Lart

Si do ta Sigurojë Kosova Vaksinën Anti-Covid?

Kosova pritet të sigurojë falas 360 mijë vaksina, kurse pjesën tjetër do ta blejë. Ndërkohë zyrtarë të OBSH-së në Kosovë parashohin që procesi i vaksinimit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.

Përderisa disa vende tashmë kanë filluar marrjen e vaksinës anti-Covid dhe disa të tjera paralajmërojnë së shpejti, Kosova po bën përpjekje për sigurimin e vaksinave. Por, si do ta sigurojë Kosova vaksinën? Shpresat janë tek Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do ta ketë si prioritet ndihmën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër COVID-19.

“Ne kujdesemi edhe për fqinjët tanë. Bashkimi Evropian do të koordinoj donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së. Mediet në Prishtinë duke ju referuar burimeve nga Komisioni Evropian, shkruajnë se vaksinat për vendet e Ballkanit do të sigurohen nga koalicioni ndërkombëtar COVAX ku BE -ja ka rolin kryesor. Në këtë koalicion ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës janë 184 shtete të botës.

Vaksinat anti-Covid kërkojnë kushte të veçanta të ruajtjes dhe transportit. Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, përfaqësia në Kosovë, Isme Humolli, thotë se procesi i vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës. “Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasinë e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, thotë Humolli.

 

Shpërndaj
Shëndeti - Probleme.me
Shëndeti - Probleme.me

Probleme.me fokusohet në shëndetin dhe mirëqenien personale tuajën. Artikuj të shumtë për shtatzëninë, fëmijët, gratë e meshkujt. Nëse keni ndonjë koment, sygjerim apo edhe informacion për ta ndarë me ne na kontaktoni [email protected]