Lart

Dhimbja Kronike: Simptomat, Diagnostifikimi dhe Parandalimi

Ka dy lloje të dhimbjeve: dhimbja e mprehtë (therëse) dhe dhimbja kronike (të vazhdueshme). Dhimbjet therëse nënkuptojnë që trupi është lënduar. Zakonisht këto dhimbje nuk zgjasin shumë, ato zbehen me vetëshërimin e trupit. Dhimbjet kronike mund të zgjasin shumë më gjatë, nga disa muaj deri në disa vite. Dhimbjet kronike mund të ndërhyjnë edhe në aktivitetet tuaja ditore dhe për shkak se këto zgjasin kaq gjatë, personat të cilët vuajnë nga këto dhimbje zakonisht nuk kanë aspak vetëbesim, inatosen lehtë dhe japin shenja depresioni.

 

Simptomat e dhimbjeve kronike

Dhimbjet kronike mund të ndodhin në çdo pjesë të trupit. Personat me dhimbje kronike mund të ankohen nga:

  • Dhimbjet e kokës
  • Dhimbjet e shpinës
  • Dhimbjet nga sëmundja e kancerit
  • Dhimbjet nga artriti
  • Dhimbjet si pasojë e dëmtimit të nervave

Këto dhimbje janë përshkruar si:

  • Dhimbje të rëndomta
  • Mpirëse
  • Ngurtësuese
  • Thumbuese
  • Shtrënguese
  • Dridhëse
  • Përvëluese
  • Të mprehta

Disa nga personat që vuajnë nga dhimbjet kronike kanë edhe simptoma të tjera si plogështia, probleme me fjetjen, ose ndryshime të disponimit. Megjithatë, nganjëherë edhe vetë dhimbja mund të shpie deri te mungesa e vetëbesimit, depresioni, ankthi ose dhe irritimi.

Dhimbja Kronike

Çfarë e shkakton dhimbjen kronike?

Në shumicën e rasteve shkaku i dhimbjeve kronike mund të jetë ndonjë plagë, infeksion ose sëmundje. Mirëpo në disa raste nuk dihet shkaktari i këtyre dhimbjeve.

Faktorët të cilët mund të shkaktojnë dhimbje kronike janë:

  • Infeksionet
  • Dhimbjet e kokës ose migrena
  • Problemet e shpinës  
  • Artriti
  • Fibromialgia
  • Dëmtimi i nervave
  • Operacionet e mëparshme kirurgjike

Dhimbje akoma më të mëdha mund të paraqiten si pasojë e depresionit dhe stresit.

 

Si diagnostifikohet dhimbja kronike?

Mjeku juaj do iu pyes rreth historisë tuaj shëndetsore. Konsultimi me mjekun do të ndihmoj në përzgjedhjen më të mirë të tretmanit që duhet ta ndiqni. Tregoni se ku ju dhemb, sa, dhe kur ndodhin dhimbjet. Tregoni se çka e keqëson dhimbjen dhe çka e ndihmon atë. Mjeku juaj do gjej shkakun e dhimbjes me anën e ekzaminimit fizik dhe analizave laboratorike.

Ai gjithashtu do rishqyrtoj problemet tjera që ju mund ti keni si problemet me frymëmarrjen ose sëmundjet e zemrës. Për shkak se kjo mund të ju paraqet problem në ndjekjen e disa lloje të terapive. Mjeku juaj gjithashtu mund të pyes nëse ju keni probleme me gjumë, disponim ose ankth.

 

A mund të parandalohen dhimbjet kronike ?

Në shumicën e rasteve dhimbjet kronike nuk mund të parandalohen. Disa nga shkaqet e tyre si, kanceri mund të parandalohen në disa mënyra. Mirëpo zakonisht nuk ka asgjë që mund të bëni për të kontrolluar dhimbjet kronike.

 

Trajtimi i dhimbjeve kronike

Qëllimi i trajtimit të dhimbjeve kronike është që të reduktohet dhimbja dhe të përmirësohet aftësia e individit për punë. Këto tretmane nuk do largojnë plotësisht dhimbjen mirëpo do pakësojnë atë. Disa nga tretmanet më të zakonshme përfshijnë:

Ilaçet

Ilaçet që përdoren për mjekimin e dhimbjeve kronike përfshijnë: lehtësuesit e dhimbjeve, antidepresantët dhe antiepileptikët. Nëse mjeku juaj rekomandon pilula të cilat secili prej nesh i mban në shtëpi atëhere ndiqni udhëzimet në paketë. Medikamentet të cilat reagojnë shpejtë e trajtojnë dhimbjen që shkon dhe vjen. Mirëpo rreth dhimbjeve konstante janë më të këshillueshme medikamentet që reagojnë më ngadalë.

Mjeku juaj mund të ju udhëzoj të merrni një ilaç të caktuar kundër dhimbjeve. Sigurohuni të ndiqni udhëzimet e tij në konsumimin e medikamentit. Shumë nga ilaçet kundër dhimbjeve janë opiatë. Opiatët janë shumë efektivë kur mirren sipas udhëzimit të mjekut. Mirëpo shumica e personave që i keqpërdorin opiatët përfundojnë të varur nga ata. Varësia nga opiatët është problem serioz shëndetsorë që mund të shpie deri te vdekja.

Terapia

Kemi disa lloje të terapive që mund të ndihmojnë me lehtësimin e dhimbjeve kronike :

  • Terapinë fizike – përfshin zgjatjen dhe sforcimin e muskujve
  • Ushtrimet e lehta – që përfshijnë ecjen, notin ose ciklizmin
  • Terapinë profesionale – e cila ndihmon në mbajtjen e ritmit dhe kryerjen e detyrave të zakonshme.
  • Terapinë për sjellje – është metodë e cila ndihmon në zvogëlimin e stresit dhe relaksin. Kjo përfshin meditimin, tai chi-n ose jogën.

Gjithçka që ju mund të bëni për tu relaksuar dhe qetësuar ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve. Edhe nëse ju merrni medikamente për dhimbje, ju prap duhet të inkuadroni aktivitetet fizike në rutinën tuaj. Relaksi mund të bëjë ndryshime konkrete në kimikalet e trupit që përcjellin dhimbjet. Mirëpo ju duhet të praktikoni metodat e largimit të stresit me javë deri sa të arrini të vëreni rezultate në pakësimin e dhimbjeve. Mjeku juaj mund të iu jap këshilla rreth metodave të reduktimit të stresit dhe relaksit.

Mjekësia alternative dhe plotësuese (MAP)

Disa nga personat që vuajnë nga dhimbjet kronike kanë filluar të përdorin mjekësinë alternative dhe plotësuese (MAP). Kjo mjekësi përfshin tretmane që nuk bëjnë pjesë në mjekësinë e zakonshme. Akupunktura dhe masazhet janë shembuj të këtij llojë tretmani. Konsultimi me mjekun para se të provoni ndonjë procedurë të MAP është i këshillueshëm.

Raste të rënda të dhimbjeve kronike kërkojnë tretmane më të vëmendshme. Kjo përfshin stimulime elektrike, bllokime të nervave ose operacione kirurgjike. Dhimbjet kronike nuk mund të shërohen. Mirëpo me konsultimin e mjekut mund të arrihet pakësimi i tyre.

 

Të jetosh me dhimbje kronike

Ndryshimet në mënyrën e jetesës luajnë rol të rëndësishëm në lehtësimin e dhimbjeve kronike. Një orar i rregullt i gjumit i cili nuk inkuadron fjetjen gjatë ditës është i domosdoshëm. Mospirja e duhanit gjithashtu ndimon shumë, për shkak se nikotina në duhan ka mundësi ti bëjë ilaçet më pak efektive. Duahnpirësitë po ashtu kanë më shumë dhimbje se ata që nuk konsumojnë duhan.

Jeta me dhimbje kronike mund të jetë vërtetë e vështirë, është shumë e rëndësishmë të kujdeseni për veten, të flini rahat, të hani ushqime të shëndetshme dhe të provoni të ushtroni rregullisht. Bëni më të mirën në menaxhimin e stresit dhe depresionit, pasi që këto përkeqësojnë dhimbjet edhe më shumë. Mësoni se çka po ju shkakton dhimbje. Kuptoni limitet tuaja dhe punoni brenda tyre në mënyrë që të mos keni më shumë dhimbje. Rrini të gatshëm të provoni metoda të reja në menaxhimin e dhimbejve tuaja.

 

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • Cfarë po më shkakton dhimbje?
  • Pse nuk po më kalon dhimbja?
  • Cili është tretmani i duhur për mua? A më duhen medikamente?
  • A do munden terapitë fizike, profesionale dhe të sjelljes të më ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve?
  • Po terapitë alternative si joga, masazhet dhe akupunktura?
  • A është e sigurt për mua të bëjë aktivitete fizike? Cfarë ushtrimesh duhet të bëjë?
  • A më duhet të bëjë ndryshime në mënyrën time të jetesës?
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com