Lart

Virusi i Nilit Perëndimor

Virusi i Nilit Perëndimor është  sëmundje ngjitëse që mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin. Është përhapur nga mushkonjat. Për herë të parë u shfaq në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1999. Shumica e njerëzve të infektuar me ketë virus nuk kanë ndonjë simptomë ose kanë simptoma të lehta. Rrallë, virusi mund të hyjë në tru dhe të shkaktojë komplikime kërcënuese për jetën.

Virusi i Nilit PerëndimorCilat janë simptomat e infektimit të virusit të Nilit Perëndimor?

Shumica e njerëzve të infektuar me ketë virus nuk kanë simptoma. Rreth 1 në 5 njerëz mund të kenë simptoma të lehta, të ngjashme me atë të gripit, të cilat përfshijnë:

  • Skuqje të lëkurës
  • Ethe
  • Dhimbje koke
  • Të përziera
  • Të vjella
  • Diarre
  • Humbje te oreksit
  • Nyjet limfatike të fryra (gjëndra limfatike)
  • Dhimbje në shpinë dhe muskuj

Simptomat zakonisht shfaqen 3 deri në 14 ditë pasi një person është pickuar nga një mushkonjë e infektuar. Ato mund të zgjasin disa ditë deri në disa javë dhe zakonisht largohen vetvetiu. Kontaktoni mjekun tuaj nëse kohët e fundit jeni pickuar nga ndonjë mushkonjë dhe nëse keni ndonjë nga këto simptoma.

Rreth 1 në 150 njerëz të infektuar me virusin e Nilit perëndimor zhvillojnë një sëmundje më të rëndë. Kjo ndodh kur virusi hyn në tru. Aty mund të shkaktojë “encefalitia’’. Ky është inflamacion i trurit. Gjithashtu mund të shkaktojë ‘’meningjit”. Ky është inflamacion i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Simptomat e këtyre sëmundjeve përfshijnë:

  • Temperaturë te papritur e të lartë (mbi 38.8 ° C)
  • Dhimbje e rëndë koke
  • Qafë e shtanguar
  • Te ndjehurit i çorientuar dhe i hutuar
  • Dridhje ose vibrim i muskujve
  • Krizë
  • Komë
  • Dobësi ose paralizë e pjesshme

Këto sëmundje mund të jenë kërcënuese për jetën. Nëse keni ndonjë nga këto simptoma, merrni ndihmë mjekësore menjëherë.

Çfarë e shkakton virusin e Nilit Perëndimor?

Virusi i Nilit Perëndimor më së shpeshti përhapet nga mushkonjat. Mushkonjat infektohen nga pickimi i zogjëve që kanë virusin. Njerëzit mund të marrin virusin e Nilit Perëndimor kur një mushkonjë e infektuar i pickon ata. Kjo ndodh më shpesh në stinën e  pranverës, verës dhe vjeshtës. Ju nuk mund të merrni virusin e Nilit Perëndimor nga një person tjetër apo nga kafsha juaj shtepiake.

Në një numër të vogël rastesh, njerëzit e kanë marrë virusin përmes transfuzioneve të gjakut dhe transplanteve të organeve. Megjithatë, rreziku i marrjes së virusit në këto mënyra është shumë i ulët.

Disa raste janë raportuar gjithashtu për virusin që kalon nga një grua shtatzënë ose me gji tek foshnja e saj. Këto raste janë jashtëzakonisht të rralla.

Kush është në rrezik për infeksion me virusin e Nilit Perëndimor?

Ju mund të jeni në rrezik më të lartë për infeksion nëse:

  • Jetoni aty ku virusi i Nilit Perëndimor është gjetur tek njerëzit, zogjtë, kuajt ose mushkonjat.
  • Kaloni shumë kohë jashtë gjatë muajve të nxehtë.
  • Nuk e mbroni lëkurën tuaj me ilaqe kunder insekteve që përmban DEET (lëng i pangjyrë, vaj me erë të lehtë, që perdoret kunder insekteve).

Sidoqoftë, madje edhe në zonat ku virusi është raportuar, është shumë e vështirë që një person të sëmuret nga pickimi i mushkonjave.

Nëse jeni i infektuar me virusin e Nilit perëndimor, mund të jeni në rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjes së rëndë nëse:

  • Jeni mbi 60 vjeç.
  • Keni gjendje të caktuara mjekësore, të tilla si kanceri, diabeti, hipertensioni ose sëmundja e veshkave.
  • Më pak se 1% e njerëzve që infektohen me virusin e Nilit Perëndimor shfaqin simptoma të rënda ose komplikime. Pothuajse të gjithë këta njerëz shërohen plotësisht. Nga numri i vogël i njerëzve që sëmuren rëndë nga virusi i Nilit Perëndimor, rreth 10% e tyre vdesin.

Si diagnostifikohet virusi i Nilit Perëndimor?

Mjeku juaj do të bëjë një test fizik dhe do të kërkojë për simptomat tuaja. Ai do të dojë të dijë nëse ju jeni pickuar nga ndonjë  mushkonjë kohët e fundit. Ai pastaj mund të urdhërojnë teste të gjakut për të konfirmuar nëse keni virusin e Nilit Perëndimor. Mjeku juaj mund të ju rekomandoj të bëni një procedurë neurologjike e njohur si ‘Spinal Tap’ te palcës kurrizore për të kontrolluar virusin.

Kjo përfshin grumbullimin e mostrës së lëngut që rrethon kurrizin dhe trurin tuaj. Nëse keni simptoma të rënda, mjeku juaj mund të urdhërojë një CT ose MRI për të kërkuar inflamacion në tru.

Parandalim

Nuk ka vaksinë për të parandaluar virusin e Nilit Perëndimor tek njerëzit. Mënyra më e mirë për të parandaluar infeksionin është shmangia e pickimit nga ndonjë mushkonjë.

Më poshtë janë disa gjëra që mund të bëni:

  • Largoni  ujin që qendron ne nje vend sepse mushkonjat shumohen në të. Largoni ujin nga foletë e zogjëve, vazot e luleve, pishinat e vjetra, gomat e vjetra ose vendet tjera ku mund të mblidhet uji. Dyqanet me paisje për kopsht shesin produkte për të penguar mushkonjat nga shumimi në këto pellgje të vogla.
  • Riparimi i mbrojtëseve – Rregulloni çdo thyerje në dritare, verandë dhe oborr për të mbajtur mushkonjat larg nga brendësia e shtëpisë tuaj.
  • Qëndro në ambiente të mbyllura – Mushkonjat janë më aktive gjatë agimit, muzgut dhe orëve të hershme të mbrëmjes. Mundohuni të qëndroni në ambiente të mbyllura në këto kohë.
  • Vishuni siç duhet – Nëse dilni jashtë kur mushkonjat janë aktive, vishni këpucë dhe çorape, pantallona të gjata dhe një këmishë me mëngë të gjata. Veshje me ngjyra te lehta janë zgjedhja më e mire.
  • Përdorni sprej kunder  insekteve me DEET. Nëse jeni jashtë, përdorni një sprej që përmban 20% deri në 30% DEET. Aplikoni atë sipas udhëzimeve në etiketë. Bisedoni me mjekun tuaj përpara se të përdorni sprej kunder insekteve  tek fëmijët tuaj.

Trajtimi

Nuk ka trajtim specifik për infeksionin e virusit të Nilit Perëndimor. Njerëzit që përjetojnë simptoma të lehta zakonisht bëjnë më mirë pas disa ditësh. Ju mund të merrni lehtësues dhimbje pa recetë mjeku për të ndihmuar në uljen e temperatures dhe për të ndihmuar me ndonjë dhimbje që mund të keni.

Njerëzit të cilët kanë sëmundje të rëndë mund të shtrohen në spital dhe të marrin lëngje intravenoze (LI). Ata mund të kenë nevojë për një paisje të quajtur ventilator për t’i ndihmuar ata të marrin frymë. Mjeku i tyre gjithashtu do të përpiqet t’i mbajë ata nga marrja e infeksioneve të tjera, siç është pneumonia.

Të jetosh me virusin e Nilit Perëndimor

Virusi i Nilit Perëndimor zakonisht shkakton simptoma të lehta, nëse ka. Shumica e njerëzve shërohen brenda pak ditësh. Disa simptoma mund të zgjasin disa javë, siç janë dobësimi ose lodhja. Por keto do të largohen vetë me kohë.

Shumica e njerëzve që zhvillojnë sëmundje të rënda nga virusi i Nilit Perëndimor shërohen. Por rimëkëmbja juaj mund të zgjasë me javë ose muaj.Disa nga efektet e mundshme qe virusi shkakton ne sistemin nervor qendror mund te mos shërohen kurrë. Ju mund të keni sëmundje afatgjate, dëmtime në tru ose paaftësi të përhershme. Por mos harroni se më pak se 1% e njerëzve që sëmuren nga virusi i Nilit Perëndimor krijojnë sëmundje të rënda.

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • A është virusi i Nilit Perendimor i rëndomtë në këtë zonë?
  • A jam në rrezik për të kontraktuar virusin e Nilit Perëndimor?
  • Çfarë mund të bëj për të mbrojtur veten nga virusi i Nilit Perëndimor?
  • Çfarë trajtimi është më i mirë për mua?
  • A mund të ndihmojnë ilaçet e gripit?
  • A mundet fëmija im të marrë virusin e Nilit Perëndimor nga unë?
  • Çfarë lloji të sprejëve kundër insekteve duhet të përdor?
Shpërndaj
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com