AIDS (SIDA): Simptomat, Diagnostikimi dhe Trajtimi
Përmbajtja
AIDS apo Sida (sindromi i mungesës së imunitetit të fituar) është një gjendje kërcënuese për jetën që shkaktohet nga virusi i mungesës së imunitetit të njeriut (HIV). Virusi e bën trupin tuaj të dobët dhe të paaftë për të luftuar infeksionet. E bën këtë duke sulmuar sistemin imunitar të trupit tuaj, duke vrarë qelizat CD4 (të quajtura edhe qeliza T). I lënë pa trajtim, HIV mund të vrasë aq shumë qeliza CD4 sa që trupi juaj nuk mund të luftojë më kundër infeksioneve. Kur kjo ndodh, konsiderohet si faza 3 e HIV ose AIDS.
Simptomat e AIDS – SIDA
Simptomat e AIDS shkaktohen nga sistemi imunitar i dobësuar i trupit. Kjo do të thotë se nëse keni AIDS, trupi juaj nuk mund të luftojë kundër infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera. Njerëzit që kanë AIDS janë në rrezik të lartë për të marrë infeksione oportune. Këto infeksione mund të shkaktohen nga bakteret, viruset, kërpudhat, etj. Ato mund të ndikojnë në çdo pjesë të trupit. AIDS gjithashtu ju vë në rrezik më të lartë për kancere te caktuara, sidomos limfomat dhe kancerin e lëkurës.
Simptomat e AIDS-it (SIDA) ndryshojnë, por mund të përfshijnë:
- Infeksionet e mushkërive (kollë, ethe dhe gulçim)
- Infeksionet e zorrëve (diarre, dhimbje abdominale dhe vjellje)
- Lodhje ekstreme
- Ёnjtje të gjëndrave limfatike
- Plagë të gojës
- Ethe
- Djersitje
- Skuqje ose lëndim të lëkurës
- Humbje peshe
Çfarë e shkakton SIDA?
SIDA shkaktohet nga virusi HIV. Virusi përhapet nga personi në person në disa mënyra. Ju mund të merrni HIV duke pasur marrëdhënie seksuale me një person që ka HIV. Ju gjithashtu mund ta merrni atë virus nëse ndani një gjilpërë me dikë që ka HIV. Nënat shtatzëna që kanë HIV mund ta kalojnë atë tek foshnjat e tyre gjatë shtatzënisë, lindjes ose gjatë dhënies së gjirit.
Si diagnostikohet SIDA?
Kur keni HIV, mjeku juaj do të monitorojë numrin tuaj të CD4 permes një testi gjaku. Një numër i shëndoshë CD4 varion nga 500 deri në 1,600 qeliza CD4. Sa më i ulët numri juaj i CD4, aq më pak trupi juaj mund të luftojë infeksionin. Nëse numri juaj CD4 bie nën 200, mjeku juaj mund t’iu diagnostifikojë me AIDS. Shumë herë, ju gjithashtu do të keni një infeksion ose pneumoni për shkak të numrit të ulët të qelizave CD4.
A mund të parandalohet apo shmanget SIDA?
Ju mund ta parandaloni SIDA-n duke parandaluar HIV-in. Mënyra më e mirë për të parandaluar HIV është që të mos keni marrëdhënie seksuale (vagjinale, anale, ose gojore) me një person që ka HIV, ose të ndani një gjilpërë me një person që ka HIV.
Mënyra të tjera për parandalimin e HIV përfshijnë:
- Kur ke marrëdhënie seksuale, praktiko seks “më të sigurt” duke përdorur prezervativ. Prezervativi më i mirë është një kondom lateks për meshkuj. Prezervativi femëror nuk është aq efektiv, por ofron disa mbrojtje.
- Mos ndani gjilpëra dhe shiringa.
- Asnjëherë mos lejoni që gjaku, sperma, urina, lëngu vaginal, apo fecesi (jashtëqitja) e dikujt tjetër të futen në anusin, vaginën ose gojën tuaj.
Trajtimi i SIDA-s
Edhe pse nuk ka shërim për HIV, ka shumë ilaçe në dispozicion për të ndihmuar në luftimin e saj. Këto ilaçe (të quajtura terapi antiretrovirale ose ART) shpesh do të parandalojnë përparimin nga HIV në SIDA. Edhe kur HIV përparon në SIDA, terapia antiretrovirale shpesh është ende efektive. Megjithatë, është më së shumti efektive sa më herët që e filloni trajtimin.
Të jetosh me SIDA
Pa trajtim, shkalla e mbijetesës për dikë me SIDA është rreth 3 vite. Ky numër zvogëlohet nëse ata marrin një infeksion ose kancer, si rezultat i sistemit imunitar të dobësuar.
Me trajtim, shkalla e mbijetesës për HIV dhe madje edhe SIDA është shumë më e madhe. Njerëzit me HIV, të cilët janë diagnostikuar herët, mund të kenë një jetëgjatësi që është pothuajse e njëjtë me atë të një personi që nuk ka HIV.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- Kur duhet të filloj marrjen e ilaçeve antiretrovirale?
- Si do të vendosni se cilin ilaç duhet të marr?
- A ka ndryshime në stilin e jetës që duhet të bëj për të qëndruar i shëndetshëm?
- Si mund ta mbroj partnerin tim gjatë seksit?
- Si mund të mbrohem nga infeksionet oportune?
- A mund të kem një kafshë?