Cerma: Simptomat, Diagnostifikimi dhe Trajtimi
Cerma është një lloj i zakonshëm i artritit. Dallohet nga enjtja dhe dhimbja në nyje. Më së shpeshi ndodh në njërin apo dy gishtat e mëdhenj të këmbës. Mund të prek shputat, kyçet e këmbëve, gishtat, kyçet e duarve, bërrylat, e gjithashtu edhe gjunjët. Cerma paraqitet më shpesh tek meshkujt se sa tek femrat. Ajo ka më shumë gjasa të paraqitet tek femrat pas menopauzës. Cerma mund të jetë akute (afatshkurtër) dhe kronike (afatgjatë).
Simptomat e cermës
Simptomat e cermës mund të jenë të papritura dhe shpesh fillojnë në mbrëmje. Nyja e prekur enjtet dhe bëhet e kuqe, e nxehtë dhe e dhimbshme. Nyja mund të bëhet e ngurtë dhe të dhemb kur e prekni. Një sulm akut i cermës zgjatë mesatarisht 3 deri 10 ditë. Cerma kronike ndodh më shpesh, por mund të jetë më pak e ashpër.
Çka e shkakton cermën?
Sasia e tepruar e acidit urik në trupin tuaj shkakton cermën. Acidi urik formohet kur trupi juaj i shpërbën substancat të quajtura purina. Purinat ndodhen gjithashtu edhe në disa ushqime, të cilat i hajmë. Normalisht, acidi urik tretet në gjak dhe kalon përmes veshkëve në urinë. Tek njerëzit që kanë cermë, acidi urik grumbullohet dhe formon kristale të mprehta në hapësirën e nyjes. Cerma është gjenetike dhe mund të kaloj nëpër familje. Stresi, dieta e dobtë, përdorimi i alkoolit, dhe probleme të tjera shëndetësore mund të shkaktojnë sulmin e cermës.
Si diagnostifikohet cerma?
Doktori juaj do të bëjë një test fizik dhe do të rishikoj simptomat dhe historinë tuaj shëndetësore. Tregoni atij në qoftë se cerma paraqitet familjarisht tek ju.Doktori mund të zbuloj cermën duke shikuar nyjet tuaja. Për të konfirmuar një diagnozë, ai do të bëjë analiza të gjakut apo do të marr një mostër nga lëngu i nyjes. Këto do të tregojnë për nivelin e acidit urik si dhe për praninë e kristaleve të acidit urik.
A mund të parandalohet apo të shmanget cerma?
Janë disa mënyra që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut nga cerma si dhe të parandalojnë sulmet në të ardhmen.
- Kufizoni apo shmangni ushqimet, të cilat janë të pasura me purina. Këto përfshijnë salmonin, sardelet, harengat, mishorganesh, shparg dhe kërpudha.
- Përpiquni të hani ushqime që kanë sasi të ultë të kripërave dhe yndyrërave.
- Humbni peshë, nëse jeni mbipeshë.
- Kufizoni sasinë e alkoolit që pini.
- Pini shumë ujë që të ndihmoni largimin e acidit urik nga trupi juaj.
Gjendje të caktuara shëndetësore mund të rrisin mundësinë që të prekeni nga cerma. Trajtohuni nëse keni kolesterol të lartë, shtypje të lartë të gjakut apo diabet.
Medikamentet që mund të shkaktojnë cermën përfshijnë:
- Diuretikët (pilula të ujit) që përdoren për të trajtuar shtypjen e lartë të gjakut.
- Niacina (një vitaminë B-kompleks).
- Aspirina (e marrur në doza të ulta).
- Ciklosporina, që përdoret për ta parandaluar trupin nga refuzimi i një organitëri pas operacionit të transplantit.
- Disa ilaçe, që përdoren për trajtimin e kancerit.
- Pirazinamida dhe etambutoli, të cilat përdoren për trajtimin e tuberkolozës.
Trajtimi i cermës
Sa më herët që filloni trajtimin, aq më shpejt largohet dhimbja. Janë disa gjëra që mund të bëni për t’i trajtuar simptomat:
- Kufizoni sasinë e proteinave shtazore që konsumoni.
- Shmangni alkoolin tërësisht.
- Pini më shumë ujë për të larguar acidin uric nga trupi.
- Kufizoni përdorimin e nyjes së prekur dhe pushoni në shtrat.
- Mbani rrobat dhe mbulesat larg nyjës për ta shmangur irritimin e nyjës.
- Ngriteni nyjen që të ndihmoni reduktimin e enjtjes.
- Merrni medikamente për reduktimin e enjtjes dhe lehtësimin e dhimbjes. Ilaçet që mund t’i merrni pa recetën e mjekut përfshijnë ibuprofen dhe naproxen. Doktori juaj mund t’ju përshkruaj edhe ilaçe tjera. Për shembull: kortikosteroidet, siprednisoni, apokolkicina.
Të jetosh me cermë
Me një trajtim të duhur, sulmi i cermës do të duhej të largohej për disa ditë. Nëse lihet e patrajtuar, mund të zgjasë disa ditë ose javë.Flsini me doktorin tuaj nëse vazhdoni të keni sulme të cermës. Sa më të shpesha që janë, aq më shumë mund të zgjasin dhe prekin më shumë nyje. Doktori juaj mund t’ju përshkruaj medikamente, të cilat ndihmojnë në parandalimin e sulmeve të ardhshme të cermës.
Këto medikamente e shpërlajnë acidin urik nga nyjet tuaja, ulin nivelin e tij në trup dhe e reduktojnë enjtjen. Aspirina mund të interferoj me mënyrën se si këto medikamente funksionojnë.
Përpunoni me doktorin tuaj një plan të trajtimit për ta menagjuar cermën. Ju mund të keni nevoj të bëni vizita rutinore për të kontrolluar nivelin e acidit urik.
Me kalimin e kohës, sulmet e cermës mund të shkaktojnë tofi. Këto janë kristale të acidit urik, që formojnë gunga nën lëkurë. Mund të formohet në gishta te duarve dhe këmbëve, duar dhe bërryla. Shkakton dhimbje kronike dhe mund të shkatërroj kockat përreth nyjeve. Gjithashtu mund të iu formohen edhe gurët në veshka apo sëmundja e veshkave nga kristalet e acidit urik që grumbullohen në traktin urinar.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- Përse disa njerëz preken nga cerma e të tjerët jo?
- Nëse një herë kam sulm të cermës, a do të kem gjithmonë cermë?
- Cfarë ilaqe duhet te marrë, per të parandaluar sulmet e ardhshme?
- Nëse kam cermë, a jam i rrezikuar nga llojet tjera të artritit?
- A jam i rrezikuar nga një dëmtim afatgjatë i nyjeve?