Lart

Leukemia: Simptomat, Diagnostikimi dhe Trajtimi

Leukemi quhet kanceri i qelizave të bardha të gjakut. Qelizat e bardha e ndihmojnë trupin t’i luftojnë infeksionet. Brenda eshtrave tuaja ekziston një substancë e quajtur palca kockore e cila është përgjegjëse për prodhimin e qelizave të bardha të gjakut. Kur një person preket nga leukemia, palca kockore prodhon qeliza abnormale. Këto qeliza abnormale grumbullohen dhe shumohen më shumë se qelizat e shëndetshme, gjë që ia vështirëson gjakut të kryej punën e tij.

Ekzistojnë 4 lloje kryesore të leukemisë:

  • Leukemia akute limfocitike
  • Leukemia mieloide akute
  • Leukemia limfocitike kronike
  • Lukemia mieloide kronike

Llojet akute zhvillohen dhe rriten shpejtë, ndërsa llojet kronike rriten më ngadalë. Termi ‘limfocitike’ dhe ‘mieloide’ u referohet llojit të qelizave të cilat kanë pësuar abnormalitete. Secili lloj i leukemisë ka simptoma dhe trajtime të ndryshme.

Leukemia është më së shumti e përhapur te personat mbi moshën 60 vjeçare, por mund të shfaqet edhe tek fëmijët. Kjo sëmundje është forma më e përhapur e kancerit te fëmijët nën 15 vjeç.

Leukemi

Simptomat e leukemisë

Simptomat e leukemisë dallojnë varësisht nga lloji i saj. Simptomat e leukemisë kronike shfaqen më ngadalë dhe përfshijnë:

  • Plogështinë
  • Ngecje në frymëmarrje
  • Nyje të enjtura të limfës
  • Infeksione të shpeshta

Disa njerëz me leukemi kronike nuk shfaqin fare simptoma. Ata nuk e dinë se janë duke vuajtur nga kjo sëmundje deri sa nuk iu nënshtrohen analizave rutinore të gjakut.

Simptomat e leukemisë akute përfshinë:

  • Plogështinë dhe lodhjen
  • Ngecje në frymëmarrje
  • Lëkura e zbehtë
  • Rritje e temperaturës
  • Djersitjet gjatë natës
  • Shfaqja e mavijosjeve pa ndonjë arsye
  • Dhimbje në eshtra dhe kyçe
  • Pikla të kuqe nën lëkurë

Çfarë e shkakton leukeminë?

Në shumicën e rasteve nuk dihet shkaktari i leukemisë. Ka disa faktorë të cilët mund të ndikojnë në shtimin e rrezikut për tu prekur nga kjo sëmundje. Faktorë të tillë janë:

  • Trajtimi i mëhershëm i kancerit. Disa lloje të kimioterapisë dhe rrezatimit mund t’i rrisin gjasat tuaja për tu prekur nga kjo sëmundje.
  • Gjenetika. Disa çrregullime gjenetike mund të ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje, si për shembull sindroma Daun.
  • Kimikate të caktuara. Ekspozimi ndaj kimikateve të caktuara, si benzeni i cili gjendet në karburante, mund ta rrisë rrezikun që të prekeni nga kjo sëmundje.
  • Pirja e duhanit. Konsumimi i duhanit gjithashtu i rrit gjasat tuaja që të prekeni nga kjo sëmundje.
  • Historiku familjar. Nëse ndonjë pjestar i familjes suaj të ngushtë është prekur nga leukemia, kjo i rrit gjasat që të vuani nga kjo sëmundje.

Si diagnostikohet leukemia?

Mjeku juaj do të iu pyes rreth simptomave. Ai mund të bëjë edhe ekzaminim fizik për të kërkuar shenja të leukemisë. Shenja të tilla janë lëkura e zbehtë dhe nyjet e enjtura të limfës. Me shumë gjasë mjeku do të iu udhëzojë t’i bëni analizat e gjakut. Përmes këtyre analizave mund të vërehen nivelet abnormale të gjakut të cilat zakonisht janë shenjë e leukemisë. Mjeku mund të marrë edhe një mostër të palcës tuaj kockore për ta vëzhguar nën mikroskop.

Nëse mjeku juaj mendon se ju vuani nga leukemia, ai do iu këshilloj tu nënshtroheni analizave të mëtutjeshme për të bërë diagnostikimin e sëmundjes. Në këtë mënyrë, mjeku mund ta përcaktojë llojin e leukemisë që keni dhe se sa është shpërndarë ajo në trupin tuaj.

Leukemia

A mund të parandalohet leukemia?

Në shumicën e rasteve, leukemia nuk është e parandalueshme. Shumica e njerëzve të cilët janë në rrezik të shtuar, nuk preken nga kjo sëmundje. Dhe shumë të tjerë të cilët nuk janë në rrezik të shtuar, preken.

Mjekimi i leukemisë

Ekzistojnë disa opsione për mjekimin e leukemisë. Mjeku madje mund tu rekomandoj një kombinim të këtyre opsioneve. Mjeku juaj do vendosë se cila formë e trajtimit iu përshtatet më së shumti juve duke u bazuar në:

  • Moshën tuaj
  • Shëndetin tuaj të përgjithshëm
  • Llojin e leukemisë
  • Vendin ku është shpërndarë leukemia

Format e zakonshme të trajtimit janë:

Kimioterapia – Ilaçe të fuqishme përdoren për t’i eleminuar qelizat kancerogjene. Këto ilaçe mund të mirren në mënyrë intravenoze apo në formë të pilulave. Kjo është forma kryesore për trajtimin e leukemisë. Kimioterapia mund të ketë efekte të pakëndshme anësore, si: humbja e forcës, plogështia dhe rënia e flokëve.

Terapia me rrezatim – Energji e lartë rrezatuese përdoret për t’i eliminuar qelizat kancerogjene. Gjatë këtij lloji të mjekimit ju rrini të shtrirë në një tavolinë përderisa një makinë e madhe lëvizë rreth jush. Kjo makinë e fokuson rrezatimin drejt trupit tuaj dhe nuk shkakton fare dhimbje.

Terapia e targetuar – Ilaçe speciale bllokojnë rritjen dhe shpërndarjen e qelizave specifike. Kjo terapi mund të merret në formë intravenoze apo në formë të pilulave.

Transplanti i rrënjës së qelizave – Gjatë kësaj procedure bëhet heqja e palcës kockore kancerogjene dhe bëhet zëvendësimi i saj me palcë të shëndetshme. Ju mund të jeni në gjendje t’i përdorni qelizat tuaja apo mund t’iu duhet t’i përdorni ato të një dhuruesi (donatori). Ky proces i ngjan shumë transplantit të palcës kockore dhe zakonisht përcillet me kimioterapi apo terapi me rrezatim.

Jeta me leukemi

Me anë të trajtimit, leukemia mund të fillojë të tërhiqet. Sa ka efekt trajtimi varet nga shumë faktorë, si koha kur e keni zbuluar sëmundjen. Nëse leukemia nuk trajtohet apo zbulohet vonë ajo mund të shpërndahet edhe në pjesë të tjera të trupit, gjë që mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore apo të çojë deri te vdekja. Është tejet e rëndësishme që të filloni mjekimin sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Jeta me kancer mund të jetë shumë stresuese. Llojet e mjekimit mund të shkaktojnë disa efekte anësore, prandaj është shumë e rëndësishmë që të kujdeseni për veten. Ushqehuni shëndetshëm, flini dhe pushoni mjaftueshëm, si dhe mundohuni të qëndroni aktiv. Jeta me sëmundjen e leukemisë mund të ketë ndikim negativ edhe në gjendjen tuaj emocionale. Mundohuni të gjeni mbështetje te familja, miqtë, këshilltarët apo grupet mbështetëse.

Edhe pas zhdukjes së kancerit, ju jeni në rrezik që kjo sëmundje të rikthehet. Juve do t’iu duhet tu nënshtroheni vizitave rutinore te mjeku për vite me radhë.

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • Çfarë lloji të leukemisë kam unë?
  • A do më duhet tu nënshtrohem edhe analizave tjera?
  • Cila formë e mjekimit më përshtatet më së shumti mua?
  • A mund të shërohet leukemia?
  • Çfarë ndikimi do të ketë mjekimi në jetën time? A mund të vazhdoj të punoj apo të vijoj shkollën?

 

Shpërndaj
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com