Pse Produktet e Qumështit Janë të Mira për ju?
Vrulli i kohëve të fundit i dietave ekstreme të të famshmëve si dhe rritja e interesimit në alergjitë e ushqimit, janë duke nxitur gjithnjë e më shumë njerëz që të largojnë qumështin, djathin dhe jogurtin nga dietat e tyre.
Nutricionistët po paralajmërojnë kundër këtij trendi, duke pretenduar se heqja dorë nga produktet e qumështit pa ndonjë arsye të mirë, mund të shkaktoj probleme në shëndetin tuaj.
Përfitimet e produkteve të qumështit
Shëndeti i kockave
Osteoporoza – humbja e masës kockore – është një problem i madh i shëndetit publik në Britani. Kjo gjendje shkakton dobësimin e kockave dhe i bënë lehtë të thyeshme. Personat që vuajnë nga kjo sëmundje shpesh përjetojnë dhimbje të ashpëra, humbje të lëvizshmërisë dhe izolim social. Komplikimet shoqëruese madje mund të çojnë në vdekje të parakohshme. Kjo gjendje tani është aq e zakonshme në Britani, sa më shumë se një në tre gra dhe një në gjashtë burra ka gjasa të kenë një thyerje osteoporotike gjatë jetës së tyre.
Studime të shumta tregojnë se kalciumi nevojitet për të ndërtuara kocka të forta në fëmijëri dhe adoleshencë dhe ndihmon në mbajtjen e fortësisë së kockave tek të rriturit – dhe kështu parandalon osteoporozën. Megjithëse 50% e skeletit të të rriturve formohet gjatë viteve të adoleshencës, nuk janë vetëm fëmijët dhe adoleshentët ata që kanë nevojë për kalcium. Ne e humbim kalciumin nga trupi ynë çdo ditë, kështu që ai ka nevojë të zëvendësohet në baza ditore. Qumështi dhe produktet e tij janë burimet kryesore të kalciumit në dietën Britaneze.
Nëse i konsideroni kockat si një bankë, koha më e mirë për të mbushur bankën me kalcium është gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Pas kësaj periudhe, ju keni nevojë të vazhdoni të shtoni në këtë bankë, sepse ne humbim kalcium nga trupi ynë çdo ditë.
Nutricionistët rekomandojnë se për të marrë sasinë e duhur të kalciumit, të rriturit dhe fëmijët duhet të konsumojnë dy deri tre racione të produkteve të qumështit në ditë. Djemtë e moshës 11-18 vjeçare duhet të konsumojnë tre deri katër racione. Një racion është një gotë qumësht 200ml, një tas jogurt apo një copë djathë në madhësi të kutisë së shkrepëses.
Sëmundjet e zemrës, kanceri dhe sulmet në zemër
Një studim 25 vjeçar nga Universiteti i Bristolit i publikuar këtë vit, ka dëshmuar se qumështi mund të ndihmoj në mbrojtjen ndaj sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe sulmeve në zemër – tre vrasësit më të mëdhenj të Britanisë.
Anketa, që ka studiuar më shumë se 5,700 meshkuj skocez të moshës mes 35 dhe 64 vjeçare, zbuloi se ata që kanë pirë më shumë se një e treta e një gote 500ml qumësht në ditë, kishin 8% më pak gjasa të zhvillojnë sëmundje të zemrës se sa ata që kanë pirë më pak se kjo sasi. Në fakt të gjithë shkaktarët e vdekjes – përfshirë kancerin dhe sulmin në zemër – ishin 10% më të ulëta tek njerëzit që kanë pirë qumësht, në krahasim me ata që nuk kanë pirë.
Dhëmbët
Dentistët pretendojnë se uji, qumështi ose çaji apo kafja e pa ëmbëlsuar janë të vetmet pije që mund të konsumohen ndërmjet vakteve ushqimore pa shkaktuar dëmtime të mundëshme në dhëmbë. Sheqeri, të cilin e përmbajnë lëngjet e frutave dhe pijet e gazuara mund të shkaktojnë gërryerje të dhëmbëve – sidomos kur pihen në mes të vakteve ushqimore kur goja nuk prodhon pështymë, e cila ndihmon në ndalimin e efekteve të dëmshme të këtyre pijeve.
Edhe pijet artificialisht të ëmbëlsuara janë të dëmshme për dhëmbët, për shkak se acidi që ato përmbajnë i gërryen dhëmbët.
Hulumtimet kanë treguar se djathi mund të jetë veçanërishtë i mirë për dhëmbët nëse hahet pas një vakti ushqimor, pasi që kalciumi dhe proteina që ai përmban, ndihmon në neutralizimin e acideve në gojë.
Tensioni e gjakut
Të paktën një e treta e popullatës britaneze vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut – që mund të çojë deri tek sëmundjet e zemrës dhe sulmi në zemër. Por, hulumtimet tregojnë se një dietë e pasur me produkte të qumështit mund ta zvogëloj shumë rrezikun tonë.
Rezultatet nga një eksperiment i madh amerikan i quajtur “Qasja Dietare për të Ndalur Hipertensionin“ (Dietary Approaches to Stop Hypertension), që ka shikuar se si mund të ndikoj dieta në tensionin e gjakut, ka sugjeruar se konsumimi i një diete të pasur me produkte të qumështit me sasi të ultë të yndyrës, frutave dhe perimeve është jashtëzakonisht efektiv në zvogëlimin e tensionit të gjakut. Kjo dietë ishte në të vërtetë më efektive se sa disa medikamete të tensionit të gjakut.
Kanceri i zorrës së trashë
Dy eksperimente klinike afatgjatë kanë treguar prova bindëse se produktet e qumështit ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut nga kanceri i zorrës së trashë. Një studim ka treguar se njerëzit që kanë marrë shtesa të kalciumit kanë pasur më pak gjasa të zhvillojnë adenoma – pararendës të shumicës së kancereve të zorrës së trashë.
Një studim i dytë ka treguar se largimi i produkteve të qumështit nga dieta ka gjasa të rris rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë, pasi që kjo e rritë helmueshmërinë e jashtëqitjes.