Kolesteroli i Lartë
Përmbajtja
Kolesteroli është substancë e dylltë të cilën e prodhon trupi për t’i mbrojtur nervat, për t’i krijuar indet qelizore dhe për të prodhuar hormone të caktuar. Mëlçia juaj e prodhon të gjithë kolesterolin që i duhet trupit tuaj.
Trupi juaj furnizohet me kolesterol edhe nga ushqimi që ju konsumoni (si vezët, mishi, produktet e qumështit). Kolesteroli i tepruar mund të ketë ndikim negativ në shëndetin tuaj.
Cili është dallimi në mes të kolesterolit “të mirë” dhe kolesterolit “të keq”?
Lipoproteina me densitet të ulët (LDL) zakonisht cilësohet si kolesterol “i keq”. Kjo e bënë dërgimin e kolesterolit në trupin tuaj.
Lipoproteina me densitet të lartë (HDL) cilësohet si kolesterol “i mirë” pasiqë e bënë largimin e kolesterolit nga sistemi i qarkullimit të gjakut.
Kjo shpjegon se përse kolesteroli i tepruar LDL është i dëmshëm për trupin dhe përse kolesteroli HDL është i shëndetshëm. Nëse niveli juaj i përgjithshëm i kolesterolit është i lartë si pasojë e LDL-së, atëherë ju jeni më të rrezikuar për tu prekur nga sëmundjet e zemrës apo për të pësuar infarkt.
Ndërsa nëse niveli i përgjithshëm i kolesterolit tuaj është i lartë si pasojë e niveleve të larta të HDL-së, atëherë ju nuk jeni në rrezik të shtuar nga këto sëmundje.
Trigliceridet janë një lloj tjetër i yndyrave në gjak. Kur ju konsumoni më shumë kalori se sa që mund t’i përdorë trupi juaj, atëherë këto kalori shndërrohen në trigliceride.
Përmirësimi i stilit të jetës suaj (i dietës dhe ushtrimeve fizike) mund t’i përmirësojnë nivelet e kolesterolit, ta ulin nivelin e LDL-së dhe triglicerideve dhe njëkohësisht ta rrisin nivelin e HDL-së.
Sa duhet të jetë niveli i kolesterolit tim?
Niveli ideal i kolesterolit dallon varësisht se sa jeni të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës.
Niveli i përgjithshëm i kolesterolit – nën 200 është ideal, mirëpo kjo varet nga nivelet e HDL-së dhe LDL-së
- Niveli i kolesterolit LDL – më pak se 130 është ideal, mirëpo kjo varet se sa jeni të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
- Niveli i kolesterolit HDL – kur është 60 apo më i lartë e ulë rrezikun që ju të prekeni nga sëmundjet e zemrës
- Trigliceridet – më pak se 150 miligram për decilitër (mg/dl) është ideal.
Simptomat e kolesterolit të lartë
Zakonisht nuk ka simptoma të posaqme të kolesterolit të lartë. Kështuqë ju mund të jeni duke vuajtur nga kjo sëmundje dhe të mos e dini fare.
Nëse ju vuani nga kolesteroli i lartë, trupi juaj mund ta ruaj këtë kolesterol shtesë nëpër arteriet tuaja. Arteriet janë enët e gjakut të cilat e përçojnë gjakun nga zemra te pjesa tjetër e trupit. Zënia e arterieve me kolesterol njihet si pllaka. Gjatë kohës pllakat mund të ngurtësohen dhe t’i ngushtojnë arteriet tuaja. Depozitat e mëdha të pllakave mund ta bllokojne një arterie tërësisht. Pllakat e kolesterolit shpeshherë mund të ndahen, gjë që shpie deri te formimi i droçkave (grimcave) të gjakut të cilat e bllokojnë rrjedhjen e gjakut.
Nëse një arterie e cila i furnizon muskujt e zemrës tuaj me gjak bllokohet, ju mund të përjetoni sulm në zemër. Ndërsa nëse ndonjë arterie e cila e furnizon trurin tuaj me gjak, ju mund të përjetoni goditje në tru.
Shumica e njerëzve nuk e zbulojnë se vuajnë nga kolesteroli i lartë deri sa të përjetojnë ndonjërën nga fatkeqësitë e lartëpërmendura.
Çfarë e shkakton kolesterolin e lartë?
Mëlçia juaj prodhon kolesterol, mirëpo ju mund të merrni kolesterol edhe nga ushqimi që konsumoni. Konsumimi i shumë ushqimeve yndyrore mund t’i rris nivelet tuaja të kolesterolit.
Mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik gjithashtu shkakton kolesterolin e lartë. Nëse jeni mbipeshë, gjasat janë që ju keni nivele të larta të triglicerideve. Nëse ju nuk jeni fare aktiv fizikisht në përgjithësi, nivelet tuaja të HDL-se (kolesterolit “të mirë”) mund të zvogëlohen.
Historia juaj familjare gjithashtu luan rol në nivelet tuaja të kolesterolit. Studimet kanë treguar se kolesteroli i lartë është i trashëgueshëm. Nëse ndonjë pjesëtarë i afërt i familjes tuaj vuan nga kolesteroli i lartë, ka gjasa që edhe ju vuani nga kjo sëmundje.
Pirja e duhanit gjithashtu ndikon në rritjen e kolesterolit sepse i zvogëlon nivelet e HDL-së (kolesterolit të mirë).
Si diagnostikohet kolesteroli i lartë?
Ju nuk mund ta dini se vuani nga kjo sëmundje pa u kontrolluar. Analizat e thjeshta të gjakut tregojnë nivelet tuaja të kolesterolit.
Meshkujt e moshës 35 vjeçare e tutje dhe femrat e moshës 45 vjeçare e sipër duhet t’i kontrollojnë patjetër nivelet e tyre të kolesterolit. Meshkujt dhe femrat e moshës 20 vjeçare e sipër të cilët janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës duhet gjithashtu t’i kontrollojnë nivelet e tyre të kolesterolit.
Adoleshentët duhet të kontrollohen nëse janë duke përdorur ilaçe të caktuara apo nëse vijnë nga një familje e cila ka histori të kolesterolit të lartë. Pyesni mjekun tuaj se sa shpeshë duhet të kontrolloni nivelet tuaja të kolesterolit.
Rreziku i shtuar për sëmundjet e zemrës shkaktohet nga:
- Pirja e duhanit
- Shtypja e lartë e gjakut
- Mosha e shtyrë
- Afërsia familjare (prindër, vëllezër dhe motra) me dikë që ka pasur sëmundje të zemrës.
- Mbipesha ose obeziteti
- Mungesa e aktivitetit fizik
A mund të parandalohet kolesteroli i lartë?
Konsumimi i ushqimeve të shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta fizike janë dy mënyra tejet të rëndësishme për t’i zvogëluar gjasat tuaja për tu prekur nga kjo sëmundje.
Përpiquni të konsumoni më pak ushqime me yndyrë të procesuar (si mishi i kuq dhe shumica e produkteve të qumështit). Në vend të saj mundohuni të konsumoni yndyrna më të shëndetshme si mishi i bardhë apo i peshkut, avokadot, arrat dhe produktet e qumështit me yndyrë të zvogëluar.
Mos konsumoni ushqime të cilat përmbajnë yndyrna trans, si ushqimet e fërguara dhe të paketuara. Kërkoni ushqime të cilat janë të pasura me acide yndyrore omega-3. Këto ushqime përfshijë salmonin, harengën, arrat dhe bajamet.
Ushtrimet tuaja fizike mund të jenë të thjeshta. Si për shembull ecja, joga apo ngasja e biçikletës. Ju madje mund të provoni të merreni me ndonjë sport. Sigurohuni të jeni aktiv fizikisht së paku 30 minuta gjatë ditës, pasi kjo ju ndihmon t’i rrisni nivelet e HDL-së “kolesterolit të mirë”.
Mjekimi i kolesterolit të lartë
Nëse vuani nga kolesteroli i lartë, ju duhet të bëni disa ndryshime në stilin tuaj të jetesës. Ushtroni rregullisht. Nëse jeni mbipeshë, humbja e vetëm 4.5 kilogramëve mund të iu ndihmojë t’i përmirësoni nivelet e kolesterolit si dhe të ulni rrezikun për tu prekur nga sëmundjet e zemrës. Sigurohuni që të konsumoni mjaftueshëm fruta, perime, drithëra dhe peshk.
Cilat ilaçe e zvogëlojnë nivelin e kolesterolit?
Varësisht nga shkalla e rrezikut, mjeku mund të ju përshkruaj ilaçe bashkë me sugjerime për ndryshime në stilin tuaj të jetesës.
Jeta me kolesterol të lartë
Nëse vuani nga kolesteroli i lartë, ju jeni dy herë më shumë i rrezikuar që të prekeni nga sëmndjet e zemrës. Prandaj është shumë e rëndësishmë që t’i monitoroni nivelet e kolesterolit vazhdimisht, në veçanti nëse keni histori familjare me sëmundje të zemrës. Përpjekjet për ta ulur nivelin e LDL-së “kolesterolit të keq” përmes ushqimit të shëndetshëm, ushtrimeve dhe ilaçeve mund të ketë ndikim pozitiv të përgjithshëm në shëndetin tuaj.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- A jam i/e rrezikuar nga sëmundjet e zemrës?
- Sa shpesh duhet t’i konrolloj nivelet e kolesterolit?
- Si janë nivelet e mija të kolesterolit? Çfarë nënkuptojnë këto shifra?
- Çfarë ndryshime duhet të bëjë në stilin tim të jetesës për t’i përmirësuar nivelet e kolesterolit si dhe shëndetin e zemrës?
- A duhet të përdorë ilaçe për t’i ulur nivelet e kolesterolit?
- Cilat janë rreziqet dhe përfitimet që sjellin këto ilaçe?