Lart

Depresioni: Simptomat, Diagnostikimi dhe Parandalimi

Kur mjekët flasin për depresionin, ata nënkuptojnë sëmundjen mjekësore të quajtur depresioni i madh. Dikush që ka depresion të madh ka simptoma gati çdo ditë, gjatë gjithë ditës, për 2 javë ose më gjatë. Ekziston edhe një formë e depresionit që shkakton simptoma më pak të rënda. Të dyja llojet e depresionit kanë të njëjtat shkaqe dhe trajtime.

Depresioni mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave dhe është i ndryshëm për çdo person. Një person që ka depresion nuk mund të kontrolloj ndjenjat e tij ose të saj. Nëse ju ose fëmija, adoleshenti ose një i afërm i juaj i moshuar është në depresion, nuk është faji i tij ose saj. Nëse nuk trajtohet, depresioni mund të zgjasë për javë, muaj apo edhe vite.

A është depresioni më i zakonshëm tek gratë sesa tek burrat?

Po. Gratë kanë dyfish më shumë gjasa se meshkujt të përjetojnë depresion. Arsyeja për këtë është e panjohur. Ndryshimet në nivelet e hormoneve të një gruaje mund të jenë të lidhura me depresionin.

depresioni

Cilat janë simptomat e depresionit?

Simptomat e depresionit janë të ndryshme për çdo person. Ju mund të keni një ose më shumë nga simptomat e renditura më poshtë. Simptomat tuaja mund të përfshijnë vetëm simptoma emocionale ose vetëm fizike, ose të dyja bashkë. Simptomat e depresionit mund të jenë të ndryshme për fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit.

Simptoma emocionale

  • Qanë lehtë ose pa asnjë arsye.
  • Përjetoni ndjenja të fajit apo pavlefshmërisë.
  • Ndjeheni të shqetësuar, të inatosur dhe lehtë të mërzitur.
  • Ndjeheni të trishtuar, mpirë apo të pashpresë.
  • Humbja e interesit ose kënaqësisë në gjërat që dikur ju kanë shijuar (përfshirë seksin).
  • Mendimet për vdekjen apo vetëvrasjen.


Simptoma fizike

  • Ndryshimet në oreks (të hahet më shumë se zakonisht, ose të hahet më pak se zakonisht).
  • Ndjeheni shumë të lodhur gjatë gjithë kohës.
  • Keni dhimbje që nuk përmirësohen me trajtim.
  • Telashe me kushtim të vëmendjes, kujtesë, koncentrim dhe marrje të vendimeve
  • Dhimbje të kokës, shpinës ose probleme të tretjes.
  • Fleni shumë gjatë ose keni probleme me gjumin.
  • Humbje ose shtuarje peshe pa qëllim.

 

Çfarë shkakton depresionin?

Depresioni mund të shkaktohet nga një çekuilibër i kimikateve në tru. Ndonjëherë nuk ka mjaftueshëm kimikate transmetuese (të quajtur neurotransmetues) në tru. Shembuj të neurotransmetuesve që ndikojnë në disponimin tuaj janë serotonina, norepinefrina dhe dopamina. Çekuilibri kimik në tru mund të shkaktohet nga një ose më shumë aryse, që janë mëposhtë:

  • Gjenet tuaja. Ndonjëherë depresioni është i trashëguar, që do të thotë se bartet në familjen. Ju mund të jeni më në rrezik për të pasur depresion nëse keni një prind ose vëlla/motër që ka depression.
  • Ndonjë gjendje shëndetësore. Problemet me mungesën e tiroidesë ose nutrientëve  mund të shkaktojnë depresion. Gjithashtu sëmundjet kronike siç janë sëmundjet e zemrës, diabeti ose kanceri mund të ndikojnë.
  • Ngjarjet në jetën tuaj. Depresioni mund të shkaktohet nga ngjarjet stresuese në jetën tuaj. Këto mund të përfshijnë vdekjen e dikujt që e doni, divorcin, ndonjë sëmundje kronike ose humbjen e punës.
  • Barnat, droga ose alkooli. Marrja e barnave të caktuara, abuzimi me drogë ose alkool, ose sëmundje të tjera mund të çojnë në depresion.

Depresioni nuk shkaktohet nga dobësia personale, dembelizmi apo mungesa e vullnetit.

 

A mund të shkaktojë lindja depresion?

Në ditët pas lindjes së një fëmije, është e zakonshme që disa nëna të kenë ndryshime të disponimit. Ato mund të ndihen pak në depresion ose t’a kenë të vështirë të përqëndrohen. Mund të humbin oreksin ose të mos mund të flenë mirë edhe kur foshnja është në gjumë. Kjo quhet mërzia e foshnjës dhe largohet brenda 10 ditëve pas lindjes. Megjithatë, disa gra kanë simptoma më të rënda ose simptoma që zgjasin më gjatë. Kjo dukuri quhet depresioni i pas-lindjes (postpartum).

 

Si diagnostikohet depresioni?

Ju duhet t’i tregoni mjekut tuaj për simptomat tuaja. Mos prisni që mjeku juaj të jetë në gjendje të mendoj se jeni në depresion vetëm duke ju shikuar. Mund të ndiheni i zënë ngushtë. Mund të jetë e vështirë për ju të imagjinoni se trajtimi në të vërtetë do t’iu ndihmojë të ndiheni më mirë. Por mos humbni kohë pa biseduar me mjekun tuaj. Sa më shpejt që të kërkoni trajtim, aq më shpejt do të largohet depresioni.

Sapo t’i tregoni mjekut tuaj se si ndiheni, ai ose ajo mund të ju bëjë disa pyetje në lidhje me simptomat tuaja, shëndetin dhe historinë e familjes suaj. Mjeku juaj mund t’iu bëjë edhe një provë fizikë dhe disa teste. Është e rëndësishme t’i tregoni mjekut tuaj për ndonjë ilaç që merrni.

 

Arsyet për të marrë ndihmë për depresion janë:

  • Diagnoza dhe trajtimi i hershëm ndihmon që depresioni të mos përkeqësohet ose të zgjasë për një kohë të gjatë.
  • Diagnoza dhe trajtimi mund t’iu ndihmojnë të ktheheni në vetën tuaj “normal” dhe të gëzoni jetën.
  • Pasi të jeni diagnostikuar, trajtimi mund të ndihmojë në parandalimin e rikthimit të depresionit.
  • Mendimet për vetëvrasje janë të zakonshme tek njerëzit me depresion. Rreziku i vetëvrasjes është më i lartë nëse nuk merrni ndihmë për depresionin tuaj. Kur depresioni trajtohet me sukses, mendimet e vetëvrasjes do të largohen.

 

A mund të parandalohet apo shmanget depresioni?

Në përgjithësi, depresioni është një gjendje që nuk mund të parandalohet. Mund të bëni ndryshime në stilin e jetës të cilat përmirësojnë disponimin tuaj dhe minimizojnë simptomat e depresionit.

Trajtimi i depresionit

Depresioni mund të trajtohet me ilaçe, me këshillim, ose me të dyjat. Një dietë ushqyese, të ushtruarit rregullisht dhe shmangia e alkoolit, drogës dhe kafeinës së tepërt mund të ndihmojë gjithashtu.

Depresioni zakonisht mund të trajtohet përmes vizitave tek mjeku. Ju mund të keni nevojë për trajtim spitalor nëse keni gjendje të tjera shëndetësore që mund të ndikojnë në trajtimin tuaj.

Trajtimi në spital kërkohet nëse jeni në rrezik të lartë të vetëvrasjes.

depresioni

Medikamentet

Mjeku mund të i’u përshkruajë ilaçe për të trajtuar depresionin. Këto quhen antidepresantë.  Këto ilaçe ndihmojnë në rritjen e numrit të transmetuesve kimikë (serotoninës, norepinefrinës, dopaminës) në trurin tuaj.

Ilaqet kundër depresionit punojnë ndryshe për njerëz të ndryshëm. Ato gjithashtu kanë efekte të ndryshme anësore. Pra, edhe nëse një ilaç ju shqetëson ose nuk funksionon për ju, një tjetër mund të ndihmojë. Ju mund të vini re përmirësimin 1 javë pasi të filloni të merrni ilaçin. Por ndoshta nuk do të shihni efektet e plota për rreth 8 deri në 12 javë. Në fillim mund të keni efekte anësore, por ato tentojnë të ulen pas disa javësh. Mos e ndaloni marrjen e ilaçeve pa e konsultuar më parë mjekun tuaj.

 

Këshillimi

Për depresion të lehtë dhe mesatar, këshillimi mund të jetë një opsion i mirë trajtimi. Për depresion të madh dhe për disa njerëz me depresion të lehtë, këshillimi mund të mos jetë i mjaftueshëm. Një kombinim i medikamenteve dhe terapisë me bisedë është zakonisht mënyra më efektive për trajtimin e depresionit më të rëndë. Nëse vazhdoni trajtimin e kombinuar për të paktën një vit, jeni më pak të prirur të riktheni depresionin.

Në psikoterapi, ju flisni me një terapist ose këshilltar të trajnuar për gjërat që po ndodhin në jetën tuaj. Fokusi mund të jetë në mendimet dhe besimet tuaja, në gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën tuaj ose në marrëdhëniet tuaja. Përqëndrimi poashtu mund të jetë në sjelljen tuaj, si ndikon ajo tek ju dhe çfarë mund të bëni ndryshe. Psikoterapia zakonisht zgjatë për një kohë të kufizuar, nga 8 deri në 20 vizita.

Në raste më serioze, mjeku juaj mund të sugjerojë përdorimin e terapisë elektrokonvulsive (e quajtur edhe terapi ECT ose elektroshok). Kjo është një procedurë e përdorur për të ndihmuar në trajtimin e sëmundjeve të caktuara mendore. Rrymat elektrike kalojnë nëpër tru për të shkaktuar një krizë apo atak (një periudhë e shkurtër e aktivitetit të parregullt të trurit), që zgjat rreth 40 sekonda. Jepen medikamente gjatë ECT-së për të ndihmuar në parandalimin e dëmtimit të muskujve dhe eshtrave.

 

Terapia elektrokonvulsive mund të ndihmojë njerëzit që kanë këto gjendje:

  • Depresion të rëndë që nuk i përgjigjet antidepresantëve (ilaçeve që përdoren për trajtimin e depresionit) ose këshillimit.
  • Depresioni i rëndë në pacientët të cilët nuk mund të marrin ilaqet kundër depresionit.
  • Mania e rëndë që nuk i përgjigjet ilaçeve. Simptomat e manisë së rënda mund të përfshijnë shqetësim, konfuzion, halucinacione ose iluzione.
  • Skizofrenia që nuk i përgjigjet ilaçeve.

 

Të jetosh me depresion

Pjesa më e rëndësishme e jetesës me depresion është mos të heqësh dorë. Nëse qëndroni të fokusuar dhe në përputhje me trajtimin, disponimi juaj do të përmirësohet me kalimin e kohës.

 

Përgjatë rrugës për t’u shëruar, merrni në konsideratë gjërat e listuara më poshtë:

  • Aktivizojeni veten.
  • Merrni pjesë në aktivitete që ju bëjnë të ndiheni mirë ose ndiheni sikur keni arritur diçka.
  • Shmangni barnat dhe alkoolin. Të dyja këto e përkeqësojnë depresionin. Të dyja mund të shkaktojnë efekte anësore të rrezikshme me ilaçe kundër depresionit.
  • Ushtroni shpesh për ta bërë veten të ndjeheni më mirë. Aktiviteti fizik duket se shkakton një reaksion kimik në trup që mund të përmirësojë disponimin tuaj. Ushtrimi 4 deri në 6 herë në javë për të paktën 30 minuta çdo herë është një qëllim i mirë. Por edhe aktiviteti më i vogël mund të jetë i dobishëm.
  • Hani vakte të balancuara dhe ushqime të shëndetshme.
  • Merrni gjumë të mjaftueshëm.
  • Merrni ilaçin tuaj dhe/ose shkoni në këshillim sa herë që rekomandon mjeku juaj. Medikamentet e juaja nuk do të funksionojë nëse i merrni vetëm një herë.
  • Vendosni qëllime të vogla për veten tuaj, sepse mund të keni më pak energji.
  • Nxiteni veten.
  • Merrni sa më shumë informacione se çfarë mund të bëni për depresionin dhe si ta trajtoni atë.
  • Telefononi menjëherë mjekun tuaj ose qendrën lokale të krizave vetëvrasëse nëse filloni të mendoni për vetëvrasje.

 

Gjërat që nuk duhet t’i bëni:

  • Mos e izoloni veten. Qëndroni në kontakt me të dashurit tuaj dhe miqtë, këshilltarin tuaj fetar dhe mjekun tuaj të familjes.
  • Mos i besoni mendimeve negative që mund të keni, të tilla si fajësimin e vetes ose pritshmëritë që të dështoni. Këto mendime janë pjesë e depresionit dhe largohen pasi të jeni shëruar.  
  • Mos e fajësoni veten për depresionin tuaj. Ju nuk e keni shkaktuar atë.
  • Mos merrni vendime të mëdha jetësore (për shembull, në lidhje me ndarjen ose divorcin).

 

Ju mund të mos mendoni qartë kur jeni në depresion, prandaj vendimet që bëni në këtë kohë mund të mos jenë ato më të mirat për ju. Nëse duhet të marrësh një vendim të madh, pyesni dikë që ju besoni për t’iu ndihmuar.

  • Mos prisni të bëni gjithçka që ju bie në mend. Përpuno një plan realist.
  • Mos u dekurajoni. Do të duhet kohë që depresioni juaj të largohet plotësisht. Jini të durueshëm me veten tuaj.
  • Mos u dorëzoni.

 

Komplikimet

Njerëzit që kanë depresion ndonjëherë mendojnë për vetëvrasje. Ky mendim është pjesë e zakonshme e depresionit. Nëse keni mendime për dëmtimin e vetes, tregoni dikujt. Ju mund t’i tregoni mjekut tuaj, miqve ose familjes tuaj.

Merrni ndihmë menjëherë. Ka njerëz që mund t’iu ndihmojnë. Depresioni mund të trajtohet me sukses.

 

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • A kam nevojë për trajtim? Cilat janë mundësitë e mia të trajtimit?
  • Duhet të vizitoj ndonjë terapist?
  • A ka ndonjë gjë që mund të bëj në shtëpi për të ndihmuar veten time?
  • A ka ndonjë grup mbështetës në zonën time?
  • Cilat janë rreziqet dhe përfitimet e marrjes së ilaçeve kundër depresionit?
  • Jam shtatzënë. Duhet të marr ilaqet kundër depresionit?
  • Unë jam duke ushqyer me gji. Duhet të marr ilaqet kundër depresionit?
  • A do të duhet të marr barna për pjesën tjetër të jetës?
  • Unë kujdesem për një të moshuar. Si mund ta di nëse ai ose ajo është në depresion?
  • Cilat lloje të trajtimit janë të sigurta për të rriturit të cilët kanë probleme të tjera shëndetësore, të tilla si çmenduria?
  • Çfarë duhet të bëj në qoftë se unë kam menduar ose filloj të mendoj për vetëvrasje?

 

Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com