Lart

Kanceri i Prostatës

Kanceri i prostatës është rritje jo normale e qelizave në gjëndrën e prostatës te burrat. Gjëndra e prostatës është pjesë e sistemit riprodhues të meshkujve. Krijon një lëng që përzihet me spermën dhe lëngje tjera gjatë ejakulimit. Një prostatë e madhësisë normale është sa një arrë.

Kanceri i prostatës është një nga llojet më të zakonshme të kancerit në burra. Shumica e llojeve të kancerit të prostatës rriten ngadalë. Megjithatë, disa lloje mund të rriten shpejtë dhe të përhapen në pjesët tjera të trupit. Kur kanceri përhapet, mjekët thonë se kanceri ka arritur në “metastazë”.

Kanceri i Prostatës

 

Simptomat e kancerit të prostatës

Kanceri i prostatës, veçanërisht në fazat e hershme, shpesh nuk ka ndonjë simptomë. Simptomat zakonisht shfaqen me rritjen e kancerit. Këto mund të përfshijnë:

  • Vështirësi në urinim.
  • Një sistem urinar të dobët.
  • Pikje pasi që përfundoni urinimin.
  • Nevoja të urinoni shpesh, veçanërisht gjatë natës.
  • Dhimbje gjatë urinimit
  • Gjak në urinë ose semen
  • Vështirësi që të keni ose të mbani një ereksion
  • Dhimbje me ejakulim
  • Dhimbje ose tendosje në pjesën e poshtme të shpinës, ijeve,legenit dhe pjesës së sipërme të kofshëve.
  • Humbje e pa planifikuar e peshës dhe/ose humbje e apetitit.

 

Çfarë e shkakton kancerin e prostatës?

Mjekët nuk e dinë saktë se çfarë shkakton kancerin e prostatës. Megjithatë, ata e dinë se disa faktorë rreziku mund ta rrisin rrezikun tuaj për sëmundjen. Këta faktorë rreziku përfshijnë:

  • Moshat më të vjetra: Burrat e çfarëdo moshe mund të kenë kancer të prostatës. Megjithatë, është e zakonshme te burrat më të vjetër se 65 vjeç.
  • Raca: Burrat afrikano-amerikanë kanë më shumë gjasa që të zhvillojnë kancer të prostatës se burrat kaukzianë.
  • Historia familjare: Burrat që kanë një baba ose vëlla me kancer të prostatës janë në rrezik të shtuar të zhvillimit të sëmundjes.
  • Obeziteti: Burrat obezë që diagnostikohen me kancer të prostatës kanë më shumë gjasa që të kenë një kancer të avancuar ose agresiv.

Si mund të diagnostikohet kanceri i prostatës?

Kanceri i prostatës diagnostikohet me një biopisi të prostatës. Një biopsi zakonisht bëhet nëse simptomat tuaja ose një ekzaminim zgjon shqetësim. Ekzaminimi i kancerit të prostatës është një test që mjeku juaj bën për të shikuar për sëmundjen para se të keni simptoma. Janë dy ekzaminime në dispozocion: një ekzaminim rektal digjital (DRE) dhe test i antigjenëve specifikë për prostatë (PSA).

Shumica e mjekëve do të rekomendojnë që ju të bëni dy ekzaminimet. Megjithatë, këto teste mund t’i tregojnë mjekut tuaj vetëm nëse prostata juaj është e shëndetshme ose jo. Rezultatet jo-normale të testeve nuk do të thonë se ju keni kancer. Sa shpesh duhet të ekzaminoheni varet nga mosha juaj dhe në faktorët tuaj personal të rrezikut.

Gjatë një DRE digjitale, mjeku juaj do të vendos gishtin e tij me dorezë dhe të lubrifikuar disa milimetra në rektumin tuaj për ta ndjerë gjëndrën tuaj të prostatës. Një gjëndër normale e prostatës është e fortë. Nëse ka ndonjë pjesë të fortë në prostatë, mjeku juaj mund të sugjerojë një test tjetër për të kontrolluar për kancer të prostatës.

Gjatë një testi PSA, ju do të bëni testim të gjakut. Një testim i gjakut përfshin vendosjen e një gjilpëre të hollë për të marrë një mostër gjaku. Testi mat nivelin e PSA-së (një substancë që prodhohet nga prostata) në gjak. Burrat që kanë kancer të prostatës mund të kenë nivel më të lartë të PSA-së në gjak. Megjithatë, niveli i PSA-së mund të jetë i lartë edhe për shkak të shkaqeve më pak serioze, siç është infeksioni ose prostata e zmadhuar.

Nëse rezultatet e ekzaminimeve tuaja janë jo-normale, mjeku juaj mund të rekomendojë teste të tjera për të kontrolluar për kancer. Këto teste mund të përfshijnë:

  • Ultrazë: një ultrazë transrektal siguron një dukje të prostatës për mjekun tuaj. Gjatë testit, mjeku juaj do të vendosë një mjet të vogël në rektum. Ky mjet liron valë të zërit (të quajtura ultrazë) që bien në prostatë. Një kompjuter përdorë valët e zërit për të krijuar një fotografi të prostatës tuaj.
  • Biopsia: Një biopsi transrektale bëhet kur mjeku juaj largon një pjesë të vogël të prostatës tuaj për ta kontrolluar për qeliza të kancerit. Një biopsi është një mënyrë e besueshme për të diagnostikuar kancerin e prostatës. Gjatë biopsisë, mjeku juaj do të vendosë një gjilpërë përmes rektumit në prostatë. Gjilpëra mbledh inde nga prostata juaj. Mjeku juaj mund të marrë mostra të indeve nga pjesë të ndryshme të prostatës.

 

Nëse biopsia juaj është normale, ju nuk keni kancer të prostatës. Flisni me mjekun tuaj se a është ndonjë gjendje tjetër duke shkaktuar simptomat tuaja ose nivelet e larta të PSA-së. Pyesni mjekun tuaj se sa shpesh duhet të kontrolloheni.

Nëse rezultatet e biopsisë janë pozitive për kancer, mjeku juaj do ta klasifikojë dhe të tregojë fazën e kancerit.

  • Klasifikimi tregon se sa agresiv (me rritje të shpejtë) është kanceri. Kancerët e kategorisë së lartë kanë më shumë gjasa të rriten dhe të përhapen. Një sistem i zakonshëm i klasifikimit quhet pikët e Gleason-it. Pikët e Gleason-it mund të jenë nga 2 (jo agresiv) deri në 10 (shumë agresiv).
  • Fazat tregojnë sa i përparuar është kanceri. Gjithashtu, tregojnë sa larg është përhapur. Për të përcaktuar fazën, mjeku juaj mund të porosit teste si ultrazë, skanim i eshtrave, skanim tomografik të kompjuterizuar (CT), ose imazhe të rezonancës magnetike (MRI). Fazat I dhe II do të thonë se kanceri është zënë herët dhe nuk është përhapur jashtë prostatës. Fazat III dhe IV do të thonë se kanceri është përhapur në indet e afërta, organet ose pjesët tjera të trupit.

Disa profesionistë mjekësor argumentojnë se ekzaminimi nuk është i nevojshëm. Për njerëzit me tumorë që rritet shpejtë (agresiv), zbulimi i hershëm mund të ndihmojë. Kanceri zakonisht është i lehtë të trajtohet dhe ka gjasa më të mëdha të shërohet nëse zbulohet herët. Megjithatë, shumicën e rasteve nuk rriten shpejtë. Një argument tjertër është se testet e PSA-së nuk janë gjithmonë të sakta.

Në fakt, një numër i konsiderueshëm i testeve PSA janë pozitive false. Kjo shkakton shqetësim të panevojshëm dhe shpenzim për burrat që kanë rezultate pozitive false. Për këto arsye, disa organizata mjekësore, nuk rekomendojnë testimet rutinë të PSA-së për burrat e të gjitha moshave. Flisni me mjekun tuaj. Konsideroni anët pozitive dhe negative të ekzaminimit, shëndetit tuaj, faktorët individual të rrezikut, preferencat në lidhje me diagnozën dhe trajtimin dhe mendimin dhe këshillat e mjekut tuaj.

 

A mund të parandalohet ose shmanget kanceri i prostatës?

Disa faktorë rreziku, si historia familjare dhe nivelet e hormoneve, nuk mund të parandalohen. Megjithatë, pesha juaj, aktivitetit fizik dhe dieta mund të ulin rrezikun për kancer të prostatës. Punoni drejt një stili të shëndetshëm të jetesës, duke ngrënë sasinë e rekomanduar ditore të pemëve dhe perimeve, duke ushtruar dhe duke mbajtur një peshë të shëndetshme (ose duke humbur peshë, nëse keni nevojë).

 

Trajtimi i kancerit të prostatës

Trajtimi i kancerit të prostatës varet nga mosha juaj, shëndeti i përgjithshëm, kategoria dhe faza e kancerit. Nëse keni kancer të prostatës, mjeku juaj do të ketë nevojë të monitorojë rritjen e kancerit. Tumorët me rritje të shpejtë mund të përhapen shpejtë në organe tjera të trupit. Kjo e bën trajtimin më të vështirë. Burrat që kanë tumorë me rritje të ngadalëshme nuk kanë nevojë për trajtim për një kohë të gjatë. Disa nuk kanë nevojë kurrë për trajtim.

Opsione të zakonshme të trajtimit përfshijnë të mëposhtmet:

  • Pritje vigjilente. Gjatë pritjes vigjilente, ju nuk keni trajtim, por e vizitoni mjekun tuaj shpesh. Gjatë kësaj kohe mjeku juaj do të monitorojë rritjen e kancerit tuaj përmes testeve të gjakut, ekzaminimeve rektale dhe biopsive. Nëse nuk ka ndonjë shenjë të rritjes së kancerit, ju vazhdoni të mos keni trajtime.
  • Terapia e rrezatimit. Ka dy lloje të terapisë së rrezatimit. Njëri lloj quhet terapia e rrezatimit të jashtëm. Me këtë lloj, rrezatimi bëhet nga një makinë e ngjashme me makinën e rrezeve X. Lloji tjetër quhet terapia e rrezatimit të brendshëm. Me këtë lloj, pilulat radioaktive (të quajtura “fara”) injektohen në gjëndrën e prostatës. Kjo quhet nganjëherë terapi e farave ose brakiterapi. Të dy llojet kanë rezultat pothuajse të njëjtë në shërimin e kancerit të prostatës. Nganjëherë, të dy terapitë përdoren bashkë. Terapia e rrezatimit të jashtëm zakonisht merr 10 minuta. Bëhet 5 ditë në javë, për 6 deri në 8 javë. Disa njerëzve mund t’iu duket se merr shumë kohë. Megjithatë, ju nuk keni nevojë për anestezion për këtë lloj trajtimi.Efektet anësore mund të shfaqen me terapi të farave. Terapia e farave mund të bëhet me vetëm një vizitë spitalore. Terapia e farave kërkon anestezion (ilaç që largon dhimbjen duke ju bërë të relaksoheni ose të flini). Megjithatë, ju duhet të jeni në gjendje që të shkoni në shtëpi menjëherë pas trajtimit. Me terapi të farave, doza më të larta të rrezatimit mund të vendosen drejt në kancer, Ju mund të ndjeni parehati pas këtij trajtimi.
  • Prostatektomi radikale. Prostatektomia radikale është kirurgji për të larguar tërë gjendrën e prostatë. Nyjet e afërta limfatike gjithashtu largohen. Pasi që largohet gjëndra e prostatës përmes një prerje, një katetër (një tub gome i ngushtë) vendoset përmes penisit në fshikëzën e urinës për ta larguar urinën nga trupi derisa zona të shërohet. Llojet tjera të kirurgjisë së prostatës janë më pak invazive. Secili lloj ka norma të ndryshme të rrezikut dhe shërimit.
  • Terapia hormonale. Terapia hormonale e zvogëlon nivelin e hormoneve mashkullore, të quajtura androgjene. Ky hormon prodhohet më së shumti në testikujt e mashkullit.

Androgjenët, siç është testosteroni, shkaktojnë rritjen e tumorit të prostatës. Injektimet ose pilulat e heqjes ose shtypjes së androgjenëve mund të merren gjatë disa muajve. Kirurgjia mund të kërkohet për të hequr testikujt. Pasi që niveli i androgjenëve zvogëlohet mjaftueshëm, kanceri i prostatës zakonisht zvogëlohet  dhe rritjet e reja ngadalësohen.

Trajtimi i hormoneve shpesh përdoret në kombinim me llojet tjera të trajtimit të prostatës së kancerit. Megjithatë, terapia hormonale nuk e shëron kancerin e prostatës.

  • Kemoterapia. Kjo terapi përdorë ilaçet për të dëmtuar qelizat e kancerit dhe për ta bërë më të vështirë shtimin e tyre. Ky ilaç dërgohet në trupin tuaj përmes një pikimi intravenoz (IV). Kemoterapia merret përgjatë disa javëve ose muajve, varësisht nga ashpërsia e kancerit tuaj të prostatës. Ka shumë efekte anësore dukshme. Efektet anësore më të zakonshme janë të përzierat dhe rënia e flokëve.

Kanceri i Protstatës

Rreziqet dhe përfitimet e trajtimit

Ka disa rreziqe dhe përfitime të secilës terapi, duke përfshirë:

Prostatektomia radikale: Rreziqet afat-shkurtër të këtij operacioni janë të ulëta nëse jeni të ri dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

  • Qëndrimi spitalor është zakonisht 2-3 ditë.
  • Katetra lihet në vend për 2 deri në 3 javë.
  • Zakonisht mund të ktheheni në punë brenda 1 muaji.
  • Ju nuk duhet të keni dhimbje të mëdha me këtë operacion.
  • Shumica e burrave rifitojnë kontrollin e fshikëzës urinare disa javë deri në disa muaj pas operacionit.
  • Avantazhi më i madh është se ofron rezultatin më pozitiv. Kjo është e vërtetë nëse i tërë kanceri largohet gjatë operacionit.
  • Ky operacion i ofron mjekut tuaj informacion të saktë në lidhje me nivelin e avancimit të kancerit tuaj, pasiqë nyjet limfatike të afërta hiqen bashkë me tumorin.

Rreziqet kryesore të prostatektomisë janë mungesa e vetëpërmbajtjes (humbja e kontrollit të fshikëzës urinare) dhe impotenca (humbja e aftësisë së mbajtjes së ereksionit gjatë, sa për të pasur marrëdhënie seksuale).

Terapia e rrezatimit: Studime më të vjetra tregojnë se gjysma e pacientëve bëhen impotentë brenda 5 viteve të terapisë së rrezatimit, por forma më të reja të rrezatimit kanë rezultate tjera.

  • Burrat mund të ndihen shumë të lodhur në fund të periudhës së trajtimit.
  • Disa burra kanë efekte anësore si djegie urinare, gjakderdhje urinare, urinim të shpeshtë, gjakderdhje rektale, parehati rektale, diarre gjatë ose pas trajtimit.
  • Disfunksion erektil (impotenca) është efekt anësor i zakonshëm dhe shpesh bëhet më keq me kalimin e kohës.
  • Komplikimet më serioze janë të rralla. Megjithatë, një shkallë e pasigurisë shkon bashkë me trajtimin e rrezatimit. Pasiqë gjëndra e prostatës dhe nyjet limfatike nuk hiqen, mjeku juaj nuk mund të tregojë madhësinë e saktë të tumorit. Kanceri mund të rikthehet shumë vite pas trajtimit me rrezatim.

 

Terapia hormonale: Terapia hormonale shpesh përdoret në kombinim me trajtimet tjera. Ka efekte anësore.

  • Efekte serioze anësore përfshijnë humbjen e dëshirës seksuale, eshtra të dobësuara, disfunksion erektil, lodhje dhe osteoporozë.
  • Trajtimi hormonal mund të përdoret në pacientë që kanë kancer dhe është shpërndarë përtej gjëndrës hormonale. Përderisa kanceri i prostatës që është përhapur zakonisht përgjigjet në 1 deri në 2 vite të trajtimeve hormonale, ky trajtim nuk e shëron sëmundjen dhe eventualisht tumorët fillojnë të rriten përsëri. Pasi që kjo ndodh qëllimi i trajtimit është të kontrollohen simptomat.

Kemoterapia: Kemoterapia ka dëshmuar të ketë ndihmuar disa njerëz që kanë kancer të avancuar të prostatës të jetojnë më gjatë.

  • Kemoterapia mund të ketë shumë efekte anësore, duke përfshirë rënien e flokëve, të përziera, lodhje dhe humbje të shijes.

Të jetosh me kancer të prostatës

Jetesa me kancer të prostatës varet nga koha kur je diagnostikuar. Gjithashtu, varet nga lloji i  trajtimit që keni pranuar. Për shembull, nëse e keni hequr prostatën, ju mund të duhet të jetoni me disfunksion seksual. Nëse keni pasur terapi hormonale ose kemoterapi, ju mund të keni efekte afat-gjata nga ilaçet që janë përdorë në këto trajtime. Pyesni mjekun tuaj se si mund të përmirësoni kualitetin e jetës pas trajtimit.

 

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • Çfarë mund të shkaktojë zmadhim të prostatës, përveç kancerit?
  • Në çfarë moshe duhet të fillojë të ekzaminohem për kancer të prostatës?
  • Sa shpesh duhet të ekzaminohem?
  • A do të kem një jetë normale seksuale pas operacionit të prostatës?
  • A ka efekte anësore afatgjate të kemoterapisë?
Shpërndaj
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com