Zhvillimet në Adoleshencë – Çfarë të Presim?
Në vitet e hershme të adoleshencës ndodhin shumë ndryshime – fizike, emocionale, njohëse dhe shoqërore. Gjatë kësaj kohe, trupi, emocionet dhe identitetet ndryshojnë në mënyra të ndryshme.
Ndryshimet fizike tek adoleshentët
Tek vajzat, ndryshimet fizike nganjëherë fillojnë të ndodhin shumë herët (ndryshimet mund të fillojnë të ndodhin që nga mosha 8 vjeçare). Ndryshimet fizike në pubertet përfshijnë:
- Zhvillimin e gjinjëve
- Ndryshimet në formën dhe lartësinë e trupit
- Rritjen e qimeve pubike dhe të trupit
- Fillimi i menstruacioneve
Tek djemtë, ndryshimet fizike zakonisht fillojnë të ndodhin rreth moshës 11-12 vjecare. Mirëpo edhe nëse këto ndryshime ndodhin rreth moshës 9-14 vjeçare konsiderohen normale. Ndryshimet fizike përfshijnë:
- Rritjen e penisit dhe testikujve
- Ndryshimet në formën dhe lartësinë e trupit
- Ereksione me ejakulim
- Rritjen e qimeve pubike, të trupit dhe të fytyrës
- Ndryshime të zërit.
Ndryshimet emocionale gjatë adoleshencës
Tani që fëmija juaj ka arritur moshën e adoleshencës, mund të vëreni se ai/ajo tregon ndjenja të forta dhe emocione intensive.
Disponimi i fëmijës suaj mund të jetë i paparashikueshëm. Këto ulje dhe ngritje emocionale mund të çojnë në konflikte. Kjo ndodh për shkak se truri i fëmijës suaj është ende duke mësuar se si të kontrollojë dhe të shpreh emocionet në mënyrë të rritur. Kur fëmija juaj kalon nëpër fazën e pubertetit, këto lëkundje emocionale të disponimit do të fillojnë të qetësohen.
Gjatë kësaj faze, fëmija juaj mund të jetë më i ndjeshëm edhe ndaj emocioneve të të tjerëve. Ai/Ajo shpesh herë mund t’i keqkuptojë shprehjet e fytyrës ose gjuhën e trupit.
Fëmija juaj shpesh herë mund të ndjehet i pasigurtë gjatë viteve të adoleshencës, veçanërisht kur është puna te pamja fizike. Vetëbesimi i adoleshentëve shpesh ndikohet nga pamja e jashtme. Ndërsa fëmija juaj zhvillohet, ai mund ta krahasojë trupin e tij me të shokëve dhe kolegëve të tij.
Adoleshentët shpesh herë gjatë kohës së adoleshencës bëjnë veprime pa u menudar. Aftësitë vendimmarrëse të fëmijës suaj janë ende në zhvillim e siper dhe ai/ajo ende është në fazën kur mëson se veprimet e pa menduara mund të kenë pasoja dhe madje ndonjëherë mund të shkaktojnë edhe rreziqe.
Ndryshimet shoqërore tek adoleshentët
Të rinjtë vazhdimisht janë në kërkim të identitetit. Kështu që mund të vëreni se fëmija juaj mund të provojë stile të reja të veshjeve, muzikë, art, grupe miqësie e kështu me radhë. Kur fëmija juaj të rritet, identiteti i tij/saj mund të bëhet më i fortë.
Kërkimi i pavarësisë është i zakonshëm. Fëmija juaj mund të kërkojë më shumë përgjegjësi, si në shtëpi dhe në shkollë. Marrja e një pune me kohë të pjesshme, zgjedhja e lëndëve për të studiuar në shkollë, arritjet në ngjarje shoqërore dhe ndryshimi i aktiviteteve jashtëshkollore janë të gjitha hapa normal drejt pavarësisë.
Fëmija juaj vazhdimisht është në kërkim të përvojave të reja, madje edhe nga ato të rrezikshme. Në të njëjtën kohë, ai/ajo ende po mëson të zhvillojë kontroll mbi reagimet e tij/saj. Kjo ndodh për shkak se truri i fëmijës suaj ndryshon në këto vite.
Fëmija juaj është i preukopuar të mendojë më shumë se çfarë është e ‘ drejtë’ dhe ‘gabuar’. Fjalët dhe veprimet tuaja ende ndikojnë në ndjenjën e të drejtës dhe të gabuarës së fëmijës suaj. Përderisa fëmija juaj shkon drejt rritjes, ai do të ketë ndjenjë më të fortë të vlerave dhe moralit të tij personal.
Ju ndoshta do të vëreni se fëmija juaj do të ndikohet më shumë nga miqtë, sidomos kur është fjala për sjelljen, ndjenjat dhe vetëvlerësimin.
Fëmija juaj gjithashtu mund të fillojë të zbulojë identitetin seksual dhe seksualitetin e tij/saj. Kjo mund të përfshijë marrëdhënie romantike ose takime me dikë të veçantë. Këto nuk do të thotë që domosdoshmërisht janë marrëdhënie intime. Për disa të rinj, marrëdhëniet intime ose seksuale nuk ndodhin deri vonë.
Interneti, telefonat celularë dhe mediat sociale mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si fëmija juaj komunikon me bashkëmoshatarët e tij dhe se si mëson për botën.
Ndryshimet në marrëdhënie gjatë adoleshencës
Marrëdhëniet e fëmijës suaj me familjen dhe bashkëmoshatarët do të kalojnë nëpër ndryshime dhe ndërrime të mëdha. Por mbajtja e marrëdhënieve të forta me familjen dhe miqtë është e rëndësishme për zhvillimin e shëndetshëm social dhe emocional.
Ju mund të vëreni se fëmija juaj do të shpenzojë më pak kohë me familjen dhe më shumë kohë me miqtë dhe bashkëmoshatarët e tij/saj. Ndikimi juaj është i rëndësishëm për vendimet afatgjata të fëmijës suaj, si zgjedhja e karrierës, vlerat dhe morali.
Mund të ketë më shumë argumente me ty. Disa konflikte janë normale sepse adoleshentët kërkojnë më shumë pavarësi. Kjo në fakt tregon se fëmija juaj është duke u pjekur. Konflikti ka tendencë të kulmojë në adoleshencën e hershme.
Mund t’iu duket sikur fëmija juaj i sheh gjërat ndryshe nga ju tani. Kjo nuk ndodh për shkak se ai/ajo dëshiron t’iu shqetësojë. Kjo ndodh sepse ai/ajo fillon të mendojë më shumë në mënyrë abstrakte dhe vë në pikëpyetje pikëpamje të ndryshme. Në të njëjtën kohë, disa adoleshentë e kanë të vështirë të kuptojnë se si fjalët dhe veprimet e tyre prekin njerëzit e tjerë. Kjo ndoshta do të ndryshojë me kalimin e kohës.
Përmes gjithë kësaj, një marrëdhënie e fortë me ju është një bazë e rëndësishme për të ndërtuar aftësi ripërtëritëse të fëmijës suaj.