Lart

Një hap tutje drejt rritjes për kohë më të gjatë të embrioneve njerëzore

“Rregulli 14-ditor”, një standard ky etik ndërkombëtar që i kufizon studimet laboratorike të embrioneve, ka ekzistuar për dekada me radhë dhe është shndërruar në ligj nëpër disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Australinë. Së fundmi shkencëtarëve u është kërkuar që t’i asgjësojnë embrionet e krijuara në laboratorë, para se ta arrijnë periudhën prej 14 ditësh

Disa udhëzime të reja, të cilat janë publikuar të enjten, e eliminojnë një pengesë që daton qysh prej disa dekadash lidhur me qelizat embrionale, duke rekomanduar se studiuesit mund të lejohen që t’i rrisin embrionet e njerëzve për periudha më të gjata kohore, nën kushte të kufizuara.

“Rregulli 14-ditor”, një standard ky etik ndërkombëtar që i kufizon studimet laboratorike të embrioneve, ka ekzistuar për dekada me radhë dhe është shndërruar në ligj nëpër disa vende, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Australinë. Së fundmi shkencëtarëve u është kërkuar që t’i asgjësojnë embrionet e krijuara në laboratorë, para se ta arrijnë periudhën prej 14 ditësh.

Disa studiues e kanë përkrahur rishikimin e vendimit për ta studiuar procesin e zhvillimit, kurse kundërshtarët kanë thënë se eksperimentet e tilla në çfarëdo faze e kapërcejnë barrierën moral dhe se nuk është ende e qartë nëse ndryshimi mund të avancojë studimet.

“Kufizimi i parë ishte arbitrar dhe ka parandaluar studimin e një periudhe kritike në zhvillimin e embrioneve – zakonisht mes 14 deri 28 ditë”, ka thënë Robin Lovell-Badge, ekspert i qelizave në Institutin e Crickut në Londër dhe kryetar i grupit që i ka bërë udhëzimet e reja.

“Mendojmë se shumë abnormalitete të bashkëlidhura po zhvillohen goxha shpejt gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Lovell-Badge. “Përderisa i kuptojmë më mirë këto faza të para, mund të na mundësohet që të adoptojmë procedura të thjeshta për ta ulur sasinë e dhimbjes”.

Udhëzimet, që së fundmi janë ndryshuar më 2016, ishin bërë nga Shoqëria Ndërkombëtare për Studime të Qelizave, standardet e së cilës janë të pranuara gjerësisht nga vendet, revistat mjekësore dhe komuniteti i studiuesve. Nuk është specifikuar se sa gjatë mund të rriten embrionet.

Sipas shkencëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar, për ta nisur krijimin e embrioneve për më shumë se dy javë duhet të ndryshohet ligji që e rregullon një studim të tillë. Çfarëdo lehtësimi në ligj do të ketë nevojë për “analizim të hollësishëm” nga rregullatorët kombëtarë, ka thënë Lovell-Badge.

“Kjo nuk është një dritë jeshile për shkencëtarët që ta zgjerojnë studimin e embrioneve të njerëzve”, ka thënë Kathy Niakan nga Universiteti i Cambridges, që ka ndihmuar në krijimin e udhëzimeve, duke shtuar se “do të ishte e papërgjegjshme”.

Niakan ka thënë se duhet që të organizohet një dialog publik, ku do të përfshiheshin shkencëtarët, rregullatorët, investitorët dhe publiku për të diskutuar çfarëdo kundërshtimi të mundshëm. Ajo ka thënë se duhet që të ketë edhe mbështetje nga publiku para se puna të ecë tutje dhe se vendet duhet që të përdorin një proces të specializuar të mbikëqyrjes, për t’i peshuar meritat shkencore në studim.

Marcy Darnovsky, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Gjenetikë dhe Shoqëri, ka thënë se justifikimi shkencor për udhëzime të reja ka mangësi. Ajo ka theksuar se udhëzimet nuk vendosin ndonjë kufi se sa gjatë mund të rriten potencialisht embrionet.

Shoqëria gjithashtu ka ofruar këshilla për çështjet e tjera që lidhen me qelizat embrionale, përfshirë kërkesën për mbikëqyrje të saktë për embrionet e transferuara të njerëzve në mitër, pas donacioneve mitrokondriale – një proces ky ku dy vezë dhe një spermë përdoren për të krijuar një embrion.

Aktualisht, udhëzimet ndalojnë çfarëdo përmirësimi gjenetik që do të shkaktonte ndryshime për brezat e ardhshëm – e ngjashme me punën e bërë nga shkencëtari kinez, He Jiankui, që e ka shtangur botën, kur kishte njoftuar më 2018 se ka krijuar foshnjat e para me anë të ndërhyrjeve në gjene.

Punë të tilla janë të ndaluara tani, por Lovell-Badge dhe të tjerët janë të vetëdijshëm se një ditë mund të lejohet.

“Kjo nëse dëshmohet se është mjaftueshëm sigurt dhe nëse përdoret në kushte të kufizuara”, ka thënë Hank Greely, drejtor i Qendrës për Ligj dhe për Bioshkencë në Universitetin e Stanfordit.

Udhëzimet ndalojnë edhe klonimin e njerëzve, transferimin e embrioneve të njerëzve në një mitër të kafshëve dhe krijimin e kimerave (krijesa që konsiderohen njeri-kafshë), duke thënë se punë të tilla “nuk kanë racionalizim shkencor dhe etikë”.

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me