare se po sëmuren me kalimin e kohës, derisa situata të bëhet aq keq sa të përfundojë me sëmundje të veshkave të fazës përfundimtare”, ka thënë mjekja Cecilia Sorensen, drejtoreshë e konsorciumit global për edukimin klimatik dhe shëndetësor në Universitetin e Columbias. “Mendoj se thjesht nuk ia kemi idenë se cili është thelbi i problemit, sepse nuk po e mbikëqyrim”, ka shtuar ajo për gazetën britanike, duke vazhduar: “Ekzistojnë disa rajone që janë qartazi pika të nxehta, por për sa i përket përhapjes së tij dhe sa serioz është një problem, mendoj se as nuk po e kuptojmë”.

Megjithëkëtë, epidemitë e dokumentuara kanë karakteristika të ngjashme. Ata që preken më së shumti priren të jenë njerëz që punojnë në kushte të nxehta jashtë dhe vijnë nga prejardhje në mënyrë disproporcionale të ndjeshme – shoqërore dhe ekonomike – me qasje të kufizuar në kujdesin mjekësor ose sigurim, ose që jetojnë në zona me infrastrukturë modeste të kujdesit shëndetësor.

Sorensen ka thënë se, sipas të dhënave të tanishme, duket që ashpërsia e dëmit në veshka përkeqësohet sa më i ndjeshëm që të jetë punëtori. Ajo ka thënë se ata që nuk kanë kontroll mbi kushtet e punës apo janë të stimuluar që të punojnë me orë të gjata dhe pa pushim, si për shembull punëtorët që paguhen me sa mana i këpusin prej dege, ka gjasa që të jenë më të prekurit.

“Po sëmuren nga puna, por nuk kanë mundësi të tjera dhe ka shumë pak mbikëqyrje rregullatore në mjedisin e punës që e pengon këtë të ndodhë. Është pikë e madhe e verbër dhe shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.

Ramón García Trabanino, nefrolog klinik dhe drejtor mjekësor në Qendrën e Hemodializës në El Salvador, ka vënë re së pari se një numër i pazakontë i pacientëve me CKD po paraqiteshin në spital, më shumë se dy dekada më parë.

“Ata ishin djem të rinj”, ka thënë ai, “dhe po vdisnin sepse ne nuk e kishim buxhetin apo kapacitetin për t’i trajtuar me dializë. Bëmë çmos, por vazhduan të vdisnin dhe vazhduan të vinin”.

Që nga ajo kohë, ai ka filluar studimin e epidemive të ngjashme në Meksikë, Nikaragua, Kosta Rika dhe Panama.

“Nëse i shikoni hartat e temperaturave maksimale në rajonin e Amerikës Qendrore, do ta vëreni se ngjasojnë me rajonet ku po e përshkruajmë sëmundjen, pikat e nxehta”, ka thënë ai për gazetën. “El Salvador dhe Nikaragua – çdo vit kemi luftë për ta zënë vendin e parë për vdekshmërinë më të lartë për shkak të CKDu-së. Shkalla jonë e vdekshmërisë është rreth 10 herë më e lartë, sesa që duhet. Numri i pacientëve të rinj është dërrmues”.

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me