Diabeti: Simptomat, Diagnostikimi dhe Parandalimi
Diabeti është një sëmundje që ndodh kur trupi juaj nuk e prodhon ose përdorë siç duhet hormonin insulinë. Kjo bën që të grumbullohet shumë glukozë në gjak. Ka dy lloje kryesore të diabetit.
Diabeti i tipit 1 ndodh kur trupi nuk prodhon fare insulinë. Nganjëherë quhet diabet i të miturve, sepse zakonisht zbulohet tek fëmijët dhe adoleshentët, por mund të shfaqet edhe tek të rriturit.
Diabeti i tipit 2 ndodh kur trupi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose nuk përdor insulinën siç duhet. Në të kaluarën, mjekët mendonin se vetëm të rriturit ishin në rrezik të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Megjithatë, një numër në rritje i fëmijëve po diagnostikohen me këtë sëmundje. Mjekët mendojnë se kjo rritje është kryesisht për shkak se shumë fëmijë janë mbipeshë dhe janë fizikisht më pak aktivë.
Para-diabeti ndodh kur nivelet e sheqerit në gjak janë më të larta sesa që duhet të jenë, por jo aq të larta sa të konsiderohet si diabet. Para-diabeti rritë shumë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Lajm i mirë është se, nëse keni para-diabet, ju mund t’a parandaloni ose të vononi fillimin e diabetit të tipit të plotë 2, duke bërë ndryshime në stillin e jetesës. Këtu përfshihet ngrënia e një dietë të shëndetshme, arritja dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme dhe aktiviteti fizik i rregullt.
Simptomat e diabetit
Simptomat ndryshojnë nga personi në person. Fazat e hershme të diabetit kanë shumë pak simptoma. Ju nuk mund ta dini që keni sëmundjen, por dëmtimi mund të jetë duke ndodhur me sytë, veshkat dhe sistemin tuaj kardiovaskular. Simptomat e zakonshme përfshijnë:
- Uri ekstreme.
- Etje ekstreme.
- Urinim i shpeshtë.
- Humbje e pashpjegueshme e peshës.
- Lodhje ose përgjumje.
- Vizion të turbullt.
- Të nxira dhe plagë që shërohen ngadalë.
- Lëkurë e thatë dhe kruajtëse.
- Gudulisje ose mpirje në duar ose këmbë.
- Infeksion i shpeshtë ose i përsëritur i lëkurës, mishrave të dhëmbëve, fshikëzës ose infeksione fungale vaginale.
Njerëzit që kanë diabet të tipit 2 gjithashtu mund të tregojnë shenja të rezistencës ndaj insulinës. Kjo përfshin:
- lëkurën e errët rreth qafës ose në sqetull
- presionin e lartë të gjakut
- problemet e kolesterolit
- infeksionet fungale, dhe
- ndërprerjen ose mungesën e menstruacioneve tek vajzat dhe gratë e reja.
Diabeti i pakontrolluar i tipit 2 gjithashtu mund të përfshijë:
- Përzierje ose të vjella më shumë se një herë.
- Frymëmarrje më e thellë dhe më e shpejtë.
- Erë acetoni që vjen nga fryma juaj.
- Dobësi, përgjumje, dridhje, konfuzion ose marramendje.
- Lëvizje muskulore e pakoordinuar.
- Nëse diabeti mbetet i patrajtuar, nivelet e sheqerit në gjak bëhen shumë të larta. Kur kjo ndodh, simptomat mund të përfshijnë gulçim, dhimbje në bark, vjellje, dehidrim, madje edhe koma dhe vdekje.
Çka e shkakton diabetin?
Tipi 1
Në diabetin e tipit 1, trupi juaj nuk prodhon insulinë. Kjo ndodh sepse sistemi imunitar sulmon dhe shkatërron qelizat në pankreas që e prodhojnë insulinën. Mjekët nuk janë të sigurt përse ndodh kjo.
Tipi 2
Kur hani, trupi juaj transformon në glukozë shumicën e ushqimit që tretet (një formë sheqeri). Hormoni i quajtur insulinë lejon që kjo glukozë të hyjë në të gjitha qelizat e trupit tuaj. Atje përdoret për energji. Insulina prodhohet nga pankreasi. Nëse dikush ka diabet të tipit 2, pankreasi nuk bën insulinë të mjaftueshme ose qelizat e trupit nuk mund të përdorin siç duhet insulinën (të quajtur rezistencë ndaj insulinës). Kjo shkakton glukozën që të akumulohet në gjak në vend që të lëvizë në qeliza. Shumë glukozë në gjak mund të çojë në probleme serioze shëndetësore që dëmtojnë enët e gjakut, nervat, zemrën, sytë dhe veshkat.
Disa faktorë të rrezikut për diabetin e tipit 2 përfshijnë:
- Pesha. Obeziteti është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për diabetin e tipit 2. Sa më shumë mbipeshë jeni, aq më rezistent është trupi ndaj insulinës. Për të kuptuar nëse jeni mbipeshë, bisedoni me mjekun tuaj. Një dietë e shëndetshme, me pak yndyrëra dhe stërvitje të rregullt mund t’iu ndihmojë të humbni peshë gradualisht dhe të mbani atë në nivel.
- Mosha. Rreziku për diabetin e tipit 2 rritet me moshën, sidomos pasi të jeni 45 vjeç. Megjithëse nuk mund ta ndryshoni moshën tuaj, mund të punoni në faktorë të tjerë të rrezikut për të zvogëluar rrezikun tuaj.
- Historia familjare. Ju nuk mund ta ndryshoni historinë tuaj të familjes, por është ende e rëndësishme për ju dhe mjekun tuaj të dini nëse diabeti bartet në familjen tuaj. Rreziku për diabetin është më i lartë nëse nëna, babai ose vëllau/motra juaj ka diabet. Tregoni mjekut tuaj nëse dikush në familjen tuaj ka diabet.
- Shtatzënia. Diabeti gestacional është një lloj diabeti që ndodh vetëm gjatë shtatzënisë. Megjithëse diabeti gestacional largohet pas përfundimit të shtatzënisë, rreth gjysma e grave që kanë diabet gestational diagnostikohen me diabet tip 2 brenda 15 viteve. Edhe nëse nuk kanë diabet gestacional, gratë që lindin foshnje që peshojnë 4 kilogram ose më shumë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë diabetin e tipit 2 më vonë në jetë.
- Sindromi ovarian policistik (PCOS). Kjo është një gjendje që ndodh kur një çekuilibër i nivelit të hormoneve në trupin e një gruaje shkakton formimin e cistave në vezorë. Gratë që kanë PCOS janë në rrezik në rritje për zhvillim të diabetit të tipit 2.
- Pirja e duhanit dhe alkoolit. Përdorimi i alkoolit dhe duhanit mund të rrisë rrezikun e diabetit të tipit 2. Ndaloni pirjen e duhanit sa më shpejt të jetë e mundur. Ndoshta është në rregull të pini alkool me njërin vakt të ushqimit, por duhet të keni vetëm 1 porcion çdo ditë. Më pak është edhe më mirë. Një shërbim është 120 mililitra verë, 350 mililitra birrë, ose 45 mililitra pije të forta.
- Raca/përkatësia etnike. Disa grupe etnike kanë një rrezik më të lartë të diabetit se të tjerët.
Rreziku i zhvillimit të diabetit të tipit 2 rritet me numrin e faktorëve të rrezikut që keni. Nëse keni 2 ose më shumë faktorë rreziku, bisedoni me mjekun tuaj se si të vononi ose parandaloni diabetin e tipit 2.

Woman poking man in stomach, mid section
Si diagnostikohet diabeti?
Pasi të keni shqyrtuar simptomat dhe keni kaluar mbi historinë tuaj shëndetësore, mjeku juaj mund të testojë për diabetin nëse dyshon se jeni në rrezik. Për të kontrolluar diabetin, mjeku juaj mund të kërkojë testet e mëposhtme:
- Testi i sheqerit në gjak pas agjërimit. Ky test zakonisht bëhet në mëngjes, pas 8-orësh agjërim (pa ngrënë ose pirë ndonjë gjë, përveç ujit 8 orë përpara testit). Testi i gjakut përfshin futjen e një gjilpërë të vogël në një venë në krahun tuaj për të tërhequr gjak. Ky gjak do të dërgohet në një laborator për testim. Nëse niveli i sheqerit në gjak është 126 miligram për decilitër (mg / dL) ose më i lartë, mjeku juaj ndoshta do të dëshirojë ta përsërisë testin. Niveli i sheqerit në gjak prej 126 miligram për decilitër (mg / dL) ose më i lartë në dy raste tregon diabetin.
- Testi oral i tolerancës të glukozës. Gjatë këtij testi, ju do të pini një pije që përmban 75 gram glukozë të tretur në ujë. Kjo shijon si uji i ëmbël. Dy orë më vonë, një mjek apo infermiere do të masë sasinë e glukozës në gjakun tuaj. Niveli i sheqerit në gjak prej 200 mg / dL ose më lartë tregon diabetin.
- Test i rastësishëm i sheqerit në gjak. Ky test matë nivelin e glukozës në gjakun tuaj në çdo kohë të ditës. Nuk ka rëndësi kur keni ngrënë për herë të fundit. Kombinuar me simptomat e diabetit, niveli i glukozës në gjak prej 200 mg / dl ose më i lartë tregon diabetin.
- Testi A1C i gjakut. Ky test jep informacion rreth niveleve mesatare të glukozës në gjak gjatë 3 muajve të mëparshëm. Rezultatet raportohen si përqindje. Niveli normal A1C është nën 5.7 për qind. Nëse A1C juaj është më i lartë se kjo, kjo do të thotë se sheqeri i gjakut ka qenë më i lartë se normal. Një rezultat i testit prej 6.5 për qind ose më lart tregon diabetin. Një rezultat midis 5.7 dhe 6.4 tregon pri-diabetin.
Rekomandohet ekzaminimi i të rriturve për diabetin e tipit 2 si pjesë e një vlerësimi të rrezikut të zemrës për njerëzit në moshë midis 40 dhe 70 vjeç që janë mbipeshë ose obez. Mjekët inkurajohen të ofrojnë ose t’i referojnë pacientët nivele të parregullta glukoze në gjak, që të këshillojnë për të promovuar një dietë të shëndetshme dhe aktivitet fizik.
A mund të parandalohet apo shmanget diabeti?
Bisedoni me mjekun tuaj për faktorët tuaj të rrezikut për diabetin. Edhe pse mund të mos jeni në gjendje t’i ndryshoni të gjitha, ju mund të bëni ndryshime në mënyrë të konsiderueshme për të ulur rrezikun tuaj.
- Ushtrimet dhe kontrolli i peshës. Ushtrimi dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit. Çdo sasi e aktivitetit është më e mirë se asnjë. Mundohuni të ushtroni për 30 deri në 60 minuta shumicën e ditëve të javës. Gjithmonë bisedoni me mjekun tuaj para se të filloni një program ushtrimesh.
- Dieta. Një dietë e pasur me yndyrë, kalori dhe kolesterol rrit rrezikun e diabetit. Një dietë e dobët mund të çojë në obezitet (një faktor tjetër rreziku për diabetin) dhe probleme të tjera shëndetësore. Një dietë e shëndetshme është e pasur me fibra dhe me yndyrë të ulët, kolesterol, kripë dhe sheqer. Gjithashtu, mos harroni të shihni madhësinë e porcionit tuaj. Sa ju hani është po aq e rëndësishme sa ajo çka hani.
Trajtimi i diabetit
Ndonëse diabeti nuk mund të shërohet, ju mund të jetoni ende një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni është kontrollimi i nivelit të sheqerit në gjak. Ju mund ta bëni këtë duke ngrënë shëndetshëm, duke ushtruar, duke mbajtur një peshë të shëndetshme dhe nëse është e nevojshme, duke marrë ilaçe me gojë ose insulinë.
- Dieta. Dieta juaj duhet të përfshijë shumë karbohidrate komplekse (të tilla si drithërat), fruta dhe perime. Është e rëndësishme ngrënia e të paktën 3 vakteve në ditë dhe mos humbja e asnjë vakti. Hani në të njëjtën kohë çdo ditë. Kjo ndihmon në mbajtjen e insulinës ose medikamentit dhe sheqerit në nivel të qëndrueshëm. Shmangni kaloritë e zbrazëta, siç janë ushqimet me sheqer dhe yndyrë ose alkool.
- Ushtrimet. Ushtrimi ndihmon trupin tuaj të përdorë insulinën dhe ul nivelin e sheqerit në gjak. Gjithashtu ndihmon në kontrollin e peshës tuaj, ju jep më shumë energji dhe është mirë për shëndetin tuaj të përgjithshëm. Ushtrimi gjithashtu është i mirë për zemrën tuaj, nivelin e kolesterolit, presionin e gjakut dhe peshën tuaj. Këta janë të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në rrezikun ndaj sulmit në zemër dhe goditjes në tru. Bisedoni me mjekun tuaj rreth fillimit të një programi ushtrimesh.
- Ruajtja e një peshe të shëndetshme. Humbja e peshës së tepërt dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme të trupit do t’iu ndihmojnë në 2 mënyra. Së pari, ndihmon insulinën të punojë më mirë në trup. Së dyti, do të ulë presionin e gjakut dhe do të zvogëlojë rrezikun për sëmundje të zemrës.
- Marrja e ilaçeve. Nëse diabeti juaj nuk mund të kontrollohet me dietë, ushtrim dhe kontroll të peshës, mjeku juaj mund të rekomandojë medikamente ose insulinë. Shumica e njerëzve që kanë diabet të tipit 2 fillojnë me një ilaç oral (të marrë nga goja). Barnat orale mund ta bëjnë trupin tuaj të prodhojë më shumë insulinë. Ato gjithashtu ndihmojnë trupin tuaj të përdorë insulinën e prodhuar në mënyrë më efikase. Disa njerëz duhet të shtojnë insulinën në trupat e tyre me injeksione të insulinës, penelat e insulinës ose pompat e insulinës. Gjithmonë merrni ilaçet pikërisht siç i përshkruan doktori juaj. Medikamentet orale nuk funksionojnë për të gjithë. Nuk është efektive në trajtimin e diabetit të tipit 1. Terapia e insulinës është e nevojshme për të gjithë njerëzit që kanë diabet të tipit 1 dhe për disa njerëz që kanë diabet të tipit 2. Nëse keni nevojë për insulinë, do t’iu duhet t’i jepni vetes një kapsulë (ose me një shiringë ose stilolaps të insulinës). Mjeku juaj do t’iu tregojë se çfarë lloj ilaçesh duhet të merrni dhe pse.
Mjeku juaj do të testojë sheqerin tuaj të gjakut çdo 3 muaj me një test A1C. Gjithashtu, mund ta testoni sheqerin tuaj në gjak gjatë gjithë ditës. Ju do të duhet të përdorni një monitor të glukozës në gjak për ta kontrolluar atë vetë. Kjo përfshinë shpuarjen e gishtit tuaj për gjak dhe vënien e gjakut në një shirit testi për të marrë rezultatet. Nëse sheqeri i gjakut bie në nivel shumë të ulët, mund të ndiheni të lodhur, të përjetoni probleme me koordinimin e muskujve, djersën, vështirësi në të menduarit ose të folurit në mënyrë të qartë, dridhje, ndjenë sikur do të humbasësh ndjenjat, zbehje, humbje vetëdije ose krizë. Në shenjën më të hershme të ndonjë prej këtyre simptomave, hani ose pini diçka që do ta ngrejë shpejt sheqerin tuaj në gjak. Kjo mund të përfshijë karamele, lëngje, qumësht ose rrush të thatë. Nëse nuk ndjeheni më mirë gjatë 15 minutash ose nëse monitorimi tregon se niveli i sheqerit në gjak është ende shumë i ulët, hani ose pini një produkt tjetër për të rritur shpejt sheqerin tuaj në gjak. Gjithmonë mbani furnizim të këtyre artikujve në dorë për emergjenca.
Ju nuk mund të dini nëse sheqeri i gjakut është tepër i lartë nëse nuk e testoni vetë. Megjithatë, mund të përjetoni simptoma të zakonshme të tilla si urinimi i shpeshtë, etja ekstreme, pamja e paqartë dhe ndjenja e lodhjes. Disa faktorë që nuk lidhen me ushqimin mund ta rrisin nivelin e sheqerit në gjak. Kjo nuk përfshin marrjen e insulinës saktë, ngopje gjatë një vakti, sëmundje, ndryshime hormonale dhe stres.
Nëse niveli i sheqerit në gjak është shumë i lartë dhe ju merrni insulinën, mund të keni nevojë të merrni një dozë shtesë të insulinës me veprim të shpejtë ose të shkurtër për ta kthyer atë në normale. Mjeku juaj mund t’iu tregojë sa insulinë ju duhet të merrni për të ulur nivelin e sheqerit në gjak.
Të jetosh me diabet
Ju mund të jetoni një jetë normale me diabet të kontrolluar mirë. Megjithatë, duhet t’i kushtoni vëmendje dietës suaj, peshës, stërvitjeve dhe ilaçeve. Nëse nuk kontrolloni diabetin tuaj, do të keni shumë glukozë në gjak. Kjo mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës dhe dëmtimin e nervave dhe veshkave.
Këto janë të njohura si ndërlikime diabetike. Komplikimet përfshijnë:
- Neuropatia diabetike (dëmtimi nervor). Kjo e bën të vështirë për nervat tuaja të dërgojnë mesazhe në tru dhe në pjesë të tjera të trupit. Ju mund të humbni ndjenjat në pjesë të trupit tuaj ose të keni një ndjenjë dhimbjeje, ndjesi shpimi ose djegieje. Neuropatia më së shpeshti prek këmbët dhe shputat. Nëse keni neuropati, mund të mos jeni në gjendje të ndjeni një lëndim në këmbë. Lëndimi mund të infektohet. Në raste serioze, këmbët mund të kenë nevojë të amputohen (të hiqen). Njerëzit që kanë neuropati mund të vazhdojnë të ecin në këmbë që ka të dëmtuar nyjet dhe eshtrat. Kjo mund të çojë në një gjendje të quajtur këmba Charcot. Këmba Charcot shkakton ënjtje dhe paqëndrueshmëri në këmbën e lënduar. Gjithashtu mund të bëj që këmbët të deformohen. Megjithatë, ky problem shpesh mund të shmanget. Kontrolloni këmbët çdo ditë. Shihni menjëherë mjekun tuaj nëse shihni ënjtje, skuqje dhe ndjeni ngrohtësi në këmbë. Këto mund të jenë shenja të këmbës Charcot. Mjeku juaj duhet të kontrollojë shpesh këmbët tuaja. Neuropatia gjithashtu mund të shkaktojë mosfunksionim erektues në meshkuj dhe thatësi vaginale tek gratë.
- Retinopatia diabetike (probleme të syrit). Kjo ndikon në pjesën e syrit tuaj të quajtur retinë. Është pjesë e syrit që është e ndjeshme ndaj dritës dhe dërgon mesazhe në trurin tuaj për atë që shihni. Diabeti mund të dëmtojë dhe dobësojë enët e vogla të gjakut në retinë. Kur enët e gjakut të retinës janë të dëmtuara, lëngu mund të rrjedhë prej tyre dhe të shkaktojë ënjtje në maculën tuaj. Macula është pjesë e retinës që ju jep vizion të mprehtë dhe të qartë. Ënjtja dhe lëngjet mund të shkaktojnë shikim të paqartë. Kjo e bën të vështirë për ju të shihni. Nëse retinopatia bëhet më keq, kjo mund të çojë në verbëri. Kirurgjia me lazer shpesh mund të përdoret për të trajtuar ose ngadalësuar retinopatinë nëse gjendet herët. Njerëzit që kanë diabet duhet të bëjnë kontrollë të syve një herë në vit. Shihni mjekun tuaj nëse keni shikim të paqartë për më shumë se 2 ditë, humbje të papritur të shikimit në njërin apo të dy sytë, njolla të zeza ose të hirta të shpeshta të quajtura “grimca që notojnë”, drita ndezëse, dhimbje ose presion në sytë tuaj.
- Nefropatia diabetike (dëmtimi i veshkave). Kjo është dëmtim i enëve të gjakut në veshkë. Kjo do të thotë që veshkët tuaja kanë probleme në filtrimin e mbeturinave. Disa njerëz që kanë nefropati do të kenë nevojë për dializë (një trajtim që eliminon mbeturinat nga gjaku) ose transplantim të veshkave. Rreziku për nefropati rritet nëse keni diabet dhe tension të lartë, prandaj është e rëndësishme të kontrolloni të dyja këto kushte. Proteinat në urinë janë zakonisht shenja e parë e nefropatisë. Kjo duhet të kontrollohet çdo vit.
- Sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Njerëzit që kanë diabet janë në rrezik më të madh për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru. Rreziku është edhe më i madh për njerëzit që kanë diabet dhe pijnë duhan, kanë presion të lartë të gjakut, kanë histori familjare të sëmundjeve të zemrës ose janë mbipeshë. Sëmundja e zemrës është më e lehtë për t’u trajtuar kur kapet në fillim. Është shumë me rëndësi të shikoni mjekun tuaj në baza të rregullta. Ai ose ajo mund të testojë për shenjat e hershme të sëmundjeve të zemrës. Kjo përfshin kontrollin e niveleve të kolesterolit. Nëse kolesteroli juaj është më i lartë se niveli i rekomanduar, mjeku juaj do t’iu flasë për ndryshimet në stilin e jetës dhe ilaçet për të ndihmuar në kontrollin e kolesterolit.
Sa më gjatë që diabeti juaj të jetë i pakontrolluar, aq më shumë dëmtim i bëni shëndetit tuaj. Kjo është arsyeja pse trajtimi është i rëndësishëm në çdo moshë. Mbajtja e nivelit të sheqerit në gjak shumë afër idealit mund të minimizojë, vonojë dhe në disa raste edhe të parandalojë problemet që diabeti mund të shkaktojë.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- A mund të përkeqësohet diabeti edhe nëse bëni gjithçka mirë?
- Si mund ta tregoj dallimin midis këmbës Charcot dhe një gunge në këmbën time?
- A mund ta parandaloj diabetin e gestacionit?
- A do të zhvillojnë diabet foshnja e një nëne me diabet gestacional?