Lart

Kanceri i Gjirit: Simptomat, Diagnostikimi dhe Parandalimi

Kanceri i Gjirit: Simptomat, Diagnostikimi dhe Parandalimi

Kanceri i gjirit është një formë e kancerit i cili fillon zhvillimin e tij në indet e gjirit. Zakonisht shfaqet në formë të tumorit. Ekzistojnë tre lloje të kancerit:

  • Benijn (jokancerogjen). Shumica e tumoreve që zhvillohen në indet e e gjirit janë beninje.
  • “In Situ.” Këto tumore janë kancerogjene. Ky lloj i kancerit nuk mund të depërtoj përtej lobulës ose kanalit të gjirit. Në shumicën dërmuese të rasteve ky kancer është i shërueshem me anë të terapive.
  • Invaziv. Ky është lloji më serioz i kancerit të gjirit. Kjo do të thotë se tumorët kancerogjen janë shpërndarë edhe në pjesë të tjera të trupit.

Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më i përhapur te gratë (radhitet pas kancerit të lëkurës). Fatmirësisht, numri i vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i gjirit ka rëne viteve të fundit. Kjo mund të jetë rezultat i diagnostikimit të hershëm të tumoreve. Faza e hershme është faza në të cilën ka më së shumti ndikim terapia. Mamografia e rregullt e mundëson detektimin e hershëm të kancerit.

 

Simptomat e kancerit të gjirit

Simptomat e kancerit të gjirit mund të jenë:

  • Një gungë në gji
  • Ndryshime në madhësinë apo formën e gjinjëve
  • Vrimëzim i lëkurës së gjirit
  • Thimthi i futur brenda në gji
  • Lëkurë e enjtur dhe e qarë e gjirit, thithmit apo areoles
  • Sekrecion nga thithmi

 

Kanceri i Gjirit

 

Çfarë e shkakton kancerin e gjirit?

Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkakton kancerin e gjirit. Ekzistojnë disa faktorë të cilët e rrisin rrezikun që ju të prekeni nga kjo sëmundje. Është vërtetuar se përafersisht 10% të rasteve të kancerit të gjirit janë hereditare (të trashëguara nga familja). Në shumicën e këtyre rasteve, pacientet kanë trashëguar një gjen nga prindërit, i cili pastaj pëson mutacion. Ky mutacion i gjenit i rrit gjasat që personi të preket nga kanceri i gjirit.

Secili prej nesh ka dy gjene të quajtura BRCA1 dhe BRCA2. Në kushte normale këto dy gjene e parandalojnë rritjen e tumoreve kancerogjene. Por, ndonjëherë rastis që personi të trashëgoj njërin nga këto gjene me mutacion. Gjasat që ky person të preket nga kanceri i gjirit rriten. Mutacionet në këto dy gjene janë të lidhura edhe më kancerin ovarian.

Perveç BRCA1 dhe BRCA2, ekzistojnë edhe mutacione të gjeneve tjera të cilat i rrisin gjasat e një personi për tu prekur nga kanceri i gjirit. Shkencëtarët veçse janë në dijeni për disa nga këto gjene dhe hulumtime janë duke u bërë per t’i zbuluar gjenet e tjera.

Kur kanceri i gjirit i prek dy apo më shumë pjestarë të afërt të familjes tuaj, është shenjë se një formë me mutacion e gjenit BRC1 apo BRC2 trashëgohet në familjen tuaj. Familja e afërt nënkupton prindërit tuaj, vëllëzrit dhe motrat, si dhe dhe fëmijët tuaj. Shenjë tjetër mund të konsiderohet edhe nëse ndonjë anëtar i familjes suaj është diagnostikuar me kancer të gjirit para moshës 50 vjeçare.

 

A i kanë gjenet me mutacion të gjithë njerëzit që kanë familjarë që vuajnë nga ky lloj i kancerit?

Gjasat që kanceri i gjirit të trashëgohet nuk janë të mëdha. Ky fakt qëndron edhe në rastet kur dikush në familjen tuaj e ka këtë sëmundje. Shumë njerëz janë prekur nga kjo sëmundje edhe pse nuk e kanë pasur gjenin BRC1 dhe BRC2  me mutacion. Megjithatë, të gjithë njerëzit që kanë të afërm që vuajnë nga kjo sëmundje, gjasat për t’u prekur nga kjo sëmundje i kanë më të larta. Por, shumica e njerëzve nuk e trashëgojnë kancerin e gjirit.

Bisedoni me mjekun tuaj për historikun mjekësor të familjes suaj. Mjekut tuaj do t’i duhet të dije për antarët tuaj familjar që janë të prekur nga kjo sëmundje, si dhe moshën kur ata janë diagnostikuar.

 

A duhet të bëjë analiza për të përcaktuar nëse jam bartëse e gjeneve që shkaktojnë kancerin e gjirit?

Zgjedhja mbetet gjithmonë tek ju dhe mjeku juaj. Mjeku mund të ju tregoj nëse një analizë e tillë mund të jetë e dobishme për ju. Ai apo ajo, gjithashtu mund të ju informoj për përparësitë dhe mangësitë e një analize të tillë. Gjithashtu bisedimi më një këshilltarë të thjeshtë shëndetsor, mund të ju ndihmoj të merrni një vendim.

Paraprakisht mendoni se si do të ndjeheshit nëse rezultatet do të tregonin se jeni në rrezik më të madh për tu prekur nga kjo sëmundje se njerëzit e tjerë. Disa njerëz duan të dinë nese e mbartin ndonjërin nga këto gjene. Informimi i saktë, në vend të hamendësimit, i ndihmon ata që të ballafaqohen me konceptin e kancerit të gjirit. U jep mundësinë atyre dhe mjekëve të tyre të përcjellin më me kujdes situatën. Ndërsa njerëz të tjerë parapëlqejnë të mos dijnë se në gjenet e tyre ka anomali. Atyre u krijohet ndjesia se një informacion i tillë është i papërballueshëm dhe që sjellë shumë dhimbje. Shqyrtoni me mjekun edhe ndjenjat tuaja, si dhe mbani mend se edhe po të jeni bartës të gjeneve me mutacion, gjasat tuaja per tu prekur nga kjo sëmundje janë sërish shume të vogla.

 

Si diagnostikohet kanceri i gjirit?

Nëse zbuloni ndonje gungë apo ndryshim tjetër në gjoksin tuaj, kontaktoni me mjekun urgjentisht. Ata do të bëjnë një ekzaminim fizik, do të ju pyesin për historikun familjar në lidhje me kancerin e gjirit, si dhe do të ekzaminojnë gjoksin dhe nënsqetullat tuaja për ndonjë gungë.

Nëse ata gjejnë diçka të pazakontë, mund edhe të ju udhëzojnë që të bëni mamografi. Mamografia është një skanim i veçant më rreze X i gjinjëve tuaj. Gjoksi juaj do të vendoset në mes të dy pllakave në mënyre që fotografia me rrezet X të dal sa më pastër. Skanimi me rreze X merr 1 apo 2 minuta, ndërsa procesi si tërësi merr rreth 20 minuta.

 

Nëse mamografia shfaq diçka të pazakontë, mjeku juaj do të ju udhëzoj që të bëni analiza të tjera si:

  • Ultrazëri – valë të zërit në frekuenca të larta kthehen nga organet dhe indet tuaja për të krijuar një fotografi
  • MRI – përdor një magnet, radiovalët dhe një kompjuter për të krijuar fotografi të detajizuara
  • Analizat e gjakut – mostrat e gjakut testohen për shenja të sëmundjes
  • Biopsia – qelizat dhe indet merren nga gjoksi dhe vëzhgohen nën mikroskop. Kjo ndihmon në zbulimin e qelizave kancerogjene. Ekzistojnë disa lloje të biopsisë të cilat mundohen të detektojnë kancerin e gjirit:
  • Biopsia me heqje (Excisional) –  një gungë me inde hiqet tërsisht nga trupi juaj
  • Biopsia me prerje (Incisional) – një pjesë e gungës merret si mostër
  • Biopsia bërthamore (Core) – një gjilpërë e gjerë e largon indin
  • Biopsia me gjilpërë të hollë (FNA) – një gjilpërë e hollë heq indin apo shterrë lëngun

 

Nëse qeliza kancerogjene gjenden në biopsi, mjeku juaj mund të kërkoj nga ju që të bëni edhe analiza të tjera. Kjo do tu ndihmoj atyre të përcaktojnë se sa shpejtë mund të rritet kanceri juaj, sa mund të përhapet, si dhe cilat trajtime mund të kenë më së shumti efekt.

Kanceri i Gjirit

A mund t’i shmangem kancerit të gjirit?

Ka hapa të cilat ju mund t’i ndërmerrni për t’i zvogëluar gjasat tuaja për tu prekur nga kjo sëmundje. Është vërtetuar se ndryshimi në stilin e jetesës mund t’i ulë gjasat tuaja që të vuani nga kanceri i gjirit:

  • Mos pini duhan
  • Limitoni konsumimin e alkoolit
  • Konsumoni ushqim të shëndetshëm
  • Mbani peshë të përshtatshme për gjatësinë tuaj
  • Bëni ushtrime fizike në baza ditore
  • Ushqejeni me qumështin e gjirit foshnjën tuaj
  • Limitoni terapinë me hormone
  • Mos iu nënshtroni testeve me rrezatim, përveq në rastet kur iu është kërkuar nga mjeku

Kanceri mund të mos jetë gjithmonë i parandalueshëm, mirëpo ju mund ta zbuloni atë që në faza të hershme, dhe kjo rritë shansat tuaja që të shëroheni plotësisht dhe shpejtë. Nuk ka dëshmi se ekzaminimet që mund t’i bëni vetes ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit, ndaj mënyra më e mirë për ta detektuar herët është përmes mamografive rutinore.

 

Mamografitë janë mënyra më efikase për ta zbuluar kancerin e gjirit qysh në faza të hershme. Mamografia mund ta zbuloj një gungë deri në 2 vite përpara se ajo të bëhet mjaftueshëm e madhe që ta ndjejmë edhe me duar. U rekomandohet të gjithë grave të moshes 50 vjeçare e më shumë që të bëjnë mamografi çdo dy vite. Nëse keni rrezik më të lartë për tu prekur nga kjo sëmundje, mjeku juaj mund të iu rekomandoj mamografi edhe më të shpeshta dhe në moshë më të hershme.

Mamografitë mund të jenë të parehatshme, mirëpo ato nuk marrin shumë kohë. Do të zbuloni se nëse caktoni terminin për mamografi pasi të keni përfunduar ciklin menstrual ato do të jenë më pak të bezdisshme, pasi që gjoksi juaj është më pak i ndjeshëm gjatë kësaj kohe.

Marrja e këtyre hapave iu jep mundësinë më të mirë për ta zbuluar kancerin herët. Zbulimi i hershëm i kancerit e bënë mjekimin shumë më të lehtë dhe më efikas.

 

Trajtimi i kancerit të gjirit

Ekzistojnë disa metoda të mjekimit për kancerin e gjirit. Mjekët madje mund tu sugjerojnë më shumë sesa një formë të mjekimit. Çfarë funksionon për një person nuk mund të përshtatet për dikë tjetër. Andaj mjeku juaj do të marrë një vendim për ju duke u bazuar në:

  • Shëndetin tuaj të pergjithshëm
  • Shkallën e kancerit
  • Nëse tumori ka receptorë hormonal
  • Madhesinë e tumorit
  • Nëse ju e keni tejkaluar menopauzën

 

Mjekimet e mundshme janë:

  • Lumpektomia – Tumori bashkë më indet rrethuese largohet gjatë periudhës së operimit kirurgjikal. Operimi është forma më e zakonshme për mjekimin e kancerit të gjirit.
  • Mastektomia – Nëse kanceri është shpërndarë shumë në gji, atëherë të gjitha indet e gjirit hiqen. Nëse kanceri është shpërndarë edhe në gjëndrat limfatike të nënsqetullës, atëherë i tërë gjiri dhe shumica e gjëndrave limfatike hiqen. Ky process ndryshe quhet edhe mastektomi e modifikuar radikale.
  • Terapia me rrezatim – Rreze me energji të lartë përdoren për të eliminuar qelizat kancerogjene. Zakonisht aplikohet pas operimit në mënyrë që të zhduken edhe qelizat eventuale kancerogjene që mund të kenë mbetur.
  • Terapia hormonale – Analizat laboratorike mund të tregojnë se qelizat kancerogjene mund të kenë receptor hormonal. Në këto raste, terapia hormonale i parandalon qelizat kancerogjene që të përdorin hormonet natyrale që iu duhen për tu rritur.
  • Kimioterapia – Ilaçe të fuqishme përdoren për të mbytur qelizat kancerogjene. Ato jepen në mënyrë intravenoze ose në formë të pilulave. Kimioterapia ka efekte të ashpëra anësore si plogështia, lodhja dhe humbja e flokëve.
  • Terapia e targetuar – Analizat laboratorike mund të dëshmojnë se qelizat kancerogjene përmbajnë shume HER2 (lloj i proteinave). Në këto raste aplikohet terapia e targetuar. Kjo terapi i bllokon veprimet e HER2 dhe e ndalon rritjen e kancerit. Kjo terapi mund të merret në mënyre intravenoze apo në formë të pilulave.

 

Të jetosh me kancer të gjirit

Shumë lloje të kancerit të gjirit janë të shërueshme. Sa përmirësohet gjendja juaj pas trajtimit varet nga shumë faktorë, si për shembull koha kur është diagnostikuar kanceri. Nëse nuk mjekohet, kanceri i gjirit mund të shpërndahet edhe në pjesë të tjera të trupit, përfshirë këtu edhe organet e brendshme. Kjo mund të bëjë dëme serioze apo edhe të shkaktoj vdekjen. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të mjekoheni sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Jeta gjatë kohës së mjekimit është e mbushur me stres. Mjekimet mund të kenë efekte anësore nga më të ndryshmet, ndaj është tejet e rëndësishme që të kujdeseni për mirëqenien tuaj. Ushqehuni shëndetshem, flini mjaftueshëm dhe mundohuni të rrini energjik duke bërë aktivitet të lehtë fizik.

Shumë gra zgjedhin të mos bëjnë ndërhyrje kirurgjike pas mastektomisë dhe të ndihen krenare me trupin e tyre të ri i cili i ka mbijetuar kancerit. Gra të tjera zgjedhin të bëjnë ndërhyrje kirurgjike për të riformësuar gjinjtë e tyre. Nëse ju nuk doni të bëni ndërhyrje të tjera kirurgjike, mund të përdorni mbushësa në formë të gjinjeve, ose të përdorni sutjena me mbushje.

Edhe pas largimit të kancerit, ekziston rreziku që ai të kthehet sërish. Ju do të duhet të bëni kontrolla të vazhdueshme te mjeku edhe vite të tëra pasi mjekimi të ketë përfunduar.

 

Pyetje per t’i parashtruar mjekut tuaj

  • A jam e rrezikuar nga kanceri i gjirit?
  • A duhet të bëjë analiza gjenetike për të kuptuar a jam bartëse e gjenit për kancer të gjirit?
  • Unë e kam gjenin për kancer të gjirit. A duhet të bisedoj me anëtarët e tjerë familjarë për të kuptuar nëse edhe ata janë bartës të këtij gjeni?
  • Une gjeta një gungë kur e ekzaminova veten. Çfarë të bëjë tani?
  • Sa shpesh duhet të bëjë mamografi?
  • Une kam kancerin e gjirit. Çfarë opsione kam per mjekim?
  • Sa shpesh duhet ta ekzaminoj vetën për gunga?
  • Unë kam kancer të gjirit. A ka vajza ime gjasa më të mëdha për tu prekur nga kjo semundje në të ardhmen?
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com