Lart

Dështimi i Zemrës

Termi “dështim i zemrës” tingëllon i frikshëm. Por, thjeshtë do të thotë se zemra juaj nuk po e pompon gjakun ashtu siç duhet. Kjo ndodhë me kalimin e kohës, pasiqë pompimi bëhet më i dobët. Kjo nuk do të thotë që zemra juaj nuk po punon më ose që ju keni një sulm në zemër.

Megjithëse njerëzit që kanë dështim të zemrës, shpesh kanë pasur sulm në zemër në të kaluarën. Dështimi i zemrës gjithashtu quhet dështimi kongjestiv i zemrës (DKZ). “Kongjestiv” do të thotë se lëngjet mblidhen në organizëm pasi që zemra nuk i pompon siç duhet.

Dështimi i zemrës

 

Simptomat e dështimit të zemrës

Disa njerëz që kanë dështim të zemrës kanë disa probleme ose simptoma. Të tjerët kanë shumë simptoma. Njerëzit me dështim të zemrës mund të përjetojnë:

  • Gulçim gjatë aktiviteteteve
  • Gulçim kur shtrihen
  • Mungesë oreksi
  • Zgjohen gjatë natës, papritmas pa frymë
  • Lodhje ose dobësim i përgjithshëm, duke përfshirë edhe zvogëlimin e aftësisë për të bërë ushtrime
  • Ënjtje e këmbëve, shputave ose kyçeve të këmbëve
  • Ënjtje e barkut
  • Rrahje e shpejtë ose jo e rregullt e zemrës
  • Rritje e shpejtë e peshës (deri në 1 kg në ditë, për tri ditë rresht)
  • Kollitje kronike ose vështirësi në frymëmarrje
  • Të përziera

Thirreni mjekun tuaj nëse keni ndonjë nga këto simptoma, veçanërisht nëse keni pasur probleme me zemër në të kaluarën.

 

Çfarë shkakton dështim të zemrës?

Dështimi i zemrës ka disa shkaktarë. Shumica janë gjendje ose sëmundje tjera që e dëmtojnë muskulin e zemrës. Këtu mund të përfshihen:

  • Sëmundja e arteries koronare (kur furnizimi me gjak i zemrës është pjesërisht ose plotësisht i bllokuar). Kjo mund të ndodhë me ose pa sulm në zemër në të kaluarën
  • Probleme të vetë muskulit të zemrës (kardiomiopati)
  • Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni)
  • Probleme me ndonjë nga valvulat e zemrës
  • Ritme jo-normale të zemrës (aritmi)
  • Përdorimi i substancave toksike (si abuzimi me alkool ose drogë)
  • Defektet kogjenitale të zemrës (një problem i zemrës me të cilin jeni lindur)
  • Diabeti
  • Probleme të tiroidesë

Nganjëherë, shkaku i saktë nuk mund të gjendet. Disa njerëz janë në rrezik më të lartë të zhvillojnë dështim të zemrës.

Cilado nga të mëposhtmet mund të rrisin rrezikun tuaj:

  • Të qenit 65 vjeç ose më të vjetër
  • Të qenit Afrikano-Amerikanë
  • Të qenit mbipeshë
  • Të paturit një sulm në zemër në të kaluarën
  • Të qenit mashkull

 

Si diagnostikohet dështimi i zemrës?

Nuk ka një test të vetëm për diagnostikim të dështimit të zemrës. Mjeku juaj do t’iu pyes për historinë tuaj mjekësore. Ai ose ajo do t’iu bëjë një ekzaminim fizik dhe mund të porosit disa nga testet e mëposhtme:

  • Teste të gjakut – për të matur nivelin e hormonit BNP që rritet me dështime të zemrës.
  • Rëntgen i zemrës – tregon nëse zemra juaj është zmadhuar ose nëse mushkëritë e juaja kanë lëngje në to.
  • Elektrokardiogram (i quajtuar edhe EKG ose ECG)- matë normën dhe rregullsinë e rrahjeve të zemrës suaj. Mund të ndihmojë në diagnostikimin e problemeve të ritmit të zemrës ose dëmtimeve të zemrës.
  • Ekokardiogram (i quajtuar edhe eko) – përdorë valë zanore për të bërë fotografime të zemrës. Këto tregojnë sa mirë është duke pompuar zemra juaj.
  • Monitori Holter – një kuti e vogël e lidhur me elektroda në gjoksin tuaj për të regjistruar ritmin tuaj të zemrës për 24 orë.
  • Test stresi – matë rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Kjo mund të bëhet para, gjatë, ose pas ushtrimeve për të parë se si zemra juaj reagon ndaj aktivitetit.
  • Ventrikulografia radionukleide – injekton një sasi të vogël të substancës radioaktive në gjakun tuaj. Kjo substancë udhëton në zemrën tuaj. Një kamerë speciale ose skaner bën fotografi që tregojnë sa mirë është duke pompuar zemra juaj. Substanca radioaktive është e sigurtë dhe largohet nga trupi juaj plotësisht pas përfundimit të testit.

Dështimi i Zemrës

A mund të parandalohet ose shmanget dështimi i zemrës?

Dështimi i zemrës është rezultat i dobësimit të zemrës tuaj nga sëmundje ose gjendje tjera. Këtu mund të përfshihen sëmundja e arteries koronare, tensioni i lartë i gjakut dhe diabeti. Mënyra më e mirë për të shmangur dështimin e zemrës është të parandalohen këto gjendje.

Gjërat në vazhdim mund t’iu ndihmojnë të mbani një stil të shëndetshëm të jetesës:

  • Ndaloni duhanin
  • Mbani një peshë të shëndetëshme
  • Hani një dietë të shëndetëshme
  • Kufizoni alkoolin
  • Kufizoni natriumin

Nëse ju keni një gjendje siç është niveli i lartë i kolesterolit, tension të lartë të gjakut, ose diabet, ju duhet ta menaxhoni atë. Mbani nivelet nën kontroll dhe merrni ilaçet që ua kanë caktuar.

 

Trajtimi i dështimit të zemrës

Dështimi i zemrës nuk mund të shërohet plotësisht. Mirëpo, trajtimi mund të përmirsojë pompimin e zemrës dhe mund të lehtësojë simptomat tuaja. Një pjesë e rëndësishme e trajtimit është të përkujdeseni për problemet themelore. Kjo përfshinë uljen e tensionit të lartë të gjakut ose riparimin e valvulave të zemrës. Trajtimi gjithashtu përfshin ndërrime të mënyrës së jetesës dhe ilaçe.

 

Çfarë ilaçesh do të më duhet të marr?

Një shumëllojshmëri ilaçesh përdoren për të trajtuar dështimin e zemrës. Ju mund të keni nevojë për një ose më shumë ilaçe, varësisht nga simptomat e juaja. Mjeku juaj do të flasë për këto ilaçe me ju. Mund të duhet pak kohë për të gjetur llojin më të mirë të ilaçeve dhe dozën më të mirë të ilaçeve për ju.

Disa lloje të ilaçeve përdoren zakonisht për të trajtuar dështimin e zemrës:

  • Inhibitorë ACE. Inhibitorët ACE ndihmojnë në hapjen (dilatimin) e arterieve tuaja dhe ulin tensionin tuaj të gjakut, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut.
  • Diuretikët. Diuretikët shpesh quhen “pilula uji”. Ata i’u shkaktojnë urinim të shpeshtë dhe ndihmojnë që lëngjet të mos mblidhen në trupin tuaj. Ata gjithashtu mund të zvogëlojnë lëngjet që mblidhen në mushkëritë tuaja. Kjo do t’iu ndihmojë të merrni frymë më lehtë.
  • Bllokuesit beta. Bllokuesit beta mund të ulin tensionin e gjakut dhe të ngadalësojnë rrahjen e shpejtë të zemrës. Ata gjithashtu mund të ndihmojnë në parandalimin e disa problemeve të ritmit të zemrës.
  • Digoksina. Digoksina (e quajtur edhe digitalis) ndihmon zemrën të pompojë më mirë duke forcuar kontraksionet e muskulit të zemrës.

Nëse keni probleme tjera ose përjetoni efekte anësore, ju mund të keni nevojë të merrni ilaçe tjera.

Kur jeni duke marrë ilaçe për dështim të zemrës, ju gjithashtu do të keni nevojë të bëni teste të gjakut. Këto do të kontrollojnë nivelin e kaliumit në zemër dhe funksionimin e veshkëve. Sa shpesh keni nevojë për teste të gjakut varet nga lloji dhe forca e ilaçeve që jeni duke marrë.

Shumë pacientë marrin ilaçe të dështimit të zemrës pa pasur ndonjë problem. Nëse keni dyshime për ilaçet ose mendoni se jeni duke pasur efekte anësore, flisni me mjekun tuaj. Është shumë me rëndësi që ju merrni ilaçet tuaja, saktësisht si i’u thotë mjeku juaj.

 

Të jetosh me dështim të zemrës

Dështimi i zemrës nuk ka shërim. Ju me siguri do të keni nevojë të ndjekni një plan trajtimi për pjesën tjetër të jetës. Ky plan trajtimi mund të përfshijë ilaçe, ndryshim të mënyrës së jetesës, udhëzime për nivelet e aktivitetit dhe mbajtjen e takimeve tuaja. Kufizimet tuaja do të varen nga ashpërsia e dështimit të zemrës.

Këshillat në vazhdim mund t’iu ndihojnë të menaxhoni dështimin e zemrës në shtëpi.

  • Ndiqni një dietë që është e shëndetshme për zemrën tuaj. Ju mund të keni nevojë të bëni ndryshime të konsiderueshme në dietën tuaj për të qëndruar të shëndetshëm. Shumë mjekë rekomandojnë dietën DASH. Shmangni ngrënjen e kripës së tepërt ose shumë ushqime të njelmëta (siç janë perimet e konzervuara ose supët, patatet e skuqura ose picat). Ushqimet e njelmëta dhe me nivel të lartë të natriumit mund të bëjnë që trupi juaj të mbajë ujin.
  • Flisni me mjekun tuaj para përdorimit të zëvendësuesve të kripës. Ata shpesh përmbajnë kalium dhe gjithashtu mund të mos jenë të mirë për shëndetin tuaj. Kjo do të varet nga funksionimi juaj i veshkëve dhe nga ilaçet që jeni duke marrë. Disa njerëz kanë nevojë për më shumë kalium, të tjerët jo.
  • Pirja e një sasie të vogël alkooli (një pije në ditë) duket të jetë e dobishme për disa njerëz që kanë sëmundje të zemrës. Mirëpo, pirja e tepërt mund të shkaktojë dështim të zemrës dhe mund të ndikojë në ilaçe. Pyesni mjekun tuaj nëse ndonjë sasi e alkoolit është e sigurtë për ju.
  • Mbani tensionin tuaj të gjakut nën kontroll. Tensioni i lartë i gjakut e lodh zemrën tuaj dhe e dobëson edhe më shumë.
  • Ju do të jeni më të shëndetshëm nëse bëni ushtrime. Pyesni mjekun tuaj t’iu rekomandojë një program ushtrimesh. Provoni të zvogëloni stresin në jetën tuaj dhe të flini sa duhet. Nëse pini duahn, ndaloni! Nëse jeni mbipeshë, flisni me mjekun tuaj për mënyrës se si mund të humbni peshë në mënyrë të sigurtë.
  • Gjithashtu flisni me mjekun tuaj para se të merrni ilaçe pa recetë. Ilaçe të zakonshme të artritit si naproxen (Aleve) dhe ibuprofen (Advil) mund të shkaktojë mbajtje të lëngjeve.
  • Mateni vetën çdo ditë në kohë e njëjtë të ditës dhe raportoni çfarëdo ndryshimi të pa shpjegueshëm te mjeku juaj. Mbajtja e lëngjeve dhe shtimi i peshës janë sinjale që dështimi kongjestiv i zemrës suaj nuk është në kontroll të mirë.

 

Kur duhet ta thërras mjekun tim?

Flisni me mjekun tuaj nëse keni ndonjë nga simptomat në vazhdim:

  • Gulçim që përkeqësohet
  • Shtim i peshës për më shumë se 2.3 kg në javë
  • Ënjtje e këmbëve që është e re për ju
  • Kollitja ose vështirësi në frymëmarrje gjatë natës, ose nevoja e të fjeturit mbështetur ose ulur.
  • Dhimbje të gjoksit ose një ndjenjë e rëndë në gjoks.
  • Efekte anësore nga ilaçet
  • Dështim në humbje të peshës, edhe pse merrni më shumë pilula uji.

Ju gjithashtu duhet të thërrisni mjekun tuaj nëse keni ndonjë pyetje për gjendjen tuaj ose për ilaçe.

 

Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj

  • Cili është shkaku më i mundshëm i dështimit kongjestiv të zemrës time?
  • Sa serioze është gjendja ime?
  • Si do të ndryshojë jeta ime tani që e di se kam dështim të zemrës?
  • Si mund ta di nëse gjendja ime po përkeqësohet? Kur duhet t’iu kontaktojë ose të kërkojë trajtim?
  • Cili ësht opsioni më i mirë për trajtim për mua? A do të më duhen ilaçet? Kirurgjia?
  • Cilat janë efektet anësore të ilaçeve që përdoren për të trajtuar dështimin e zemrës?
  • A do të më duhet transplant i zemrës?
  • A është e sigurtë për mua që të bëjë ushtrime? Çfarë lloj ushtrimesh duhet të bëjë?
  • A duhet të bëjë ndryshime të jetesës në shtëpi për të zvogëluar rrezikun e komplikmeve?
Sëmundje - Probleme.me

Probleme.me prezanton para jush enciklopedinë më të madhe shqiptare për sëmundje. Nëse keni ndonjë sygjerim apo informacion që mendoni se duhet ta mbulojmë na kontaktoni në semundje@rilinde21.sg-host.com