Lart

Pfizer Tenton Të Prodhojë Edhe Pilula Kundër Covid-19

Në fillim të vitit 2020, teksa një koronavirus i ri vdekjeprurës nisi të përhapej në mbarë botën, kompania farmaceutike Pfizer Inc, themeloi një ekip me shkencëtarë dhe kimistë elitë, për të identifikuar mënyra se si të trajtohej sëmundja COVID-19.

Gjiganti farmaceutik nga Shtetet e Bashkuara, që nisi të eksplorojë zhvillimin e një vaksine, gjithashtu dëshironte që të prodhonte një pilulë, e cila do të ndalonte që infeksioni të përhapej, njësojë sikurse përdoret ilaçi Tamiflu për të luftuar gripin e zakonshëm. Ekipi bëri kërkime për të gjetur përbërës të papërdorur të molekulave që do të ndihmonin për nisjen e procesit, dhe shumë shpejt identifikuan një kandidat premtues, shkruan Reuters.

Më shumë se një vit më vonë, Pfizer ende nuk ka filluar provat në shkallë të gjerë për trajtimin në mënyrë orale të COVID-19, por thotë se shpreson që prova të tilla të nisin në korrik.

Pfizer dhe rivalët e tij, përfshirë kompaninë me seli në SHBA, Merck & Co Inc dhe kompaninë farmaceutike zvicerane, Roche Holding AG, janë në garë për të prodhuar pilulën e parë antivirale, që njerëzit mund ta marrin sapo të kenë shenjat e para të sëmundjes. Këto kompani ndajnë një qëllim: që të mbushin një vrimë që gjendet në trajtimin e COVID-19, duke i ndihmuar njerëzit që janë infektuar së fundmi me koronavirus që të mos sëmurën rëndë dhe të kërkojnë hospitalizim.

Por, pas pothuajse 18 muajsh të pandemisë, ende nuk ka një trajtim që administrohet lehtë, e që është dëshmuar se është efektiv ndaj COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi. Kjo ndodh edhe për faktin se janë zhvilluar një numër i vaksinave efektive kundër COVID-19, përfshirë edhe vaksinën që Pfizer ka zhvilluar me partnerin gjerman, BioNTech, e që mori autorizimin për përdorim në SHBA dhjetorin e vitit të kaluar.

Përvoja e Pfizerit është dëshmi për sfidat që përballen kompanitë farmaceutike për zhvillimin e trajtimeve orale për virusin. Për dallim nga vaksina, e cila duhet vetëm të nxisë sistemin imunitar të trupit, një pilulë efektive antivirale duhet ta bllokojë shpërndarjen e virusit në gjithë trupin dhe në të njëjtën kohë, të jetë mjaftueshëm selektive, që të shmangë interferimin në qelizat e shëndosha.

Testimi i ativiralëve po ashtu është gjë e vështirë, thonë drejtuesit e kompanisë. Një ilaç duhet të merret në fazën fillestare të infektimit, do të thotë se për provat në shkallë të gjerë, duhet të gjenden njerëz që rishtazi janë infektuar me COVID-19. Shumë njerëz që infektohen me koronavirus, shfaqin vetëm simptoma të buta, por studimet duhet të dëshmojnë se pilula ka një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e një pacienti.

Shefi ekzekutiv i Pfizerit, Albert Bourla tha se kompania do të kërkojë autorizim emergjent në SHBA për përdorimin e pilulës COVID-19, më së largu deri në fund të këtij viti.

“Tani për tani, kemi arsye të forta të besojmë se mund të jemi të suksesshëm”, tha Bourla javën e kaluar, teksa foli përmes video-lidhjes në një forum ekonomik të mbajtur në Greqi.

Pfizer dhe rivalët e tij, thonë se procesi i zhvillimit të pilulës është më i shpejt, pasi më herët duheshin disa vite që të prodhohej një pilulë.

Kompanitë Merck dhe Roche, së fundmi kanë nisur testimet në shkallë të gjerë të njerëzve dhe gjithashtu kanë thënë se pilulat e tyre do të jenë të gatshme për përdorin më vonë gjatë këtij viti. Merck po e zhvillon ilaçin në bashkëpunim me kompaninë Ridgeback Biotherapeutics LP dhe Roche po punon së bashku me Atea Pharmaceuticals Inc.

Qeveritë në mbarë botën kanë dhënë miliarda dollarë për zhvillimin e vaksinave, por Pfizer, Merck dhe Roche thonë se nuk kanë pranuar fonde qeveritare për të zhvilluar pilulat kundër sëmundjes COVID-19.

“Në kërkim të Tamiflu-së së re”

Teksa shkalla e infeksionit me koronavirus në disa shtete ka rënë, disa shtete të tjera po përballen me përhapje të shpejtë të virusit. Për më tepër, shumë shtete po përballen me mungesë të furnizimeve me vaksina dhe sipas trendit, shumica e qytetarëve të botës nuk do të mund të vaksinohen për disa vite. Shumë njerëz, megjithatë, janë të vendosur për të marrë vaksina.

Shkencëtarët parashikojnë se COVID-19 – që ka vrarë mbi 3.5 milionë persona në mbarë botën – mund të shndërrohet në sëmundje sezonale, njësoj sikurse gripi sezonal.

“Ne na duhet një ilaç që do t’i mbajë njerëzit jashtë spitaleve”, thotë Dr.Rajesh Gandhi, profesor dhe specialist i sëmundjeve ngjitëse në Shkollën e Mjekësisë të Harvardit.

Doktorët kanë provuar një numër të pilulave ekzistuese për ta trajtuar COVID-19, por asnjëra prej tyre nuk ka treguar sukses gjatë testimeve rigoroze klinike.

Aktualisht, metoda e vetme që po tregon se po ndihmon pacientët me COVID-19 që të shmangin shtrirjen në spital janë ilaçet e antitrupave, ku kërkohet marrja e infuzioneve intravenoze. Por, ky lloj trajtimi nuk funksionon aq mirë ndaj varianteve të koronavirusit.

Pifzer dhe rivalët e tij thonë se kandidatët antiviralë, që merren në formë pilule, mund të jenë efektive ndaj një spektri më të gjerë të varianteve të koronavirusit, por kompanitë nuk i kanë bërë publike të dhënat për këto pretendime.

 

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me