Ekzema dhe Dermatiti Atopik
Përmbajtja
Ekzema është term i përgjithshëm për sëmundjet të cilat shkaktojnë skuqje dhe pika në lëkurë. Lloji më i zakonshëm i ekzemës është dermatiti atopik. Nëse e kruajmë lëkurën e prekur nga ekzema, rrezikojmë që ta përkeqësojmë gjendjen edhe më shumë. Ekzema mund t’i prekë si fëmijët ashtu edhe të rriturit, por më së shumti i prekë fëmijët.
Dermatiti atopik është sëmundje kronike e lëkurës e cila shkaktohet nga reagime alergjike. Fjala “atopike” do të thotë se gjasat për tu prekur nga kjo sëmundje, asma apo alergjitë e pluhurit janë në një farë forme të trashëguara. Ndërsa “dermatits” do të thotë se lëkura është e skuqur dhe shkakton kruarje.
Dermatiti atopik zakonisht fillon qysh në foshnjëri dhe vazhdon deri në fëmijëri. Në faza të caktuara simptomat e kësaj sëmundje përkeqsohen më shumë se zakonisht, dhe në mjekësi këto faza quhen reagime. Pas këtyre reagimeve më të ashpra, lëkura fillon të shërohet.
Gjatë kësaj kohe mund të mos ketë fare simptoma të kësaj sëmundje. Kjo fazë e “zhdukjes së sëmundjes” mund të zgjasë disa javë, muaj apo edhe vite. Disa fëmijë shërohen nga dermatitit atopik gjatë rritjes, ndërsa të tjerë vuajn nga kjo sëmundje edhe pasi të rriten. Mirepo, pas rritjes, reagimet e dermatitit janë më të lehta se sa në fëmijëri.
Simptomat e ekzemës dhe dermatitit atopik.
Dermatiti atopik dhe ekzema fillojnë si lëkurë tejet e thatë e cila shkakton kruarje, e cila më vonë enjtet dhe bëhet shumë e ndjeshme. Sa me shumë që e kruani, aq më shumë do të përkeqsohet gjendja, madje sekrecion i tejdukshëm mund të rrjedhë nga pikat. Vende të zakonshme ku shfaqen këto pika janë faqet, pjesa e brendshme e bërrylave, pjesa prapa gjunjëve dhe mollaqet.
Çfarë e shkakton ekzemën dhe dermatitin atopik?
Gjasat tuaja për tu prekur nga kjo sëmundje janë më të mëdha nëse edhe ndonjë pjestarë i familjes suaj vuan nga ajo. Ekzema nuk është sëmundje ngjitëse, që do të thotë nuk mund ta merrni nga njerëzit e tjerë, mirëpo shkaktari i ekzemës dhe dermatitit atopik nuk dihet saktësisht.
Si diagnostifikohen ekzema dhe dermatiti atopik?
Mjeku juaj mund ta diagnostifikoj ekzemën thjeshtë duke e ekzaminuar me sy, e megjithatë ata do ta shikojnë edhe historinë tuaj mjekësore. Është shumë e rëndësishme t’i tregoni mjekut tuaj nëse vuani nga ndonjë alergji apo astma. Mjeku juaj mund të iu udhëzoj edhe të bëni analiza të gjakut për tu siguruar se vuani nga kjo sëmundje.
A mund të parandalohen ekzema dhe dermatiti atopik?
Ju mund të mos e merrni vesh kurrë se çfarë e ka shkaktuar ekzemën apo dermatitin atopik te ju, prandaj edhe është shumë e vështirë të parandalohet. Shërim të plotë për ekzemën nuk ka, mirëpo ju mund të ndërmerrni hapa për ta bërë sëmundjen të menaxhueshme. Për më tepër ju mund të mësoni se cilat gjëra shkaktojnë reagime të ekzemës dhe tu shmangeni atyre.
Mundohuni të mos keni kontakt me gjëra të cilat i shkaktojnë irritim lëkurës suaj, si:
- Mjetet për pastrimin e shtëpisë
- Detergjentët
- Locionet pas rrojës
- Sapunët
- Benzina
- Terpentina
Largohuni nga gjërat që shkaktojnë reagime të ekzemës. Lagështia dhe sapuni janë irritues të lëkurës, andaj lajini duart vetëm kur është e domosdoshme dhe përdorni spaunë të butë dhe te paaromatizuar. Sapunë të tillë prodhojnë kompanitë Dove, Basis, Olay dhe të tjerë. Sigurohuni që pas larjes t’i thani duart tërësisht.
Përdorni dorëza për t’i mbrojtur duart tuaja
Përdorni dorëza të plastikës kur iu duhet patjetër që t’i mbani duart në ujë, apo kur jeni të ekspozuar para irrituesëve të tjerë të mundshëm. Nëse duart tuaja djersiten shumë, përdorni dorëza pambuku nën ato të plastikës, si dhe pushoni shpeshëherë.
Dorëzat janë të nevojshme edhe gjatë dimrit, pasiqë ajri i ftohtë dhe lagështia e ajrit mund ta thajnë lëkurën tuaj, e cila pastaj mund ta përkeqësoj gjendjen e ekzemës. Vishni rroba të pambukut, pasiqë leshi dhe materialet sintetike mund të irritojnë lëkurën tuaj.
Kujdesuni për lëkurën tuaj gjatë larjes
Përdorni vetëm sapun të butë dhe të paaromatizuar për t’iu shmangur irritimeve. Uji gjatë larjes duhet të jetë i vakët, por kurrsesi i nxehtë. Qëndrimi në ujë të vakët për kohë më të gjatë mund t’i bëjë shumë mirë lëkurës tuaj, pasiqë shtresa e jashtme e absorbon ujin dhe bëhet më pak e thatë.
Qëndroni në ujë nga 15 deri në 20 minuta. Pas kësaj përdorni peshqir të butë për ta tharë lëkurën tuaj me kujdes. Për ta mabjtur lagështinë e absorbuar të lëkurës tuaj përdorni ndonjë kremë menjëherë pas dushit.
Lyeni me kremë lëkurën tuaj çdo ditë
Kremat e mbajnë lëkurën tuaj të butë dhe elastike, ato parandalojnë edhe çarjen. Një kremë e thjeshtë funksionon më së miri. Kremat që janë të aromatizuar dhe me shumë përbërës nuk janë të preferueshme. Vaselina është një opsion i thjeshtë dhe i lirë për ta përdorur. Kremat me përmbajtje vaji janë më të mira se ato kremozet pasiqe kan më pak prezervativë në përmbajtjen e tyre.
Përdorimi i kremave në baza ditore e parandalon tharjen e lëkurës e cila është tejet e zakonshme gjatë dimrit.
Shmangiuni djersitjes
Nxehtësia trupore e tepërt dhe djersitja mund ta bëjnë lëkurën tuaj të irritueshme dhe të shkaktojë kruarje. Mundohuni të iu shmangeni aktiviteve të cilat ju shkaktojnë shumë djersitje.
Mjekimi i ekzemës dhe dermatitit atopik
Mjeku juaj mund të iu përshkruaj krema me kortikosteroide për të lehtësuar gjendjen e lëkurës tuaj. Këto lloje kremash e ndalojnë kruarjen dhe e qetësojnë skuqjen. Përdorimi i tyre bëhet menjëherë pas dushit.
Ndjekni udhëzimet e mjekut tuaj apo udhëzimet e paketimit para përdorimit të këtyre llojeve të kremave. Bisedoni me mjekun tuaj nëse lëkura juaj nuk përmirësohet pas 3 javësh të përdorimit të kësaj kreme.
Ne raste të kruarjes ekstreme antihistaminë si hidroksina ndihmojnë shumë. Edhe një lloj i ri i ilaçeve të quajtura imunomodulatorë kanë efekt të madh për të ndalur kruarjet.
Dy lloje të këtij grupi ilaçesh janë tacrolimus dhe pimecrolimus. Këto ilaçe nuk e lënë sistemin tuaj imunitarë të reagoj më ashpër se që duhet kur stimulohet nga ndonjë alergjen.
Megjithatë këto ilaçe mund të ndikojnë në sistemin tuaj imunitar, prandaj Administrata për Ushqim dhe Ilaçe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës rekomandon që këto ilaçe të përdoren vetëm në rastet kur tretmanet e tjera nuk kanë efekt.
Mundohuni të mos e kruani pjesën e irrituar të lëkurës tuaj. Kruarja mund ta gërvish lëkurën tuaj dhe bakteriet të futen në këto të çara. Përdorimi i kremave e lehtëson simptomën e kruarjes.
Jeta me ekzemë dhe dermatit atopik
Reagimet e ekzemës mund të shkaktohen edhe kur jeni duke përjetuar stres, andaj është e rëndësishme që ju të dini ta menaxhoni mirë stresin. Ndërrimi i aktiviteteve të përditshme mund të ndihmoj në menaxhimin e stresit.
Pjesa e cila ka qenë e prekur nga ekzema kërkon kujdes të posaçëm pasi shumë lehtë mund të irritohet sërish. Vazhdoni t’i ndiqni udhëzimet e përmendura më lartë edhe pasi lëkura juaj të shërohet.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- Cila formë e mjekimit më përshtatet më së shumti?
- A bënë të përdorë ndonjë kremë me steroide?
- Cilat janë efketet anësore te kremave me steroide?
- A më duhet të përdorë ilaçe të tjera?
- Cila është mënyra më e mirë për t’i parandaluar reagimet e ekzemës dhe dermatitit atopik?
- A ka ndonjë lloj specifik të sapunëve të cilin duhet ta përdorë?
- Fëmija im vuan nga ekzema. Çfarë kreme i përshtatet atij/asaj më së shumti?
- Si mund ta ndaloj fëmijën tim që ta kruaj lëkurën e irrituar?
- Unë vuaj nga ekzema. A do të iu trashëgohet edhe fëmijëve te mi?
- Si të kujdesem për lëkurën time gjatë një reagimi të ekzemës?