Shtypja e Lartë e Gjakut
Shtypja e gjakut është shpejtësia me të cilën gjaku qarkullon në arteriet tuaja. Arterie i quajmë enët e gjakut të cilat bartin gjakun nga zemra në pjesët e tjera të trupit. Kur zemra juaj pompon, ajo shtyn gjakun drejt arterieve, qarkullimi i gjakut i’u bën shtypje ose presion mureve të enëve të gjakut. Kjo quhet shtypje e gjakut.
Shtypja e lartë e gjakut (ose hipertensioni) ndodh atëherë kur gjaku qarkullon në arteriet tuaja më shpejtë se zakonisht. Ka shumë faktorë që ndikojnë në shtypjen e lartë të gjakut. Nëse shtypja juaj e gjakut është shumë e lartë për një kohë të gjatë, atëherë kjo mund të shkaktojë probleme shëndetsore. Rreziqet e shtypjes së lartë në gjak përfshijnë sulmet në zemër, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet në veshkë.
Shtypja e lartë e gjakut ndahet në dy lloje:
Hipertensioni primar. Shkaktarët e hipertensionit primar janë të panjohur. Ky është lloji më i zakonshëm i shtypjes së lartë të gjakut. Mendohet që shkaktohet si pasojë e stilit tuaj të jetesës, mjedisit ku jetoni dhe ndryshimeve nëpër të cilat organizmi juaj kalon me plakje.
Hipertensioni sekondar. Faktori më i njohur i hipertensionit sekondar janë ilaçet. Hipertensionin sekondar mund ta shkaktojnë edhe:
- Problemet me veshkë
- Ndërprerjet e frymëmarrjes gjatë gjumit
- Problemet në gjëndrrat tiroide
- Ilaçet
Simptomat e shtypjes së lartë të gjakut
Shumica e njerëzve që kanë shtypje të lartë të gjakut nuk kanë simptoma, për këtë arsye është shumë e rëndësishme të kontrolloni shtypjen e gjakut rregullisht.
Disa njerëz përjetojnë dhimbje koke, gjakderdhje nga hunda dhe mund të kenë probleme me frymëmarrjen nga shtypja e lartë e gjakut. Këto simptoma zakonisht ndodhin kur shtypja e gjakut ka qenë shumë e lartë për një kohë shumë të gjatë.
Çfarë e shkakton shtypjen e lartë të gjakut?
Shtypjen e lartë të gjakut mund ta shkaktojë ushqimi, ilaçet, mënyra e jetesës, mosha, struktura juaj gjenetike e shumë faktorë të tjerë. Disa nga fakorët më të zakonshëm janë:
- Dietat që përmbajnë shumë kripë, yndyrë dhe kolesterol
- Sëmundjet kronike, si problemet me veshkë ose hormone, diabeti dhe kolesteroli i lartë
- Historiku familjar, veçanërisht nëse prindërit tuaj ose të afërmit e tjerë kanë një histori me shtypje të lartë të gjakut
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Mosha e vjetër
- Mbipesha dhe obeziteti
- Prejardhja/Raca
- Pilulat kundër shtatzënisë
- Stresi
- Pirja e duhanit ose alkoolit të tepërt
Si diagnostikohet shtypja e lartë e gjakut?
Shtypja e lartë e gjakut diagnostikohet me anën e monitorit të shtypjes së gjakut. Infermieri/a do i’u vendos shiritin e pajisjes rreth krahut. Shiriti është i lidhur për pompuesin dhe metrin. Infermieri/a do filloj të shtrëngoj dhe të liroj pompuesin disa herë dhe në fund do ndaloj për ta shikuar metrin.
Numri i parë që shfaqet lart në aparat paraqet pikën më të lartë të shtypjes së gjakut kur zemra pompon gjakun jashtë, ndërsa numri i dytë që shfaqet poshtë në aparat tregon pikën më të lartë të shtypjes kur zemra pompon gjakun brenda.
- Shtypja normale e gjakut është më pak se 120 (numri ndodhet lart) dhe më pak se 80 (numri që ndodhet poshtë)
- Nivelet e prehipertensionit janë 120-139 (numri lart) dhe 80-89 (numri poshtë)
- Shtypja e lartë e gjakut në fazën e parë është 140-159 (numri lart) dhe (90-99) numri poshtë
- Shtypja e lartë e gjakut në fazën e dytë është 160 ose më shumë (numri lart) dhe 100 ose më shumë (numri poshtë)
Pasi t’i mbushni 18 vjet është e këshillueshme të kontrolloni shtypjen e gjakut së paku një herë në dy vjet.
A mund të parandalohet shtypja e lartë e gjakut?
Nëse shtypja e lartë e gjakut tuaj shkaktohet nga stili i jetesës, mund t’i ndiqni këta hapa për të zvogëluar rrezikun:
- Humbni peshë
- Ndaloni konsumimin e duhanit
- Ushqehuni rregullisht
- Bëni aktivitete fizike
- Zvogëloni konsumimin e kripës
- Zvogëloni konsumimin e alkoolit
- Provoni ushtrimet/metodat relaksuese për trupin dhe mendjen tuaj
Nëse shkaku i shtypjes tuaj të lartë të gjakut është ndonjë sëmundje ose ilaç që përdorni, konsultohuni me mjekun. Ai mund të i’u udhëzojë të merrni ndonjë ilaç tjetër zëvendësues. Nëse arrini të bëni mjekimin e sëmundjes që keni ose kontrollimin e saj (si p.sh diabeti) kjo ndihmon dukshëm në zvogëlimin e shtypjes së gjakut.
Mjekimi i shtypjes së lartë të gjakut
Fillimisht ju duhet të bëni ndryshime në mënyrën e jetesës, kjo do te ndihmojë në zvogëlimin e shtypjes së gjakut dhe sëmundjeve të zemrës. Ilaçet të cilat i’u udhëzon mjeku për të zvogëluar shtypjen e lartë të gjakut quhen ilaçe kundër hipertensionit.
Ilaçet që do te i’u përshkruaj mjeku do të jenë të lehta për t’u konsumuar dhe do te kenë pak ose asnjë efekt anësorë. Nëse shtypja juaj e gjakut ulet vetëm me ilaçe ju duhet të merrni ilaçe gjithë jetën. Është mjaft e zakonshme që t’u nevojiten më shumë se një lloj i ilaçit për të kontrolluar shtypjen në gjak, mirëpo ilaçet nuk duhet të ndërpriten pa konsultimin e mjekut. Ndërprerja pa konsultimin me mjekun mund të rritë rrezikun e një sulmi në zemër.
Jeta me shtypje të lartë të gjakut
Përkujdesja për shtypjen tuaj të gjakut është përkushtim i madh. Juve do i’u duhet të kontrolloni peshën tuaj, ushqimin që hani, të mësoni të përballoni stresin, të ndaloni duhanin dhe të limitoni konsumimin e alkoolit. Do i’u duhet të kontrolloheni te mjeku rregullisht ose të kontrolloni shtypjen e gjakut në shtëpi.
Pajisjen ose aparatin për matjen e shtypjes së gjakut mund ta bleni në barnatore. Kjo do i’u mundësoj ta kontrolloni shtypjen tuaj të gjakut në shtëpi disa herë në ditë.
Pyetje që mund t’i bëni mjekut tuaj
- A është e mundur që fëmijët e mi të trashëgojnë shtypjen e lartë të gjakut?
- Sa kripë është e këshillueshme të konsumoj?
- Cilat ushqime përmbajnë sasi të mëdha të kripës?
- A është e mundur që pirja pasive e duhanit të shkaktojë shtypjen e lartë të gjakut?