Rënia e Flokëve: Simptomat, Diagnostifikimi dhe Trajtimi
Cikli i rritjes së flokëve zgjatë nga 2 deri në 3 vite. Secila fije e flokut rritet përafërsisht 1 centimetër gjatë muajit gjatë kësaj faze. Rreth 90% e flokëve në kokën tuaj rritet gjatë gjithë kohës. Ndërsa 10% tjetër gjendet në gjendje pushimi. Pas një faze prej 3 apo 4 muajsh, flokët që janë në gjendje pushimi bien, dhe flokë të reja fillojnë të dalin në vend të tyre.
Rënia e disa fijeve të flokëve gjatë atij cikli është tejet normale. Megjithatë, disa njerëz mund të përjetojnë rënie të madhe (më shume se sa është normale) të flokëve. Rënia e flokëve është çrregullim që mund të haset te meshkujt, femrat dhe fëmijët.
Çfarë është rënia masive e flokëve?
Rënia masive e flokëve zakonisht i referohet rënies së flokëve te meshkujt. Shkencëtarisht ky çrregullim njihet me emrin alopecia androgjenike. Ky është çrregullimi kryesor i cili e shkakton rënien e flokëve të meshkujt. Njerëzit të cilët e kanë këtë lloj të flokut zakonisht e trashëgojnë atë nga familja. Njerëzit te të cilët rënia e flokëve fillon qysh në moshë të re kanë gjasa më të mëdha për tu bërë tullac. Zakonisht meshkujve u bien flokët duke filluar nga balli e deri te maja e kokës. Ndërsa te femrat bëhet dobësimi i dukshëm i flokëve në të gjithë kokën.
Simptomat e rënies së flokëve
Te shumica dërmuese e njerëzve, flokët bien gradualisht, për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo ndodhë posaqërisht te meshkujt. Humbja e flokëve konsiderohet si rënie masive kur flokët dobësohen dukshëm apo në kokë fillojnë të shfaqen hapësira tullace. Në disa raste flokët mund të bien edhe njëherazi, pa paralajmërim. Kjo zakonisht ndodhë kur trupi ynë pëson ndonjë shok fizik apo emocional.
Çfarë e shkakton rënien masive të flokeve?
Disa faktor mund të ndikojnë në rënien e flokëve. Ndonjëherë ju mund të pësoni rënie të flokëve pas 3 apo 4 muajve që keni përfunduar ndonjë operacion kirurgjik apo keni mposhtur ndonjë sëmundje. Ky lloj i rënies së flokëve është i përkohshëm dhe zakonisht shkaktohet nga stresi.
Problemet hormonale gjithashtu mund të shkaktojnë rënie të flokëve. Nëse gjëndra juaj tirodie është me shumë ose më pak aktive se që duhet, flokët tuaj mund të bien. Kjo rënie e flokëve zakonisht mund të përmirësohet duke e bërë mjekimin e gjëndrës tiroide. Rënia e flokëve, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, mund të shkaktohet si pasojë e mos balancimit të hormoneve si: estrogjeni dhe androgjeni. Rregullimi i këtij mos-balancimi mund ta ndaloj rënien tuaj të flokëve.
Shumë gra vërejnë rënie të flokëve rreth 3 muaj pasi kanë lindur foshnjën e tyre. Edhe ky lloj i rënies së flokëve shkaktohet si pasojë e hormoneve. Gjatë shtatzanisë, nivelet e ngritura të disa hormoneve e pamundësojnë rënien normale të flokëve. Kur këto hormone kthehen në nivele normale, ato fijet të flokut bien përnjëherë dhe pastaj fillon cikli i rritjes dhe rënies së flokëve si zakonisht.
Ilaçe të caktuara, gjithashtu, mund ta shkaktojnë rënien e flokëve. Ky lloj i rënies së flokëve përmirësohet pasi ju e ndaloni konsumimin e këtij ilaçi. Llojet e ilaçeve të cilat mund ta shkaktojnë rënien e flokëve janë: holluesit e gjakut (ndryshe njihen edhe si antikoagolues), ilaçet për cermë, ilaçet për shtypjen e lartë të gjakut, ilaçet për problemet e zemrës, vitamina A (nëse konsumohet në sasi të mëdha), pilulat kundër shtatzanisë dhe antidepresantët.
Infeksionet e caktuara gjithashtu mund ta shkaktojnë rënien e flokëve. Infeksionet fungale të kokës mund ta shkaktojnë rënien e flokëve si te të rriturit ashtu edhe te fëmijët. Këto infeksione trajtohen me ilaçe antifungale.
Së fundmi, rënia e flokëve mund të shkakotohet si pasojë e ndonjë sëmundje më vështirë të dallueshme si diabeti dhe lupus. Duke pasur parasyshë se rënia e flokëve mund të jetë simptomë e hershme e ndonjë sëmundje, është tejet e rëndësishmë që ju ta zbuloni shkaktarin e rënies tuaj të flokëve.
A e shkaktojnë rënien e flokëve stilet e ndryshme të tyre?
Po. Nëse i lidhni apo gërshetoni flokët tuaj shtrëngushëm, apo nëse përdorni mjete për dredhjen e tyre, flokët tuaj mund të tërhiqen shumë. Kjo tërheqje mund ta shkaktoj një çrregullim të quajtur traction alopecia. Nëse e ndaloni tërheqjen e flokëve para se të dëmtohet lëkura e kokës, atëherë flokët tuaj do të rriten normalisht, Mirëpo nëse lëkura e kokës ka pësuar dëmtime, mund të shkaktohet humbja e përhershme e flokëve. Trajtimet me vaj të nxeht apo kimikate mund të shkaktojnë enjtje të folikulës së flokut, e cila rrjedhimisht mund të shkaktoj rënien e flokëve.
Si diagnostifikohet rënia e flokëve?
Nëse ju dyshoni se jeni duke vuajtur nga rënia masive e flokëve, bisedoni me mjekun tuaj. Mjeku do iu pyes për mënyrën se si ushqeheni, çfarë ilaçe përdoeni, nëse keni pasur ndonjë sëmundje kohëve të fundit dhe se si kujdeseni për flokët tuaj zakonisht. Nëse jeni femër , mjeku gjithashtu mund të iu pyes rreth ciklit tuaj menstrual, shtatzanitë dhe menopauzës. Mjeku juaj mund tu bëjë një ekzaminim fizik për të përcaktuar shkaktarin e rënies së flokëve. Mjeku madje mund të iu kërkojë të bëni analizat e gjakut apo një biopsi (marrjen e një mostre për ta ekzaminuar nën mikroskop).
Renia e Flokëve: Parandalimi
Rënia e flokëve nga mosha nuk mund të parandalohet sepse është gjenetike, pra trashëgohet gjeni nga familja.
Ndërsa disa lloje të tjera të rënies së flokëve mund të parandalohen. Për shembull ju mund ta parandaloni rënien e flokëve duke mos i gërshetuar flokët tuaj shtrëngueshëm, si dhe mund të konsultoheni me mjekun për tu siguruar se nuk konsumoni ilaçe të cilat e shkaktojnë rënien e flokëve.
Mjekimi i rënies së flokëve
Varësisht nga lloji i rënies së flokëve dallon edhe mjekimi. Nëse rënia e flokëve tuaj është duke u shkaktuar nga ilaçet, mjeku mund të iu gjejë ilaçe të tjera zëvendësuese. Mjekimi i infeksioneve e ndalon edhe rënien e flokëve. Ndërsa balancimi i hormoneve mund ta parandaloj rënien e mëtutjeshme të flokëve.
Ilaçe të caktuara, gjithashtu mund të ndihmojn në ngadalsimin apo parandalimin e rënies së flokëve. Një lloj i ilaçit i quajtur minoxidil aplikohet në lëkurë të kokës dhe mund të përdoret si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt. Ilaç tjetër është edhe finasteridi i cili vie në formë të pilulave dhe shërben vetëm për meshkujt. Mund të duhen deri në 6 muaj para se ju të vëreni nëse këto ilaçe kanë ndikim te ju apo jo.
Jeta me rënie të flokëve
Jeta me flokë të rëna mund të jetë shumë e vështirë. Shumica prej nesh e konsiderojnë një kokë të mbushur plotë me flokë si epitomë të rinisë dhe shëndetit. Pa marrë parasyshë se sa vjeçar jeni, rënia e flokëve mund tu bëjë të ndiheni të vjetër. Ajo mund tu bëjë të ndiheni më pak të hishëm, e madje edhe ta ulë vetbesimin tuaj. Mbani në mend se këto ndjenja janë valide. Nuk ka asgjë të keqe nëse jeni në kërkim të ndonjë metode për ta ndaluar rënien e flokëve. Ju nuk duhet të ndiheni në faj për arsye se kërkoni ta rregulloni rënien tuaj të flokëve.
Nëse nuk ekziston ndonjë formë adekuate e mjekimit për llojin tuaj të rënies së flokëve, mund t’i konsideroni edhe opsionet artificiale siq janë paruket.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- Cili është shkaktari i rënies time të flokëve?
- A ka ndonjë lloj të mjekimit që do të më përshtatej mua?
- Sa kohë do t;i duhet flokëve të mi për tu rritur sërish?
- A do të rriten flokët e mi si më parë apo do të ketë ndryshime?
- Unë kam infeksion fungal. Sa kohë do t’i duhet ilaçeve për të pasur efekt?
- A duhet ta ndërroj stilin e flokëve të mi?
- A mund të bëjë ndonjë gjë për t’i bërë flokët e mi të duken më të shëndetshëm?