Lart

Qytetarët Po Kërkojnë Trajtim Psikologjik Online.Depresioni në Rritje e Sipër

Pasojat e pandemisë janë shqetësuese për psikologen Afërdita Hoxhaj, duke shtuar se trauma dhe depresioni janë evidente te qytetarët.

Hoxhaj në një intervistë  theksoi që edhe numri i vrasjeve është rritur pas shfaqjes së pandemisë.

Nëse ndodh një mbyllje tjetër totale, ajo thotë që pasojat do jenë akoma më të mëdha dhe gjendja psikologjike e njerëzve do rëndohet shumë.

“Paniku te njerëzit ka nisur me u relaksuar pak, nuk është ajo para një viti, madje edhe unë vet si psikologe kam thënë në fillim të pandemisë po ndodhi por çfarë tutje. Mirëpo nëse ndodh edhe një mbyllje prapë atëherë do të rëndohet edhe më shumë gjendja psikologjike e secilit prej neve. Sepse akoma jemi në pandemi e nuk  e kemi kaluar dhe pasojat më të mëdha kanë me u pa pas kalimit të pandemisë, pasi akoma jemi brenda problemit”.

“Numri i vrasjeve është rritur me pandeminë, e vet efekti  dhe ngarkesa psikologjike që ju bëhet njerëzve e bën që ta humb edhe ekuilibrin e vet, si përfundim kisha thënë që është duke ndikuar kjo pandemi edhe tek vrasjet”, theksoi tutje Hoxhaj.

Mes tjerash Hoxha thotë që përballja me Covid-19 si diçka e re ka bërë që njerëzit të jenë në një gjendje jo të mirë psikologjike dhe shpirtërore.

“Pandemia ka ndikuar në masë të madhe tek e gjithë popullata, dhe  ka shkaktuar një frikë dhe pasiguri në masë të madhe duke pasur parasysh se si popull nuk jemi përballur më herët me pandeminë dhe nuk kemi pasur mekanizma ballafaques me situatën, mandej ka ndikuar mbyllja  e menjëhershme, ndërprerja  e kontakteve sociale, anulimi i planeve të përgatitura dhe të gjitha kanë rënduar gjendjen shpirtërore dhe emocionale gati në masë të madhe te secili”.

“Tjetra ka qenë edhe frika se çfarë do bëhet me neve, si po shkon situata pra ka qenë një pasiguri e madhe dhe sidomos tek ata persona që janë përballur me Covidin dhe ndikimi e pasojat që kanë lënë tek ta”, deklaroi ajo.

Ajo më tej ka bërë të ditur se ka pasur kërkesa të shumta për trajtim psikologjik online, sidomos nga moshat e reja.

“Unë kam punuar edhe me linjën online dhe kanë qenë kërkesat jashtëzakonisht të mëdha, efektet po shihen edhe sot sepse akoma mbaj linjën online efektet shihen shumë”.

“Kjo ka prekur edhe moshat e reja, jo vetëm moshat e pjekura tek të cilët ka bërë rënien e lumturisë te ta, por efektet më të mëdha gjatë përvojës time ka qenë depresioni dhe ankthi dhe paniku. Nuk duhet lejuar që frika të shkaktohet në panik dhe të ndikojë në gjendjen emocionale”, përfundoi Hoxhaj.

Shpërndaj
Avatar
Lajme - Probleme.me