Kanceri i Vulvës
Vulva është lëkura dhe indi yndyror ndërmjet kofshëve të femrave. Shtrihet nga zona e anusit deri 2.54cm poshtë vijës së qimeve pubike. Kanceri i vulvës më së shpeshi prek dy palët e lëkurës (ose buzët) rreth vaginës, të njohura si labia.
Kanceri i vulvës nuk është shumë i zakonshëm. Megjithatë, është shumë serioz, sepse mund të ndikoj në funksionimin seksual të femrës. Mund ta bëj seksin të dhimbshëm dhe të vështirë. Nëse zbulohet herët, kanceri i vulvës ka mundësi të lartë shërimi dhe mundësitë e trajtimit përfshijnë më pak ndërhyrje kirurgjike.
Simptomat e kancerit të vulvës
Tregoni mjekut tuaj nëse keni ndonjë nga këto shenja paralajmëruese të kancerit të vulvës:
- Kruajtje e vulvës që zgjatë më shumë se një muaj
- Një prerje apo plagë në vulvë, e cila nuk shërohet
- Një gungë apo masë në vulvë
- Dhimbje të vulvës
- Gjakderdhje nga vulva (e ndryshme nga gjakderdhja e zakonshme nga menstruacionet)
- Djegie në zonën gjenitale, e cila zgjatë madje edhe pasi që mjeku juaj e ka trajtuar
- Çfarëdo ndryshimi në madhësi, ngjyrë apo pamje të ndonjë shenje të lindjes apo nishani në zonën e vulvës
Çka e shkakton kancerin e vulvës?
Kanceri i vulvës më së shpeshi prek femrat e moshës 65 deri 75 vjeçare. Megjithatë, mund të paraqitet edhe tek femrat 40 vjeçare e më të reja. Kanceri i vulvës mund të jetë i lidhur me lythat gjenitale, një sëmundje seksualisht e transmetueshme e shkaktuar nga virusi njerëzor i papilomës (HPV).
Si diagnostikohet kanceri i vulvës?
Nëse doktori juaj zbulon një zonë jonormale në vulvë, ai ose ajo mund të dëshiroj të marrë një pjesë të vogël të indit për ta shikuar në mikroskop. Kjo procedurë mund të bëhet në ordinancen e doktorit. Ajo quhet biopsi. Biopsia është mënyra e vetme për të zbuluar nëse keni kancer të vulvës.
A mund të parandalohet apo të shmanget kanceri i vulvës?
Aktualisht, nuk njihet ndonjë mënyrë për të parandaluar kancerin e vulvës.
Trajtimi i kancerit të vulvës
Kanceri i vulvës zakonisht trajtohet me ndërhyrje kirurgjike, terapi rrezatimi, kimioterapi apo një kombinim të trajtimeve. Lloji i ndërhyrjes kirurgjike varet nga madhësia, thellësia dhe përhapja e kancerit. Mjeku juaj do t’i rishikoj të gjitha mundësitë për ndërhyrje kirurgjike si dhe avantazhet dhe disavantazhet e secilës mundësi. Edhe me ndërhyrje kirurgjike, disa njerëz mund të kenë gjithashtu nevojë edhe për terapinë e rrezatimit.
Nëse kanceri i vulvës zbulohet dhe trajtohet herët, mundësia e shërimit është më e lartë se 90%. Çelësi për shërim është t’i tregoni mjekut tuaj herët për çfarëdo shenje paralajmëruese si dhe të bëni menjëherë një biopsi. Pas trajtimit, sigurohuni që të shkoni në të gjitha takimet për përcjelljen e gjendjes, të cilat ua rekomandon mjeku.
Të jetosh me kancerin e vulvës
Nëse ndërhyrja kirurgjike është pjesë e trajtimit tuaj, trupi juaj mund të duket më ndryshe pas kësaj. Flisni me mjekun tuaj lidhur me këtë, në mënyrë që të jeni të përgatitur. Këto ndryshime mund të ju bëjnë të ndjeheni ndryshe dhe më pak atraktive. Mund të duhet kohë për t’u mësuar me këto ndryshime. Kujtoni se miqtë tuaj dhe familja ju duan. Lejoni ata të ju mbështesin gjatë kësaj kohe. Mos i largoni ata.
Edhe pas trajtimit, kanceri i vulvës mund të mos largohet tërësisht. Nëse po, ju mund të jetoni me frikën se do të rikthehet. Kjo mund të shkaktoj shumë stres për ju dhe të dashurit tuaj. Merrni parasysh që të bashkoheni me ndonjë grup mbështetës ose të flisni me një terapeut lidhur me ndjenjat tuaja. Ftoni familjarët tuaj ta bëjnë të njejtën gjë.
Pyetjet për t’i bërë mjekut tuaj
- A mund të zbulohet kanceri i vulvës nga Pap-testi?
- Cili është trajtimi i duhur për kancerin e vulvës?
- A ka ndonjë mënyrë se si mund ta parandaloj kancerin e vulvës?
- Nëse kam pasur kancer të vulvës, a kam më shumë gjasa që të më rikthehet?
- A do të ketë trajtimi ndonjë ndikim në dëshirën apo në kënaqësinë time për seks?
- A mund të përcjellet kanceri i vulvës familjarisht?