Lart

Presioni i Gjakut Gjatë Shtatzënisë: Simptomat, Diagnostifikimi dhe Trajtimi

Presioni i gjakut është presioni në enët e gjakut në trupin tuaj. Është forca me të cilën qarkullon gjaku nëpër enët e gjakut. Mjekët dhe infermierët matin presionin duke vënë një paisje rreth krahut tuaj të sipërm. Pastaj ata dëgjojnë rrjedhën e gjakut me një stetoskop. Tensioni i lartë (i quajtur edhe hipertension) ndodh kur gjaku lëviz nëpër enë me një presion më të lartë se normalisht.

Presioni i gjakut Cilat janë llojet e presionit të lartë të gjakut gjatë shtatzënisë?

Ekzistojnë tre lloje të presionit të lartë të gjakut tek gratë shtatzëna:

  • Hipertensioni kronik: Tensioni i lartë i gjakut që zhvillohet para javës së 20-të të shtatzënisë dhe që ka qenë prezent para se gruaja të mbetet shtatëzënë. Ndonjëherë një grua ka presion të lartë të gjakut për një kohë të gjatë para se ajo të mbesë shtatzënë, por ajo nuk e di këtë deri në kontrollin e parë gjinor.
  • Hipertensioni gestacional: Disa gra kanë presion të lartë të gjakut afër fundit të shtatëzanisë. Ato nuk kanë ndonjë simptomë tjetër.
  • Hipertensioni i indukuar nga shtatëzania (HISH), i quajtur edhe toksemi ose preeklampsi: Kjo gjendje mund të shkaktojë probleme serioze për nënën dhe foshnjën nëse nuk trajtohet. HISH zhvillohet pas 20 javëve të shtatëzanisë. Së bashku me presionin e lartë të gjakut, ai shkakton proteina në urinë, ndryshime në gjak dhe probleme të tjera.

Cilat janë rreziqet e HISH për fëmijën dhe mua?

HISH mund të ndalojë placentën (e cila i jep oksigjen dhe ushqim fëmijës tuaj) të mos marrë mjaftueshëm gjak. Nëse placenta nuk ka gjak të mjaftueshëm, fëmija juaj merr më pak oksigjen dhe ushqim. Kjo mund të shkaktojë peshë të ulët në lindje dhe probleme të tjera për fëmijën.

Shumica e grave që kanë HISH lindin fëmijë të shëndetshëm. Disa zhvillojnë një gjendje të quajtur eklampsia (HISH me kriza), e cila është shumë serioze për nënën dhe foshnjën ose probleme të tjera serioze. Për fat të mirë, HISH zakonisht zbulohet në fillim tek gratë që marrin kujdes të rregullt prenatal dhe shumica e problemeve mund të parandalohen.

Cilat janë simptomat e HISH-it?

Nëse keni ndonjë nga simptomat e mëposhtme të HISH, telefononi menjëherë mjekun tuaj:

  • Dhimbje të rënda koke
  • Vjelë gjak
  • Ënjtje e tepërt e këmbëve dhe e duarve
  • Sasi të vogla të urinës ose fare urinë
  • Gjak në urinë
  • Rrahje të shpejta të zemrës
  • Marramendje
  • Të përziera të tepruara
  • Tringëllima ose zhurma në veshë
  • Vjellje e tepruar
  • Përgjumje
  • Temperaturë
  • Vizion i dyfishtë
  • Shikim i turbullt
  • Verbëri e papritur
  • Dhimbje në bark

A do të thotë që kam HISH nëse kam presion të lartë të gjakut?

Jo domosdoshmërisht. Nëse mjeku juaj e sheh se presioni i gjakut është i lartë, ai/ajo do të shikojë nga afër për ndryshimet që mund të nënkuptojnë që keni HISH. Përveç presionit të lartë të gjakut, gratë që kanë HISH gjithashtu kanë ënjtje të tepruar. Ato gjithashtu mund të kenë proteina në urinën e tyre. Shumë gra që kanë presionin e lartë të gjakut gjatë shtatëzanisë por nuk kanë proteina në urinë ose  ënjtje ekstreme nuk kanë HISH.

A do të thotë që kam HISH nëse kam ënjtje?

Nëse keni vetëm ënjtje nuk do të thotë që keni HISH. Disa ënjtje janë normale gjatë shtatzënisë. Për shembull, unazat ose këpucët mund të bëhen shumë të ngushta. Ënjtja është më serioze nëse nuk largohet pasi qe keni pushuar, nëse është shumë e dukshme në fytyrë dhe duar ose nëse është një shtuarje e shpejtë në peshë prej më shumë se 2.3 kilogram në javë.

Kush është në rrezik për HISH?

HISH është më e zakonshme gjatë shtatëzanisë së parë dhe tek gratë nënat ose motrat e të cilave kanë pasur HISH. Rreziku i HISH është më i lartë tek gratë që mbajnë foshnje të shumëfishta, tek nënat adoleshente dhe tek gratë më të vjetra se 40 vjeç. Gratë e tjera në rrezik janë ato që kishin presion të lartë të gjakut ose sëmundje të veshkave para se të mbeteshin shtatzënë. Shkaku i HISH-it nuk dihet.

 

Cilat teste mund të tregojnë nëse kam HISH?

Asnjë test nuk e përcakton HISH-in. Tensioni juaj i gjakut do të kontrollohet gjatë secilës vizitë tek mjeku. Rritja e madhe e tensionit të gjakut mund të jetë shenjë e hershme që mund të keni HISH. Një test i urinës mund të tregojë nëse ka proteina në urinën tuaj. Mjeku mund të urdhërojë teste të caktuara të gjakut, të cilat mund të tregojnë nëse keni HISH. Nëse keni shenja të HISH, mjeku juaj mund të dëshirojë të i’u kontrollojë të paktën një herë në javë dhe ndoshta çdo ditë.

Si trajtohet presioni i lartë i gjakut tek gratë shtatzëna?

Trajtimi varet nga lloji i tensionit të lartë:

  • Hipertensioni kronik: Nëse vec jeni duke marrë ilaçe për presion të lartë të gjakut, mjeku juaj mund të dëshirojë që ju të vazhdoni të përdorni atë ilaç. Nëse ky ilaç nuk është i sigurt për foshnjën, mjeku mund të dëshirojë që ju ta zëvendësoni atë ose të ndaloni marrjen e barnave gjatë shtatëzënisë.Mjeku juaj do t’i kushtojë vëmendje të veçantë mënyrës se si rritet fëmija juaj. Mund të bëni ultratinguj më shpesh. Ju mund të bëni disa teste të tjera afër fundit të shtatzënisë për t’u siguruar që fëmija juaj është i shëndetshëm. Mjeku do t’ju vëzhgojë nga afër për shenjat e HISH.
  • Hipertensioni gestacional: Kjo gjendje nuk ka nevojë për ndonjë trajtim. Por mund të jetë e vështirë të dallohet kjo gjendje nga HISH-i i hershëm ose mesatar, kështu që mjeku juaj do t’iu monitorojë nga afër për t’u siguruar që presioni i lartë i gjakut të mos kthehet në HISH.Mjeku mund të ju thotë të merrni aspirinë ose kalcium shtesë për të parandaluar HISH-in. Ai gjithashtu mund t’ju thotë të shtriheni në anën tuaj të majtë ndërsa jeni duke pushuar. Kjo do të përmirësojë qarkullimin e gjakut dhe do të heqë peshën nga enët e mëdha të gjakut.
  • HISH-i: Se si e trajton mjeku juaj këtë gjendje varet nga sa afër e keni datën për lindje dhe nga gjendja juaj dhe e foshnjës. Trajtimi i vetëm kundër HISH-it është lindja e fëmijës. Nëse fëmija juaj lindë shumë herët, mund të ketë probleme serioze shëndetësore. Por, doktori mund të kërkojë që foshnja juaj të lindë më herët, nëse ju ose fëmija jeni shumë të sëmurë.Nëse mjeku mendon se është e sigurt që shtatëzania të vazhdojë me afat të plotë, ai/ajo do të monitorojë ju dhe fëmijën tuaj nga afër derisa të lindni. Ju do të vizitoheni shpesh dhe do të bëni teste të gjakut. Fëmija juaj gjithashtu duhet të bëjë disa teste për t’u siguruar që është i shëndetshme. Ju mund të keni nevojë të qëndroni në shtëpi nga puna dhe të pushoni në shtrat. Në disa raste, hospitalizimi mund të jetë i nevojshëm.

Shënim rreth kripës

Një mënyrë për të kontrolluar presionin e lartë të gjakut kur nuk jeni shtatëzënë është zvogëlimi i sasisë së kripës që merrni. Kjo nuk është ide e mirë nëse keni tension të lartë gjatë shtatëzanisë. Trupi juaj ka nevojë për kripë për të mbajtur rrjedhën e lëngjeve në trup, kështu që ju nevojitet sasi normale e kripës. Mjeku do t’ju tregojë se sa kripë duhet të merrni çdo ditë dhe sa ujë duhet të pini çdo ditë.

 

Nëse mjeku im vendos që une duhet të lindë fëmijën, a do të duhet të kem seksion cezarian?

Kjo varet nga mjeku juaj dhe ju. Seksioni cezarian (lindja e fëmijës me operacion) ka më shumë gjasa të bëhet nëse shëndeti juaj ose shëndeti i fëmijës suaj është në rrezik. Nëse gjërat nuk janë të rënda, mjeku mund të i’u japë ilaçe (të tilla si oksitocina) për të filluar lindjen përmes vaginës.

 

Çfarë ndodh me presionin e lartë të gjakut pas lindjes?

  • Hipertensioni kronik: Tensioni i gjakut ndoshta do të qëndrojë i lartë edhe pasi të lindni foshnjën tuaj. Duhet të vazhdoni të merrni ilaçe për presion të lartë të gjakut, të shqyrtoni dietën dhe ushtrimet tuaja.
  • Hipertensioni gestacional: Tensioni i gjakut do të kthehet në normale brenda pak javësh pasi të keni lindur foshnjën tuaj, por keni më shumë gjasa të zhvilloni presionin e gjakut kronik më vonë gjatë jetës.
  • HISH: Tensioni i gjakut do të kthehet në normale brenda pak javësh pasi të keni lindur foshnjën tuaj.

Pse presioni i lartë i gjakut gjatë shtatzënisë është problem?

Tensioni i lartë i gjakut gjatë shtatëzanisë mund të shkaktojë problemet e mëposhtme për ju dhe fëmijën tuaj:

  • Hipertensioni kronik: Tensioni i lartë i gjakut mund ta bëjë fëmijën tuaj të rritet shumë ngadalë, ose të mos marrë ushqyes të mjaftueshëm ose oksigjen. Kjo mund të dëmtojë shëndetin e fëmijës. Gratë që kanë hipertension kronik kanë gjithashtu më shumë gjasa të zhvillojnë HISH, i cili mund të jenë shumë i rrezikshëm.
  • Hipertensioni gestacional: Kjo gjendje nuk shkakton ndonjë problem për ju ose fëmijën tuaj, por mund të rrisë rrezikun që ju të zhvilloni presionin e lartë të gjakut më vonë në jetë. Hipertensioni gestacional mund gjithashtu të kthehet në HISH.
  • HISH: Presioni i lartë i gjakut nuk është problemi kryesor, por është një nga shenjat kryesore të kësaj gjendje shëndetësore. HISH mund të shkaktojë dhimbje koke, vizion të paqartë, humbje vizioni, dhimbje barku ose marramendje.Mund të shkaktojë rritje të ngadaltë të foshnjës, peshë të ulët në lindje dhe lindje të parakohshme. Nëse ju merrni HISH me kriza (të quajtur eklampsia), ju dhe fëmija juaj jeni në rrezik të vdisni. Shumë mjekë japin sulfat magnezi për pacientet e tyre gjatë lindjes dhe për disa ditë më pas për të ndihmuar në parandalimin e eklampsisë. Bisedoni me mjekun tuaj për këto gjëra.

 

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • Jam shtatëzënë dhe kam presion të lartë të gjakut. A jam në rrezik nga HISH-i?
  • Çfarë mund të bëj për të zvogëluar rrezikun nga HISH-i?
  • A kam nevojë për ndonjë test? Sa shpesh do të më duhet të bëj kontrolle?
  • A është shëndeti im ose shëndeti i fëmijës tim në rrezik?
  • Cilat janë mundësitë e mia për trajtim? Cili është trajtimi më i mirë për mua?
  • A do të kem nevojë për pushim në krevat?
  • A do të jetë e nevojshme të nxitohet lindja? A do të kem nevojë për seksion C?
  • Cilat janë rreziqet e lindjes së hershme të fëmijës tim?
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com