Lart

Rritja e konsumit të alkoolit rrit edhe rrezikun për kancer, sipas një studimi

Personat që rrisin sasinë e pirjes së alkoolit rrisin edhe rrezikun për kancer, sipas një studimi në Korenë e Jugut, i publikuar të mërkurën në JAMA Network Open.

Studimi zbuloi se njerëzit që rritën sasinë që pinin kishin një rrezik më të lartë për të gjitha llojet e kancerit, përfshirë ata të lidhur me alkoolin, sesa grupi i njerëzve që nuk bëri ndryshime në zakonin e pijes.

Rreziku gjithashtu u rrit për ata që nuk pinin alkool, të cilët ndryshuan zakonet e tyre dhe u bënë konsumues të butë, të matur ose të rëndë, shkroi CNN-i.

“Ky është shembull tjetër i mirë që tregon se ndryshimi i sjelljes mundet të rrisë vdekjet nga kanceri”, tha William Dahut, shkencëtar nga Organizata amerikane për Kancerin.

Studimi përdori të dhënat e mbi 4.5 milionë pjesëmarrësve që ishin mbi 40 vjeç.

Tek ata që rritën sasinë e pirjes nga të qenit jokonsumues, studiuesit gjetën prova të shumta për shkaktimin e kancerit të stomakut, mëlçisë, fshikëzës dhe mushkërive, dhe leukemisë.

Organizata amerikane e quan konsumimin e alkoolit një nga faktorët kryesor të shkaktimit të kancerit, bashkë me duhanin dhe mbipeshën.

Organizata thotë se alkooli llogaritet shkaktar për 6% të rasteve të kancerit dhe 4% për vdekjet nga kanceri në SHBA.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, pirja e alkoolit mund ta rrisë rrezikun për shtatë lloje të kancerit në gojë dhe fyt, laring, ezofag, zorrë e trashë, mëlçi dhe gji.

Shpërndaj
Lajme - Probleme.me