Lart

Sëmundjet e mushkërive që shfaqen pas të 40-ve, shenjat dhe trajtimi

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), kanceri dhe astma mbeten sëmundjet që rrezikojnë moshën e tretë. Përmes një interviste dhënë, shefja e pavijonit të pneumologjisë në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, Silvana Bala ndalet në mënyrë të detajuara mbi secilën nga këto patologji.

Në çdo rast, sipas doktoreshës, armiku kryesor mbetet konsumimi i duhanit, ndaj edhe ndërprerja e tij është një ‘armë’ për të fituar betejën ndaj sëmundjes dhe komplikacioneve që ajo mund të sjellë. Një rol të rëndësishëm luan edhe diagnostikimi i hershëm, ndjekja me përpikëri e skemës së mjekimit dhe regjimi ushqimor.

Cilat janë sëmundjet e mushkërive, që prekin kryesisht moshën e tretë?

Mosha e tretë është më e rriskuar nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike(SPOK). Është një patologji, e cila ka të bëjë me një vuajtje kronike të rrugëve të frymëmarrjes, e cila pasohet më tej me dëmtime të parikthyeshme të vetë indit apo mishit mushkëror. Do ta rendisja në vendin e parë këtë sëmundje për nga përhapja, për vetë faktin se ajo është e lidhur me duhanpirjen për një kohë të gjatë.

Nëse një person ka filluar të konsumojë duhan në moshën 20 vjeç, simptomat e para të sëmundjes do të nisin të shfaqen menjëherë pas të 40-ve. Me kalimin e viteve, që korrespondon me moshën e tretë, sëmundja përparon duke i invalidizuar pacientët. Ata do të jenë të varur nga terapia me oksigjen, përveç terapisë së përditshme që marrin nëpërmjet pompave.

Përparimi i sëmundjes mund të parandalohet, nëse diagnostikohet në fazat e para?

Ka raste kur edhe pas të 40-ve të konstatojmë pacientë që janë në stade të parikthyeshme. Por, nëse ne i diagnostikojmë në stadin e dytë, edhe rezultatet do të jenë më të mira. Një skemë korrekte mjekimi dhe ndërprerja e duhanit bëjnë që të rikuperohet një përqindje shumë e madhe e funksionit respirator, për rrjedhojë këta pacientë nuk shkojnë drejt invalidizimit.

Por duke qenë se janë duhanpirës kronikë, ata e kanë shumë të vështirë pjesën e ndërprerjes së duhanit. Duke mos hequr dorë nga ky ves, ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se po shkojnë në rrugën e parikthyeshmërisë. Stadi i III dhe stadi IV i sëmundjes konsiderohet i avancuar dhe i kthen këta pacientë në invalidë me një kosto shumë herë më të lartë për shtetin.

Përveç duhanit, a ka faktorë të tjerë që ndikojnë?

Për moshën e tretë do të veçoja edhe ata pacientë të sëmurë kronikë pulmonarë, të cilët kanë punuar në rininë e tyre të hershme në miniera. Ndotja e ambientit të punës me një koncentrim shumë të lartë të pluhurave, qëndrimi për një kohë shumë të gjatë nëntokë, mosmbrojtja po ashtu, ka sjellë depozitimin e pluhurave në mushkri.

Por vendosja e pluhurit në mushkri dhe instalimi i silikozës prish procesin bazë të frymëshkëmbimit dhe këta pacientë bëhen deficitarë në presionet normale të oksigjenit në gjak, pra, kemi ulje të oksigjenit në gjak, gjë e cila korrespondon me pamjaftueshmërinë e tyre në frymëmarrje. Kjo sëmundje ka predispozitë të avancojë dhe të shkaktojë probleme me zemrën.

Pra, fillojnë dhe komprometohen edhe organet e tjera, pra, komplikacionet, siç janë pamjaftueshmëria në frymëmarrje, zemra mushkërore, sistemi periferik i tyre. Këta pacientë do të vuajnë po ashtu nga edemet.

Veç minatorëve, cilat kategori të tjera janë kontingjente risku? Kontingjent risku është çdo individ, që punon në ambiente të ndotura. Por duke qenë se po flisnim për moshën e tretë, veçoj ata, të cilët kanë punuar në minierë para viteve ’90, si edhe ata që kanë punuar në metalurgji, te të cilët është po ashtu e instaluar sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes, këta persona rrezikojnë invalidizimin.

Sa i takon mjekimit, në rastin e SPOK, cilat janë metodat që aplikohen? Këta pacientë kanë të rimbursueshme të gjitha medikamentet që marrin në shtëpi. Riakutizimet trajtohen në spital, nuk është e rimbursueshme vetëm oksigjeno-terapia, për të cilën ne po luftojmë që ta përfshijmë në skemë.

Në pjesën akute të infeksionit, kur kemi deficite të mëdha të oksigjenit në gjak, pacientët trajtohen në kushte reanimacioni. Kërkojnë patjetër trajtim me antibiotikë, mjekim me corticoterapi, mjekim me aerozoloterapi, gjë të cilën e zëvendëson në shtëpi me trajtimin me pompa dhe mund të shkojë deri në ventilimet mekanike joinavazive dhe inavizive.

Pra joinvazive nëpërmjet aparateve që quhen sipape dhe invasive deri në frymë- marrje të drejtuar. Sot me mundësinë individuale të çdo individi ka shumë pacientë që i kanë të blera këto pajisje, ndërsa mjekimi është plotësisht i rimbursueshëm nga shteti, këtu përfshihen pompat.

Tjetër patologji, e cila haset te mosha e tretë? Përveç sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK)çfarë konstatohet te mosha e tretë është edhe kanceri pulmonar apo kanceri i mushkërive. Të riskuar edhe në këtë rast janë personat në moshën mbi 50 vjeç dhe ata që konsumojnë duhan. Por edhe ata, që vuajnë nga sëmundja e silikozës janë kontingjent risku.

Vetë prishja e strukturës së mushkërisë është provabël për një atipizëm qelizor, që lind kancerin e mushkërive. Ka shumë raste që ne hasemi me pacientë, që kanë sëmundje kronike obstruktive pulmonare dhe kancer, pasi kanë vepruar me të njëjtin organizëm, që është stresi oksidativ.

Rritja e lëndëve oksidante në gjakun e njeriut është elementi kyç, mbi të cilin lind atipizimi dhe sëmundja kronike obstruktive. Antioksidantët, të cilët janë enzimat, vitamina C, e cila sintetizohet në hepar është e pazonja për të inaktivizuar oksidentin, i cili është një element që çlirohet nga djegia e duhanit, pasi gjendet në tymin e tij. Në këtë mënyrë, edhe kanceri në këtë moshë ka si faktor risku moshën, ndotjen e ambientit dhe duhanin.

Disa këshilla që dëshironi t’i ndani edhe me lexuesit?

E para gjë që këshilloj është ndërprerja e duhanit. Dyoksidi i karbonit është shumë i rrezikshëm, pasi depërton në rrugët respiratore dhe në gjakun e këtyre pacientëve. Krijon insulte cerebrale, nxit arteriosklerozën, nxit ngushtimin e rrugëve ajrore, sjell kancer. Pra, është një zinxhir i gjatë procesesh, efektesh anësore.

Dua ta vë theksin po ashtu në masat që duhet të marrë shteti në ajrosjen e ambienteve, të cilat konsiderohen me kimikate dhe me pluhura, siç janë industria fasone dhe rrobaqepësitë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, marrja dhe aplikimi i skemës së mjekimit në mënyrë të kujdesshme sikundër ka rekomanduar mjeku, pasi ndërprerja dhe rifillimi mund të ketë kosto. Pa diskutim, rol ka edhe dieta që është shumë e rëndësishme, sidomos për një nënë shtatzënë, që do të lindë një fëmijë. Për ta pasur të shëndetshëm nga ana e mushkërive duhet të ushqehet shëndetshëm dhe s’duhet të pi cigare.

Shpërndaj
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com