Lart

Mbikëqyrja teknologjike e shtatzënisë

Kur Chandler Jones e kuptoi se ishte shtatzënë gjatë vitit të parë të kolegjit iu drejtua një burimi të besuar për informacion dhe këshilla.

Celularit të saj.

“Nuk mund ta imagjinoja përpara internetit, përpjekjet për të mësuar rreth kësaj”, është shprehur Jones, 26 vjeç, e cila u diplomua të martën nga Shkolla Juridike e Universitetit të Baltimores. “Nuk e dija nëse spitalet bënin aborte. E dija që Planned Parenthood bënte aborte, por nuk kishte asnjë pranë meje. Kështu që thjesht kërkova në Google”.

Ama me çdo kërkim, Jones po ndiqej në mënyrë të fshehtë – nga aplikacionet e telefonit dhe shfletuesit që na gjurmojnë teksa klikojmë larg, duke kapur edhe të dhënat tona më të ndjeshme shëndetësore.

Kërkimet në internet. Gjurmuesit e palestrës. Linjat e ndihmës për këshilla. GPS. Kompanitë shpesh të paqarta që mbledhin të dhënat e historisë sonë shëndetësore dhe vendndodhjes mund të dinë më shumë për neve sesa ne vetë.

Për momentin, informacioni përdoret kryesisht për të na shitur gjëra, si p.sh. produkte për fëmijë që kanë për synim gratë shtatzëna. Mirëpo në një botë pas Roes – nëse Gjykata e Lartë anulon vendimin e vitit 1973 që legalizoi abortin, siç sugjeron një projekt-opinion se mund të ndodhë në javët e ardhshme – të dhënat do të bëheshin më të vlefshme dhe gratë më të cenueshme.

Ekspertët e privatësisë kanë frikë se shtatzënitë mund të mbikëqyren dhe të dhënat të ndahen me policinë ose t’u shiten vigjilenteve.

“Vlera e këtyre mjeteve për zbatimin e ligjit është për mënyrën se si ata vërtet arrijnë të shikojnë në shpirt”, ka theksuar Cynthia Conti-Cook, juriste dhe bashkëpunëtore e teknologjisë në Fondacionin Ford. “Kjo u jep muhabetin mendor brenda kokave tona”.

Historiku shëndetësor

Gjurma digjitale bëhet më e qartë vetëm kur largohemi nga shtëpia, pasi aplikacionet e vendndodhjes, kamerat e sigurisë, lexuesit e targave dhe softueri i njohjes së fytyrës i ndjekin lëvizjet tona. Zhvillimi i këtyre mjeteve teknologjike ka ecur shumë përpara ligjeve dhe rregulloreve që mund t’i rregullojnë ato.

Dhe nuk janë vetëm gratë ato që duhet të shqetësohen. Të njëjtat taktika të përdorura për të mbikëqyrur shtatzënitë mund të përdoren nga kompanitë e sigurimit të jetës për të vendosur primet, bankat për të miratuar kredi dhe punëdhënësit për të peshuar vendimet e punësimit, kanë bërë të ditur ekspertët.

Ose mund të – dhe ndonjëherë ndodh – t’u dërgojë grave që përjetojnë abort reklama gazmore në ditëlindjen e fëmijës së tyre të mundshëm.

Gjithçka është e mundur sepse HIPAA, Akti i Transportueshmërisë dhe Përgjegjshmërisë i Sigurimeve Shëndetësore i vitit 1996, mbron dosjet mjekësore në zyrën e mjekut, por jo informacionin që aplikacionet e palëve të treta dhe kompanitë e teknologjisë mbledhin për ju. As HIPAA nuk mbulon historitë shëndetësore të mbledhura nga “qendrat e shtatzënisë në krizë” jomjekësore, të cilat drejtohen nga grupe kundër abortit. Kjo do të thotë se informacioni mund të ndahet ose t’i shitet pothuajse kujtdo.

Jones kontaktoi një institucion të tillë herët në kërkimin e saj në Google, përpara se ta kuptonte se ata nuk ofronin aborte.

“Rreziqet e qasjes të papenguar në të dhënat personale të amerikanëve nuk kanë qenë kurrë më të qarta. Hulumtimi i kontrollit të lindjes në internet, përditësimi i një aplikacioni për përcjelljen e periodave ose sjellja e një telefoni në zyrën e mjekut mund të përdoret për të gjurmuar dhe ndjekur penalisht gratë në të gjithë SHBA-në”, vuri në dukje senatori Ron Wyden, D-Ore., javën e kaluar.

Për një mori arsyesh, politike e filozofike, ligjet e privatësisë së të dhënave në SHBA kanë mbetur shumë prapa atyre të miratuara në Evropë në vitin 2018.

Deri në këtë muaj, çdokush mund të blinte grumbull të dhënash javore për klientët në më shumë se 600 sajte të Planifikimit Prindëror në të gjithë vendin për aq pak sa 160 dollarë, sipas hetimit të fundit të Vice që çoi një ndërmjetës të të dhënave për të hequr qendrat e planifikimit familjar nga klienti “model” të dhënat që shet. Dosjet përfshinin adresat e përafërta të pacientëve, grupet e të ardhurave, kohën e kaluar në klinikë dhe vendet kryesore që njerëzit ndalonin para dhe pas vizitave të tyre.

Teksa të dhënat nuk i identifikonin pacientët me emra, ekspertët kanë thënë se ato shpesh mund të kombinohen së bashku ose të de-anominizohen, me krejt pak gërmim.

Në Arkansas, ligji i ri që do t’u kërkojë grave që dëshirojnë abort që fillimisht të telefonojnë linjën telefonike shtetërore dhe të dëgjojnë për alternativat e abortit. Linja telefonike, e vendosur të debutojë vitin e ardhshëm, do t’i kushtojë shtetit gati 5 milionë dollarë në vit për të funksionuar. Kritikët kanë frikë se do të jetë një mënyrë tjetër për t’i gjurmuar gratë shtatzëna, qoftë me emër ose përmes një numri identifikues. Edhe shtetet e tjera po shqyrtojnë legjislacion të ngjashëm.

Aftësitë e përhapura të mbikëqyrjes alarmojnë ekspertët e privatësisë që kanë frikë se çfarë do të ndodhë nëse Roe kundër Wade të përmbyset. Gjykata e Lartë pritet ta japë opinionin e saj në fillim të korrikut.

“Shumë njerëz, ku aborti është i kriminalizuar – sepse nuk kanë ku të shkojnë – hyjnë në internet e çdo hap që ata ndërmarrin mund të mbikëqyret”, ka bërë të ditur Conti-Cook.

Të dënohen gratë apo mjekët

Gratë si Jones, së bashku me gratë e varfra dhe emigrantët, mund të përballen me pasojat më të rënda nëse Roe bie, pasi ato zakonisht kanë më pak fuqi dhe para për t’i mbuluar gjurmët e tyre. Ato gjithashtu priren të bëjnë më shumë aborte, proporcionalisht, ndoshta sepse kanë më pak qasje në kujdesin shëndetësor, kontrollin e lindjes dhe, në shtetet konservatore, shkolla me programe të mira edukimi seksual.

Drafti i zbuluar sugjeron që Gjykata e Lartë mund të jetë e gatshme t’i lejojë shtetet të ndalojnë ose kufizojnë ashpër abortin përmes dënimeve civile ose penale. Më shumë se gjysma janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Armiqtë e abortit kanë premtuar kryesisht se nuk do t’i ndëshkojnë vetë gratë, por në vend të kësaj do të synojnë ofruesit e tyre ose njerëzit që i ndihmojnë të kenë qasje në shërbime.

“Dënimet janë për mjekun, jo për gruan”, ka thënë deputeti republikan i shtetit Jim Olsen nga Oklahoma muajin e kaluar për ligjin e ri që e bën kryerjen e një aborti krim, të dënueshëm deri në 10 vjet burg.

Ama avokatët e abortit thonë se kjo mbetet për t’u parë.

“Kur aborti kriminalizohet, rezultatet e shtatzënisë hetohen”, thotë Tara Murtha, drejtoreshë e komunikimit në Projektin e Ligjit të Grave në Filadelfia, e cila së fundmi ishte bashkautore në një raport mbi mbikëqyrjen digjitale në sferën e abortit.

Prokurorët tashmë kanë vënë në shënjestër gratë që përdorin drogë gjatë shtatzënisë, një çështje që gjyqtari Clarence Thomas e ngriti gjatë argumenteve të Gjykatës së Lartë në rastin në dhjetor.

“Çdo rezultat i pafavorshëm i shtatzënisë mund ta kthejë personin që ishte shtatzënë në një të dyshuar”, ka bërë të ditur Murtha.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Shpërndaj
Shëndeti - Probleme.me
Shëndeti - Probleme.me

Probleme.me fokusohet në shëndetin dhe mirëqenien personale tuajën. Artikuj të shumtë për shtatzëninë, fëmijët, gratë e meshkujt. Nëse keni ndonjë koment, sygjerim apo edhe informacion për ta ndarë me ne na kontaktoni [email protected]