Lart

Hipotiroidizmi: Simptomat, Diagnostikimi dhe Trajtimi

Hipotiroidizmi (ulja e funksionit të gjendrës tiroide) ndodh atëherë kur gjendra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone. Hipotiroidizmi prek më tepër gratë krahasuar me meshkujt dhe me rritjen e moshës rritet edhe numri i rasteve me hipotiroidizëm, por kjo patologji mund të haset në çdo moshë. Në fazat e hershme kjo patologji nuk shoqërohet me simptoma të dukshme, por në rast se nuk trajtohet me kalimin e kohës hipotiroidizmi mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore të tilla si obezitet, dhimbje kyçesh, infertilitet dhe sëmundje zemre etj.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat shoqëruese të hipotiroidizmit variojnë në varësi të nivelit të mungesës së hormonove. Ndër simptomat e para që vihen re janë ndjesia e lodhjes dhe shtimi në peshë, e jo pak herë ndodh që pacientët të mendojnë që janë simptoma të moshës. Duke qenë se hormonet e tiroides marrin pjesë në metabolizëm, hipotirodizmi çon në ngadalësimin e metabolizmit dhe si rrjedhojë në shfaqjen e shenjave dhe simptomave më të dukshme ndër të cilat mund të përmendim:

  • Lodhje
  • Ndjesi të ftohti (kanë shumë ftohtë)
  • Kapsllëk
  • Lëkurë e thatë
  • Shtim në peshë
  • Fryrje në fytyrë
  • Ngjirje e zërit
  • Dobësi muskulare
  • Nivel i lartë i kolesterolit në gjak
  • Flokë të hollë
  • Rrahje të ulëta të zemrës
  • Depresion

Në rast mostrajtimi dhe mosdiagnostikimi në kohë të kësaj patologjie shenjat dhe simptomat shoqëruese vijnë duke u përkeqësuar gradualisht.

Përse shkaktohet Hipotiroidizmi?

Në rastet kur tiroidja nuk prodhon mjaftueshëm hormone ndodh një ç’ekuilibrim i reaksioneve kimike në trupin tuaj dhe kjo mund të jetë si rrjedhojë e një sërë shkaqesh përfshirë këtu sëmundjet autoimune, trajtim për hipertiroidizëm, trajtim me rrezatim, kirurgji tiroide apo trajtime me medikamente të caktuara që dëmtojnë funksionin e gjendrës tiroide.

Tiroidja është një gjendër në formë fluture e vendosur në pjesën e përparme të qafës, poshtë mollës së Adamit. Hormonet e prodhuara nga gjendra tiroide – triiodothyronine (T3) dhe thyroxine (T4) – kanë një ndikim të madh në shëndetin tuaj, duke prekur të gjitha aspektet e metabolizmit të organizmit.

Ndër shkaktarët që çojnë në Hipotiroidizëm mund të përmendim:

  • Sëmundjet Autoimmune. Personat që zhvillojnë një çrregullim të veçantë inflamator të njohur si tiroiditi i Hashimotos, janë edhe ata që preken më së shumti nga Hipotiroidizmi.
  • Trajtimet që merren për Hipertiroidizëm. Shtimi i prodhimit të hormoneve të tiroides njihet si Hipertiroidizëm. Personat që kanë Hipertiroidizëm shpesh trajtohen me jod radioaktiv ose medikamente të cilat synojnë të reduktojnë ose normalizojnë funksionin e tiroides. Ndodh që trajtimet që përdoren për normalizimin e Hipertiroidizmit të jenë shkaktarët që çojnë në Hipotiroidizëm, madje në disa raste, trajtimi për hipertiroidizëm mund të rezultojë në Hipotiroidizëm të përhershëm.
  • Kirurgjia e Tiroides. Heqja në rrugë kirurgjikale e një pjese apo e të gjithë gjendrës së tiroides mund të ndikojë në uljen apo frenimin e prodhimit të hormoneve. Në të tilla raste rekomandohet marrja pandërprerje e hormonit të tiroides, gjithmonë bazuar në rekomandimet e mjekut specialist.
  • Trajtimi me rrezatim.Rrezatimet që përdoren për të trajtuar lloje të ndyshme të kancerave të kokë-qafës mund të ndikojë në funksionin e gjendrës tiroide dhe të çojë në hipotiroidizëm.
  • Terapia medikamentoze. Ekziston një numër mjekimesh të cilët ndikojnë në shfaqjen e Hipotiroidizmit. Një ndër këto medikamente është edhe litiumi, i cili përdoret nga mjekët psikiatër për të trajtuar patologji të caktuara të shëndetit mendor. Në të gjitha rastet rekomandohet që të kryhen rregullisht analizat e funksionit të gjendrës tiroide.

Faktorët e rrezikut

Megjithëse gjithësecili prej nesh është i rrezikuar mund për t’u prekur nga hipotiroidizmi, ekziston një kategori e caktuar personash që konsiderohen me rrezik më të lartë për t’u prekur si:

  • Jeni grua dhe më e madhe se 60 vjeç
  • Vuani nga sëmundje autoimune
  • Keni histori familjare me sëmundje të tiroides
  • Keni sëmundje autoimmune të tjera si Artrit Rheumatoid ose lupus, gjendje inflamatore kronike
  • Jeni trajtuar me Jod radioaktiv ose medikamente anti-tiroide
  • Keni marrë rrezatim në qafë ose pjesën e sipërme të gjoksit
  • Keni kryer kirurgji të tiroides(tiroidektomi të pjesshme ose të plotë)
  • Keni qenë shtatzënë ose keni lindur fëmijë brenda 6 muajve të fundit

Diagnostikimi

Meqënëse prevalenca e Hipotiroidizmit rritet me moshën, ka shumë mjekë specialistë kudo në botë që rekomandojnë kontrollin e funksionit të gjendrës tiroide te gratë mbi moshën 50-60 vjeç, të paktën një herë në vit. Gjithashtu, rekomandohet të kryhet kontrolli për gjendrën tiroide te të gjitha gratë që planifikojnë shtatzëni apo ato që janë shtatzëna.

Gjithsesi, gjithmonë, në çdo moshë, nëse ka shenja që sugjerojnë probleme të tiroides duhet të kryhet ekzaminimi për tiroiden.

Trajtimi

Trajtimi i Hipotiroidizimit bëhet me tableta që merren një herë në ditë në mëngjes rreth 30 minuta deri një orë përpara konsumit të vaktit. Sasia e mjekimit është individuale dhe përcaktohet nga mjeku specialist endokrinolog gjatë kontrolleve periodike që pacientët kryejnë.

Në Spitalin Hygeia Tiranë, mjekët endokrinologë ofrojnë konsulta të specializuara duke mbuluar të gjithë gamën e  patologjive endokrine, diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.

Shpërndaj
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com