Lart

Lëndimet e Kokës

Lëndim në kokë quhet çdo dëmtin në tru, kafkë apo në lëkurën e kokës. Lëndimet në kokë mund të jenë të vogla, mesatare apo të rënda. Llojet e zakonshme të këtyre lëndimeve përfshijnë:

  • Tronditjet: vijnë si pasojë e shkundjes së trurit tuaj. Shumicën e kohës njerëzit kanë vetëdije edhe pas pësimit të këtij lëndimi. Ata mund të ndihen të trullosur, të humbasin shikimin apo balancin për një periudhë të shkurtër kohore.
  • Mavijosja e trurit: Gjakderdhja e vogël në tru shkakton enjtje. Kjo manifestohet me mavijosje të trurit.
  • Frakturat e kafkës: nënkuptojnë çarjen e kafkës. Ndonjëherë eshtrat e thyera të kafkës mund ta shpojnë trurin tuaj, gjë që shkakton gjakderdhje e cila mund të çoj deri të ndonjë lëndim tjetër.
  • Hematoma: Kjo formë e gjakderdhjes në tru grumbullohet dhe krijon dromca (grimca). Hematoma krijohet në formë të gungës dhe mund të mos shfaqet deri në disa javë pas lëndimit.

Lëndimet e kokës

Ju rekomandojmë këtë artikull:

Koka dhe Truri

Simptomat e lëndimeve të kokës

Gjatë lëndimeve të kokës është normale të ndjeni kokëdhimbje apo përzierje. Menjëherë pas lëndimit mund të ndiheni të çorientuar dhe të trullosur. Mund tu shfaqen probleme të përkohshme në kujtesë dhe në përqëndrim.

Simptoma të tjera mund të jenë: ushtimat e veshëve, dhimbjet e qafës dhe problemet në të pamur. Këto simptoma zakonisht zhduken pas disa javësh, mirëpo mund të zgjasin më shumë nëse lëndimi ka qenë i rëndë.

Kërkoni ndihmë menjëherë nëse:

  • Vëreni se u janë përkeqësuar simptomat si kokëdhimbja, përzierja e stomakut apo plogështia.
  • Jeni duke vjellur shpesh.
  • Vëreni ndryshime drastike në sjellje, si zemërimi apo hutimi.
  • Bebëzat e syrit janë më të zgjeruara se zakonisht apo kanë madhësi të ndryshme.
  • Keni vështirësi në ecje dhe në të folur.
  • Ju del sekrecion i tejdukshëm apo gjak nga veshët apo hunda.
  • Vëreni humbje të vetëdijes.
  • Vëreni kriza.

Çfarë i shkakton lëndimet e kokës?

Ekzistojnë disa shkaktarë të lëndimeve të kokës. Ju mund të pësoni lëndime në kokë ndërsa jeni duke u marrë me ndonjë sport apo aktivitet. Disa lloje të punëve si ndërtimtaria i rrisin gjasat tuaja që të pësoni lëndime të tilla. Fëmijët apo personat e moshuar mund të rrëzohen në shtëpi dhe të lëndohen. Lëndimet e rënda të kokës zakonisht ndodhin si pasojë e aksidenteve me makinë, motoçikletë apo biçikletë.

 

Si diagnostikohen lëndimet e kokës?

Ju duhet te kontaktoni mjekun nëse keni pësuar lëndime në kokë. Ai do iu pyes se si ka ndodhur lëndimi, cilat janë simptomat tuaja, si dhe do iu pyes për probleme të kaluara shëndetësore. Sigurohuni ta informoni mjekun nëse keni pasur simptoma serioze si vjellja dhe krizat.

Skanime të veçanta mund ta fotografojnë kokën tuaja. Në këto skanime përfshihet tomografia e kompjuterizuar (CT) dhe skanimi me rezonancë magnetike (MRI). Këto skanime e ndihmojnë mjekun për ta diagnostikuar problemin. Mjeku gjithashtu mund tu bëjë pyetje për të mësuar gjendjen tuaj.

Në këto pyetje përfshihen “Si quheni?” “Çfarë dite është sot?” apo “Ku ndodheni?”. Qëndrimi në spital mund të jetë i domosdoshëm, për t’ua mundësuar mjekut monitorimin e vazhdueshëm të lëndimit.

A mund të parandalohen lëndimet e kokës?

Lëndimet nuk janë gjithmonë të parandalueshme, mirëpo ju mund të ndërmerrni hapa për ta zvogëluar rrezikun nga to. Këto hapa përfshijnë:

  • Vënia e rripit të sigurisë në makinë
  • Përdorimi i helmetës gjatë ngasjeve të biçikletës dhe motoçikletës
  • Përdorimi i mjeteve adekuate mbrojtëse në vendin e punës apo gjatë sportit
  • Mbajtja nën vëzhgim e fëmijëve apo personave të moshuar

Mjekimi i lëndimeve të kokës

Lëndimet e lehta të kokës mund të mos kenë nevojë fare për mjekim. Megjithatë ju duhet t’i dini simptomat për të ditur nëse jeni duke i përjetuar to. Mjeku juaj mund tu ndihmoj në këtë aspekt. Lëndimet e rënda zakonisht kërkojnë vëmendje mjekësore dhe shtrimin në spital. Ndonjëherë mund të duhet edhe ndërhyrje kirurgjike për ta mjekuar lëndimin.

Thërrisni ndihmën e parë nëse jeni pranë dikujt që ka pësuar lëndim të kokës. Përveç kësaj duhet t’i ndiqni rregullat në vijim:

  • Nëse personi është duke pasur gjakderdhje, mundohuni ta ndaloni atë. Përdorni fashë, peshqir apo ndonjë copë nga veshja juaj. Mbuloni plagën apo mundohuni ta mbështillni atë.
  • Nëse personi është duke vjellur, mbajini ata drejtë. Nëse ata veçse janë shtrirë, rrotullojini në krah për t’iu shmangur ngulfatjes.
  • Nëse personi ka vetëdije këshilloni ata të mos e lëvizin kokën dhe qafën. Kjo mund ta parandaloj lëndimin e mëtutjeshëm të trurit dhe boshtit kurrizor.
  • Nëse personi nuk ka vetëdije mirëpo është duke marrë frymë, mundohuni ta stabilizoni trupin e tyre. Kjo nënkupton mbajtjen e kokës dhe qafës në pozitë të drejtë me boshtin e tyre kurrizor.
  • Nëse personi nuk ka vetëdije dhe nuk është duke marrë frymë, filloni procesin CPR (rikthimin në jetë kardiopulmonarë).

Jeta me lëndim të kokës

Shumica e njerëzve shërohen nga lëndimet e kokës pa kurrfar pasoja afatgjatë. Megjithatë, dëmtimi mund të ndodhë nëse truri juaj lëvizë apo shpohet. Bisedoni me mjekun tuaj se si t’i menaxhoni efektet anësore dhe simptomat si dhimbja.

Pas lëndimeve të kokës ju mund të pësoni humbje të kujtesës. Për shembull mund të mos i’u kujtohen ngjarjet pak para aksidentit, gjatë aksidentit apo edhe pas tij. Kujtimet e këtyre ngjarjeve ndonjëherë kthehen, mirëpo mund të ndodhë që të mos kthehen fare. Pas mjekimit, aftësia për të mësuar dhe mbajtur mend gjëra të reja zakonisht rikthehet.

Ju rekomandojmë këtë artikull:

Helmimi nga Ushqimi, Tre Rregullat Kryesore si ta Kaloni

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • Si mund ta di nëse lëndimi im është mesatar apo i rëndë?
  • Si mund të kujdesem për dikë që ka pësuar lëndim të kokës?
  • Pas lëndimit të kokës a mund të konsumoj ilaçe kundër dhimbjes? Nëse po, çfarë lloji?
  • Kur mund t’i kthehem rutinës sime të zakonshme?
  • Cilat janë efektet anësore afatgjate të lëndimeve të kokës?

 

Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com