Lart

Punët e padukshme të nënave: Gratë në disavantazh shkaku i ngarkesës psikike

Shumë studime kanë treguar se në lidhjet heteroseksuale gratë ende e bartin barrën kryesore për punët e shtëpisë dhe kujdesin e fëmijëve. Shumë çifte synojnë t’i ndajnë përgjegjësitë 50:50, mirëpo për arsye të ndryshme strukturale dhe socio-ekonomike, përgjegjësitë caktohen sipas linjave gjinore

Organizimi i orarit të fëmijëve për lojë apo caktimi i terminëve te mjeku; përpjekjet për t’i maskuar perimet në shujtat e tyre apo kujdesi për listën e blerjeve; brengat nëse djali po kalon mirë në shkollë ose nëse vajza ka nevojë për këpucë të reja….

Kur krejt këto shikohen veçmas mund të duken si punë të vogla, por kur bashkohen bëhen shumë. Dhe nëse e pyesni një çift heteroseksual që ka fëmijë se cili partneri ka gjasa t’i bëjë këto punë, shumica do të përgjigjen njësoj: nëna.

 

 

Shumë studime kanë treguar se në lidhjet heteroseksuale gratë ende e bartin barrën kryesore për punët e shtëpisë dhe kujdesin e fëmijëve. Shumë çifte synojnë që t’i ndajnë përgjegjësitë 50:50, mirëpo për arsye të ndryshme strukturale dhe socio-ekonomike, përgjegjësitë caktohen sipas linjave gjinore. Madje edhe te çiftet që e kanë arritur njëfarë barazie, format më të fshehta të punëve në përgjithësi u bien grave.

Në fakt, sipas shumë studimeve, për përgjegjësitë në shtëpi, gratë bëjnë më shumë punë kognitive dhe emocionale sesa burrat. Këtu mund ta kuptojmë se pse barazia gjinore jo vetëm që ka ngecur, por edhe ka bërë hapa prapa, pavarësisht se po diskutohet më shumë se kurrë më parë.

Punë e padukshme dhe pa orar

Ekspertët kanë thënë se puna e fshehtë vjen në tri kategori të mbishtresuara. Ekziston puna kognitive – mendimet rreth gjërave praktike në shtëpi, përfshirë organizimin e orareve për lojë, pazar dhe aktivitete. Pastaj vjen puna emocionale, që është kujdesi për ndjenjat e familjes, p.sh. qetësimi i fëmijëve kur janë të shqetësuar apo brengat se si po kalojnë në shkollë. E treta, puna mendore është grup ku përfshihen përgatitja, organizimi dhe pjesëmarrja në gjithçka që duhet të bëhet në mënyrë që jeta të rrjedhë mirë.

Puna e fshehtë vështirë se matet, sepse është e padukshme dhe nuk ka orar, vështirë se mund të dihet kur fillon e kur mbaron. Në studimin e Allison Damingerit, kandidate për doktoratë në degën e sociologjisë në Universitetin e Harvardit, është zbuluar se puna e madhe kognitive që bënin gratë “nuk ishte e normalizuar si formë e punës”, madje burrat u referoheshin grave me fjalë si “menaxhere projektesh”.

Puna e fshehtë ka ndikime të ndryshme: p.sh. ka gjasa se gratë shqetësohen më shumë për kujdesin e fëmijëve, kur nuk i kanë afër. Kjo gjë u shkakton edhe stres shtesë, sepse është gjithmonë i pranishëm, madje edhe kur duhet të përqendrohen në gjëra të tjera.

“Kontrolli amënor”

Një gjë e çuditshme e dalë nga studimi i Damingerit është se ky caktim i pabarabartë i punëve mendore nuk krijonte konflikt mes pjesëmarrësve. Studimi ka treguar se si gratë dhe burrat kanë thënë se ndarja e pabarabartë e punëve mendore ishte për shkak se njëri prej partnerëve punonte më shumë apo se gratë “janë më të interesuara për të organizuar”.

Kjo ka treguar se pjesëmarrësit besojnë se dallimet në personalitet dhe angazhimi në punë po shkaktojnë pabarazi. Studimet e tjera kanë ardhur në përfundim se gratë nuk janë më të mira në planifikim, organizim apo bërje të shumë punëve, thjesht pritet nga to për të bërë më shumë dhe me kalimin e kohës bëhen më të mira.

Kurse, arsyet strukturore se gratë marrin më shumë punë mendore është se ato e gjejnë mënyrën për të punuar me fleksibilitet, ndërkaq profesionet e burrave shihen si më të ashpra. Kështu që gratë mund të kujdesen më shumë për fëmijët. Ndarjet gjinore nisin qysh nga fëmijëria, pasi për shembull vajzat bëjnë më shumë punë shtëpiake sesa djemtë.

Ndikimi, në shtëpi dhe në punë

Fakti se nënat e bartin këtë ngarkesë mendore sigurisht se ka pasoja.

Nënat janë më të stresuara, më të lodhura dhe më pak të lumtura sesa baballarët, që janë më të lumtur gjatë kujdesit të fëmijëve, ka zbuluar një studim, duke aluduar se ata kanë kohë që të merren me aktivitete rekreative.

Një studim suedez ka treguar se gratë mendojnë se ndarja e punëve më të dukshme në shtëpi ishte e padrejtë dhe kjo gjë ka sjellë edhe probleme në martesë. Rreziku është që nënat lodhen aq shumë saqë, sipas sociologut Daniel Carlson, ndarja e pabarabartë e punëve mund të sjellë edhe mungesë të marrëdhënieve seksuale.

Për më tepër, nëse gratë janë të mbingarkuara në shtëpi nuk mund të punojnë orë shtesë, gjë kjo që kërkohet nga shumë vende pune. Kjo mund të shkaktojë që gratë të mos kenë rritje rroge apo ngritje në detyrë, pasi që të bëhen me fëmijë.

Fjalë shumë, punë pak

Që nga fillimi i pandemisë, lidhja mes barazisë gjinore në shtëpi dhe pjesëmarrjes së grave në punët e shtëpisë ka qenë më në qendër të vëmendjes se kurrë më parë.

Është e qartë se shumica e burrave duan që të përfshihen më shumë në jetët e fëmijëve të tyre, kështu që për ta ulur nivelin individual çiftet mund të flasin për ndarjen e detyrave dhe t’u përmbahen planeve.

Punët e padukshme duhet të bëhen më të dukshme në mënyrë që të jetë e qartë se kush çfarë përgjegjësie ka. Por, fatmirësisht, jo të gjitha çiftet kanë ndarje të pabarabartë të detyrave: çiftet e gjinisë së njëjtë kanë ndarje më të barabartë të detyrave, krahasuar me çiftet heteroseksuale, pasi që nuk u përmbahen roleve gjinore.

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me