Lart

Super Ushqimet për Nënat e Reja

Humbja e kilogramëve të shtatzënisë mund të jetë ajo që më së shumti e mendoni! Mirëpo ka diçka që është edhe më e rëndësishme për trupin tuaj pas lindjes: konsumimi i ushqimeve që iu japin energji.

Konsumimi i ushqimeve të shëndetshme çdo ditë do t’iu ndihmojë të maksimizoni energjinë e vogël që ndoshta e keni si një nënë e re. Nëse jeni duke ushqyer foshnjën tuaj me gji, cilësia e qumështit tuaj të gjirit mbetet pak a shumë e njëjtë pavarësisht se çfarë zgjidhni për të ngrënë. Por ekziston një fakt: kur ju nuk jeni duke marrë ushqyes të nevojshëm nga dieta tuaj, trupi juaj do të mundohet t’i sigurojë ato nga rezervat tuaja trupore. Prandaj, sigurohuni që të merrni të gjitha ushqimet që ju dhe fëmija juaj keni nevojë.

Përpiquni t’i bëni këto ushqime të shëndetshme pjesë të rregullt të dietës suaj.
super ushqime per nenat e reja

Salmoni

Nuk ekziston një ushqim i përsosur. Por salmoni është shumë pranë të qenurit i tillë kur është fjala tek ushqimet për nënat e reja. Salmoni, ashtu si peshqit e tjerë është i pasur me një lloj yndyre të quajtur DHA (Acid Dokosaheksanik). DHA-ja është vendimtare për zhvillimin e sistemit nervor të fëmijës tuaj. Qumështi i gjirit përmban DHA, por nivelet e tij janë më të larta nëse gratë marrin më shumë DHA nga dietat e tyre.

Sasia e DHA-së në salmon mund të ndikojë në gjendjen tuaj të humorit. Studimet sugjerojnë se ajo mund të luajë një rol në parandalimin e depresionit pas lindjes.

Një rekomandim: gratë gjidhënëse dhe gratë shtatzëna duhet të kufizojnë sasinë e salmonit që hanë. Udhëzimet rekomandojnë një mesatare prej 340 g në javë. Arsyeja pse rekomandohet kjo është që të kufizohet sasia e mërkurit ndaj të cilit fëmija juaj është i ekspozuar.

Niveli i mërkurit në salmon konsiderohet i ulët, mirëpo duhet të keni kujdes! Disa peshq të tjerë, të tillë si peshku i shpatave ose skumbri, kanë një sasi të lartë të mërkurit dhe duhet të shmangen krejtësisht. 340 g janë mesatare. Nëse tejkalohet kjo mesatare në një javë nuk do të bëjnë keq për sa kohë që hani më pak javën e ardhshme.

Produkte të qumështit me yndyrë të ulët

Varësisht se preferoni kos, qumësht ose djath, produktet e qumështit janë një pjesë e rëndësishme e ushqyerjes së shëndetshme me gji. Qumështi përmban vitaminë D që ndikon në forcimin e kockave. Përveç që sigurojnë proteina dhe vitamina produktet e qumështit janë një nga burimet më të mira të kalciumit.

Qumështi juaj është i pasur me kalcium që ndikon në zhvillimin e kockave të foshnjës suaj, prandaj është shumë e rëndësishme që të konsumoni sasi të mjaftueshme të kalciumit për të përmbushur nevojat tuaja. Përpiquni që të përfshini të paktën tre gota të produkteve të qumështit çdo ditë në dietën tuaj.

Mish pa dhjam

Si një nënë e re ju duhet të përforconi energjinë tuaj me ushqime të pasura me hekur, siç është mishi i viçit (pa dhjam). Mungesa e hekurit mund të zvogëlojë nivelin tuaj të energjisë, duke e bërë të vështirë për ju që t’ia dilni me kërkesat e një fëmije të posalindur.

Nënat që ushqejnë me gji duhet të hanë proteina shtesë dhe vitamina B-12. Mishi i viçit është një burim i shkëlqyeshëm i këtyre të dyjave.

Bishtajat

Bishtajat janë të pasura me hekur, veçanërisht ato me ngjyrë të errët, si fasulet e zeza dhe fasulja. Bishtajat janë një ushqim i shkëlqyeshëm për nënat gjidhënëse. Ato janë një burim i  proteinave jo-shtazore me cilësi të lartë.

Boronicat

Nënat gjidhënëse duhet të sigurohen që të marrin dy ose më shumë servime të frutave ose lëngjeve çdo ditë. Boronicat janë një zgjedhje e shkëlqyer për t’iu ndihmuar të plotësoni nevojat tuaja. Boronicat përveç që janë shumë të shijshme janë të pasura me vitamina dhe minerale të mira për ju dhe ju japin një dozë të shëndetshme karbohidratesh për të mbajtur nivelet e energjisë lartë.

Orizi i kaftë

Ju mund të tundoheni të mos përdorni karbohidrate për të humbur peshë. Mirëpo mos e bëni këtë gjë! Humbja e peshës shumë shpejt mund të ndikojë që të bëni më pak qumësht. Përzieni karbohidrate të drithërave të shëndetshme si orizi kafe në dietën tuaj për të mbajtur nivelet e energjisë lartë. Ushqimet si orizi ngjyrë kafe i sigurojnë trupit tuaj kaloritë që nevojiten për të bërë qumështin më të mirë për fëmijën tuaj.

Super Ushqimet për Nënat e Reja

Portokalli

Portokallet janë një ushqim i shkëlqyer për të rritur energjinë. Pasi që nënat gjidhënëse kanë nevojë më shumë për vitaminë C, portokallet dhe frutat e tjera agrume janë ushqime të shkëlqyera.

Vezët

Vezët janë një ushqim i shkëlqyer për të plotësuar nevojat tuaja të përditshme për proteina. Fërgoni disa vezë për mëngjes, hidhni një vezë të zier ose dy në sallatën tuaj të drekës ose bëni një omeletë. Zgjedhni vezë të pasura me DHA për të rritur nivelin e këtij acidi yndyror esencial në qumështin tuaj.

Buka e zezë

Acidi folik është vendimtar për zhvillimin e fëmijës tuaj në fazat e hershme të shtatzënisë. Por rëndësia e tij nuk përfundon aty. Acidi folik është një lëndë ushqyese e rëndësishme në qumështin tuaj të gjirit. Është shumë rëndësishme që të hani sa duhet për mirëqenien tuaj dhe të fëmijës suaj. Buka dhe pastat e pasura me acid folik  gjithashtu ju japin një dozë të shëndetshme të fibrave dhe hekurit.

Perimet e gjelbra me gjethe

Perimet e gjelbërta, si spinaqi, kardina zvicerane dhe brokoli janë të mbushura me vitaminë A, e cila është e mirë për ju dhe fëmijën tuaj. Përfitimet nuk ndalen këtu. Ato janë një burim i mirë jo-qumështor i kalciumit dhe përmbajnë vitaminë C dhe hekur. Perimet e gjelbëra janë gjithashtu të mbushura me antioksidantë të shëndetshëm për zemër dhe kanë nivel të ulët të kalorive.

Drithërat

Pas një natë tjetër pa gjumë, një nga ushqimet më të mira për të rritur energjinë e nënave të reja në mëngjes është një vakt i shëndetshëm i drithërave. Shumë drithëra janë të pasura me vitamina dhe lëndë ushqyese esenciale për t’iu ndihmuar të plotësoni nevojat tuaja të përditshme. 

Lëngjet

Nënat që ushqejnë me gji janë shumë të rrezikuara të humbin energjinë nga dehidrimi. Për të mbajtur nivelet e duhura të energjisë dhe prodhimin e qumështit, sigurohuni që të jeni mirë hidratuar. Për të plotësuar kërkesat tuaja ju duhet të pini sa më shumë lëngje dhe qumësht. Por kini kujdes kur bëhet fjalë për pije që përmbajnë kafeinë, si kafe ose çaj. Mos pini më shumë se 2-3 gota në ditë, ose kaloni në pije pa kafeinë. Kafeina hyn në qumështin tuaj të gjirit dhe mund të ndikojë në gjendjen emocionale të fëmijës suaj (të bëhet nervoz dhe të fle keq).

 

Shpërndaj
Shëndeti - Probleme.me

Probleme.me fokusohet në shëndetin dhe mirëqenien personale tuajën. Artikuj të shumtë për shtatzëninë, fëmijët, gratë e meshkujt. Nëse keni ndonjë koment, sygjerim apo edhe informacion për ta ndarë me ne na kontaktoni shendeti@rilinde21.sg-host.com