Lart

Dhimbja e qafës dhe shkaqet

Qafa juaj është një strukturë ndërlidhëse komplekse që përbëhet nga kocka, nyje, nerva, muskuj, tendone dhe ligamente. Detyra kryesore e saj është që të mbajë peshën e kokës tuaj, që është rreth 5 kilogram, pra një detyrë padyshim e rëndësishme. Përveç kësaj është edhe kërkesa që koka duhet të lëvizë lart e poshtë dhe anash në të dy krahët (dhe kjo në të njëjtën kohë), plus fakti që qafa formon një tip kanali për kordën shpinore, mban enët e gjaku-t që lëvizin gjakun nga trupi në kokë dhe anasjellas dhe përmban enët e lëvizjes së ajrit dhe ushqimit, një pjesë shumë komplekse e organizmit. Pa dyshim, që kur kemi dhimbje në qafë nuk ndihemi mirë dhe kjo jo vetëm me raste, por për disa njerëz bëhet e shpeshtë.

Strukturat kryesore fizike të qafës janë shtatë vertebrat ndërlidhëse. Ato quhen verteblat cervikale, që njihen si vertebrat me numër nga C1 në C7. C1 – e njohur si atlasi, është më afër kokës, e ndjekur nga C2, që njihet si aksi (boshti). Çdo vertebër ështe e lidhur me njëra – tjetrën me nyje të përbashkëta dhe midis vertebrave ka disqe ndërvertebrale—në formë jastëku të butë kryesisht të tipit kërcor që veprojnë si absorbues të goditjeve.

Kur duhet të kërkoj trajtim mjekësor të menjëhershëm për dhimbjen e qafës?

Disa dhimbje qafe që vijnë pas një plagosjeje të qafës mund të jenë problem serioz dhe duhet që të takoni menjëherë mjekun. Gjithashtu, nëse keni probleme me dhimbjen e qafës dhe keni simptoma si humbje e kontrollit të fshikëzës së urinës, dhimbje therëse, mpirje, dhimbje ose dobësi të krahëve dhe këmbëve, kryesisht nëse këto simptoma bëhen më të shpeshta ose përkeqësohen, duhet të takoni menjëherë mjekun.Dhimbja e qafës dhe bllokimi i saj që shoqërohen me dhimbje koke dhe dobësi mund të jenë shenja meningjiti (një infeksion i membranave të qelizave që rrethojnë trurin dhe kordën shpinore). Meningjiti është një sëmundje serioze dhe duhet që të kërkoni në mënyrë të menjëhershme trajtim mjekësor për veten tuaj dhe fëmijën nëse keni këto simptoma.

Simptomat e dhimbjes së qafës

Simptomat e dhimbjes së qafës dhe ndjenja që keni mund të ndihmojë mjekun për të diagnostikuar shkakun. Më poshtë jepen disa nga simptomat:

Spazma e muskujve

Një spazmë është një kontraktim i shpejtë, i fuqishëm dhe i pavullnetshëm i muskujve. Muskujt ndiejnë dhimbje, bllokim dhe ngurtësim. Nëse keni spazma në muskuj, ndoshta nuk mund të jeni të aftë të lëvizni muskujt—disa njerëz e quajnë bllokim qafe. Mjeku ose fizioterapisi e quajnë tortikol akut.

Dhimbje muskujsh

Muskujt e qafës janë të pezmatuar dhe mund të kenë vende të forcuara që dhëmbin kur preken. Kjo mund të prekë vetëm njërën anë të qafës ose dhe deri mesin e saj.

Bllokim

Muskujt e qafës janë të tendosura dhe nëse e mban qafën më shumë në atë pozicion ato mund të tendosen edhe më shumë. Bllokimi i qafës mund të sjellë vështirësi dhe dhimbje nëse e lëviz qafën.

Dhimbje nervore

Dhimbja nga qafa mund të shkojë poshtë në krahë dhe ndonjëherë edhe në këmbë. Ju mund të ndjeni pickime dhe shpime në krahë, që mund të shoqërohen me mpirje, djegie ose dobësi. Kjo dhimbje mund të përkeqësohet tipikisht gjatë natës.

Dhimbje koke

Dhimbjet e kokës shpesh janë të lidhura me problemet e qafës. Ato janë zakonisht dhimbje që vijnë ngadalë dhe nuk janë shumë të forta. Ndërsa dhimbjet e kokës ndihen pas kokës, ato mund të shfaqen edhe në anë edhe në pjesën ballore të kokës.

Humbje e disa lëvizjeve

Nëse nuk mund të ktheni kokën anash deri në një farë mase në secilën shpatull, ose ndjeni kufizime në atë sa mund të ulni kokën në drejtim të gjoksit ose ta përkulni prapa, ju mund të keni reduktim të aftësisë së lëvizjes. Mjeku duhet të bëjë testim për këtë.

Marramendje

Kjo mund të shoqërojë në disa raste dhimbjen e qafës dhe mund të jetë shkak i dëmtimit të nyjeve të vertebrave cervikale.

Çfarë e shkakton dhimbjen e qafës?

Më poshtë jepen shkaqet kryesore të dhimbjes së qafës:

Dëmtim zverku

Kjo vjen zakonisht pas aksidenteve me makinë në të cilat makina e personit goditet nga pas, kur ajo është e ndaluar ose ecën me shpejtësi të ulët. Koka e personit në fillim shkon pas dhe pastaj kur trupi ndalon lëvizjen, koka ikën përpara. Ky tip plagosjeje mund të dëmtojë muskujt e qafës dhe të dëmtojë ose këpusë ligamentet e qafës.

Dhimbja nga dëmtimi i zverkut, që bëhet më e keqe në rast lëvizjeje, nuk fillon menjëherë—mund të kalojnë disa ditë që ajo të shfaqet. Dhimbja e qafës dhe bllokimi mund të shoqërohen nga spazmat e muskujve, marramendjet, dhimbjet e kokës, dhimbjet e nervave dhe dhimbjet e shpatullave.

Tendosja e muskujve

Lodhja e tepërt e muskujve të qafës (që mund të shkaktohet nga një pozicion jo i përshtatshëm gjatë veprimtarive të përditshme, kryesisht nga puna në kompjuter) mund të ndikojë në tendosjen e muskujve të qafës, duke shkaktuar dhimbje kronike të qafës dhe tendosje. Dhimbja vjen dhe përkeqësohet gjatë lëvizjeve dhe mund të shoqërohet me dhimbje koke, spazma muskulare dhe kufizim të lëvizjeve të qafës.

Sëmundja degjenerative e diskut

Me kalimin e moshës, qendra xhelatinoze e disqeve që absorbojnë goditjet fillon dhe thahet. Kjo bën që disku të fillojë dhe të zvogëlohet dhe distanca midis vertebrave të zvogëlohet.

Hernia diskale

Nëse pjesa anësore e njërit nga disqet cervikale dëmtohet, atëhere lëngu i butë xhelationoz del jashtë — kjo quhet hernia diskale. Hernia diskale mund të shtojë presionin në rrënjët e nervave atje ku lidhen me kordën shpinore, duke shkaktuar dhimbje në qafë dhe dhimbje e shqetësime dhe dobësi në krahë.

Spondiloza cervikale

Kjo gjendje degjenerative e shpinës vjen si rezultat i kalimit të moshës dhe lëvizjeve të disqeve cervikale dhe vertebrave. Kjo njihet edhe si articervikal dhe është më e përhapur tek njerëzit me moshë të madhe.

Zhvillimi i çaponjve të kockave shpesh shoqëron këtë degjenerim shpine. Çapojtë e kockave, që njihen edhe si osteofite, janë zgjatime të vogla të qelizave të kockave që formohen kur kërcijtë që rrethojnë kockat dëmtohen dhe kocka fillon të krijojë kockë tjetër ngjitur. Çaponjtë e kockave janë një mënyrë për të mbrojtur sipërfaqen e kockave. Fatkeqësisht, çaponjtë e kockave ndonjëherë mund të pickojnë dhe të therrin deri edhe rrënjët e nervave deri në kanalin shpinor.

Simptomat që shoqërojnë spondilozën shpinore përfshijnë dhimbje qafe dhe shqetësime që përmirësohen duke pushuar. Dhimbja mund të shkojë deri në krahë ose midis shpatullave. Nëse ka presion apo ngjeshje të nervave, mund të shfaqen mpirje dhe dobësim i krahëve.

Stenoza shpinore cervikale

Ndryshimet degjenerative në vertebra mund të çojnë në ngushtimin e kanalit shpinor—që njihet si stenoza shpinore cervikale. Meqenëse kanali ngushtohet, ai mund të ushtrojë presion  në kordën shpinore. Dhimbja e qafës që shoqëron këtë gjendje përkeqësohet me kryerjen e veprimtarive dhe mund të shkojë edhe në krahë dhe këmbë. Kjo mund të sjellë edhe dobësim të krahëve dhe këmbëve. Nganjëherë njerëzit me stenozë shpinore cervikale nuk kanë simptoma. Në disa raste, mund të shfaqen shenjat e Lhermite-it—një ndjenjë si goditje elektrike në trup kur qafa çohet përpara.

Si diagnostikohet dhimbja e qafës?

Mjeku mund të jetë në gjendje të përcaktojë shkakun e dhimbjes së qafës nga historia e ekzaminimit fizik, por mund të duhen edhe disa teste si rreze X, skaner CT dhe MRI, për të përcaktuar shkakun ekzakt të simptomave përkatëse. Këto skanime mund të tregojnë problemet me disqet, kordën shpinore ose presionin në rrënjët e nervave.

Ndonjëherë mjekët kërkojnë kryerjen e elektromiografisë (EMG) ose studim të thelluar të nervave—për të vlerësuar veprimtarinë elektrike të nervave dhe muskujve për të përcaktuar nëse ka nerva të dëmtuara që lidhen me problemet e qafës tuaj.

Edhe pas investigimeve mund të jetë e vështirë të identifikohet burimi i saktë i dhimbjeve të qafës. Në përgjithësi rrezet X nuk nxjerrin anormalitetet që shkaktojnë dhimbjen. Disa njerëz dalin me spondiloza të ndryshme pas rrezeve X, por nuk kanë dhimbje. Ajo që doktori duhet të jetë i aftë të tregojë është nëse dhimbja vjen si rezultat i presionit në rrënjët e nervave apo në kordën shpinore.

Shpërndaj
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com